Ndërlidhjet

Serbët zotohen kundër FSK-së


Përfaqësues të Qeverisë së Serbisë kanë përsëritur thirrjet drejtuar qytetarëve serbë që të mos përfshihen në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Zyrtarë të FSK-së ftojnë serbët që t'i bashkohen kësaj force, duke e cilësuar nismën e politikanëve serbë si asgjë të re.


Ministri për Kosovën i Qeverisë së Serbisë Goran Bogdanoviq u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të mos i bashkohen Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa ka paralajmëruar KFOR-in se mbështetja që po i jep FSK-së do mund të rrezikojë raportet me serbët lokalë.

Ai ka bërë këto komente në Mitrovicë, gjatë takimit të së premtes me përfaqësues të komunave veriore të Kosovës.

Bogdanoviq, ka thënë se formimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës është në kundërshtim me rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit.
Goran Bogdanoviq


"Ne po ashtu nuk mund të pranojmë aktivitetin e KFOR-it dhe të organizatave tjera në Kosovë, të cilat merren dhe lobojnë që serbët të marrin pjesë në këtë FSK. Të gjithë përafqësuesit e komunave dhe Ministria për Kosovën do të bëjnë gjithçka është e mundur, që kjo propagandë të mos ketë sukses dhe në anën tjetër jemi marrë vesh që edhe ne të organizojmë fushatë, që të mos marrim pjesë në këtë forcë të sigurisë", tha Bogdanoviq.

Por, Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës fton qytetarët serbët që të mos marrin parasysh këto thirrje dhe t'i bashkohen FSK-së. Enver Dugolli është zyrtar për informim në këtë ministri.
FSK

"Kjo nismë e politikanëve serbë nuk është asgjë e re për ne, asgjë e re as për shtetin e Kosovës, e as për FSK-në. Mirëpo, ne u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës pa marrë parasysh përkatësinë etnike e posaçërisht minoritetit serb që t'i bashkohen kësaj force, sepse kjo forcë synon të ndërtohet sipas standardeve të NATO-s dhe është e hapur për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe ata do të kenë vendin e tyre të merituar", tha Dugolli.

Në anën tjetër, kryetari i komunës së Zubin Potokut Slavisha Ristiq ka deklaruar në një konferencë për gazetarë se kryetarët e komunave të veriut i kanë paralajmëruar përfaqësuesit e KFOR-it se do të rrezikojë raportet e mira me komunitetin serb në Kosovë nëse vazhdon me përkrahjen e FSK-së.

"U kemi thënë se duhet ta kenë parasysh se kur mendojnë për bashkëpunim dhe veprim të tyre me komunitetin serb, linja që dallon ushtarin në mision paqësor dhe okupatorit është shumë e vogël. Siç kanë vepruar tash, atëherë në mënyrë serioze i afrohen asaj linje dhe populli ndoshta mund t'i quajë okuaptorë", tha Ristiq.

Përfaqësues të KFOR-it nuk kanë dashur t'i komentojnë këto deklarata.

Mirëpo, kohë më parë, komandanti i KFOR-it, gjeneral koloneli Giuseppe Gay ka thënë se "duke marrë parasysh detyrat që i janë besuar FSK-së, të gjitha bashkësitë etnike do të duhej të ndjejnë obligim moral që t'i angazhojnë të rinjtë më të mirë nga radhët e veta, dhe kështu të kontribuojnë për një të ardhme të tyre më të mirë".

Zyrtarë të FSK-së thonë se nga mbi 1500 pjesëtarë të FSK-së, sa ka tani kjo forcë, 6.5 për qind janë nga minoritetet, përfshirë edhe serbët.
XS
SM
MD
LG