Ndërlidhjet

Thirrje Beogradit kundër politikave të sajuara


Preshevë
Preshevë

Prishtina i ka bërë thirrje Beogradit që të ndal dhunën dhe politikat e sajuara kundër shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe të zbatojë nivelin e njëjtë të të drejtave që Kosova zbaton për komunitetin serb. Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës kanë shprehur shqetësimet e tyre për gjendjen e tensionuar, sidomos pas arrestimeve të 10 shqiptarëve më 26 dhjetor të vitit të kaluar.



Shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të kenë nivelin e njëjtë të të drejtave që Kosova zbaton për komunitetin serb në Kosovë, ka thënë presidenti Sejdiu.

Këto komente, Sejdiu i bëri pas një takimi që zhvilloi me një delegacion të komunave të Preshevës e Bujanocit, kryesuar nga Jonuz Musliu e Shaip Kamberi.

Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës thanë se i kanë shprehur shqetësimet e tyre për gjendjen tejet të tensionuar në Luginë, sidomos pas arrestimeve të 10 shqiptarëve më 26 dhjetor të vitit të kaluar.

Presidenti Sejdiu tha se Serbia edhe njëherë po dëshmon se me sajimin e rasteve të tilla kundër shqiptarëve nuk është vend i gatshëm për familjen evropiane.
Fatmir Sejdiu


Ai tha se niveli i të drejtave të serbëve që gëzojnë në Kosovë do të duhej të respektohej edhe për shqiptarët nga ana e Serbisë.

"Republika e Serbisë duhet të shkëputet nga kjo qasje që fatkeqësisht e ka deri tash dhe e quajmë iracionale, në një anë në mbajtjen nën tension dhe peng të qytetarëve serb të Kosovës me pjesë të strukturave paralele që kanë borxh edhe ndaj drejtësisë dhe në anën tjetër me ngritjen e tensioneve paralele edhe në dy – tri komunat në jug të Serbisë”, theksoi presidenti Sejdiu.

Ndërkaq përfaqësuesit nga Lugina e Preshevës thanë se gjendja në komunat me shumicë shqiptare po mbahet me qëllim e tensionuar dhe acaruar nga ana e qeverisë serbe.

Jonuz Mulsiu u shpreh i bindur se shqiptarët e arrestuar po mbahen të mbyllur në bazë të një procesi të montuar politik dhe jo pse ata kanë kryer vepra për të cilat akuzohen.

“Këta të arrestuar të jenë sa më shpejtë pranë familjeve të tyre sepse aty e kanë vendin. Nuk janë ata të cilëve u bëhet një etiketim. Për ta bërë politikën në Beograd dhe për të gjetur viktima të Luginë të Preshevës, besoj se në të ardhmen nuk do të ndodhë më”, tha Musliu.

Ndërkohë, Shaip Kamberi kërkoi që edhe faktori ndërkombëtar të merr për bazë zgjidhjet, siç është pakoja e Ahtisaarit, edhe për vendet tjera në rajon, sidomos për shqiptarët në komunat e Luginës së Preshevës në Serbi.

“Ne do të mundohemi që nëpërmjet faktorit ndërkombëtar, të njëjtat drejta që i kanë serbët në Kosovë t'i kenë edhe shqiptarët e Luginës. Me presidentin Sejdiu biseduam edhe për problemet tjera me të cilat ballafaqohemi në Luginë siç janë problemet e arsimit, shëndetësisë dhe sferat tjera”, tha Kamberi.

Me shqetësimet e shqiptarëve të Luginës ëshët njoftuar edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Ai tha se qeveria aktuale serbe, po vazhdon me politikat e vjetra të Milosheviqit kundër shqiptarëve dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndikoj te Beogardi që të ndërpres një formë të tillë të trajtimit të shqiptarëve.
Jakup Krasniqi


“Kërkojmë nga faktori ndërkombëtar, sidomos nga BE-ja dhe SHBA që të shtojnë ndikimin dhe presionin e tyre që dhuna e ushtruar nga regjimi i Beogradit në fundin e vitit 2008 në Luginë të ndërpritet dhe që shqiptarët atje të lihen të lirë dhe të qetë”, tha Krasniqi.

Presidenti Sejdiu dhe kryeparlamentari Krasniqi i ftuan shqiptarët e Luginës që të ruajnë unitetin politik dhe të vazhdojnë bashkëpunimin me faktorin ndërkombëtar me qëllim të realizimit të interesave dhe të drejtave të tyre.

XS
SM
MD
LG