Ndërlidhjet

Prishtina dhe Beogradi (s')diskutojnë për 6 pikëshin


Prishtina dhe Beogradi zyrtar vazhdojnë të kenë qëndrime diametralisht të kundërta sa i përket bisedimeve ndërmjet dy vendeve si dhe temave që do të diskutohen në këto bisedime. UNMIK-u konfirmon pjesëmarrjen në këto bisedime, pasi të jetë definuar roli i saktë në dialog.

Përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, përkrah atyre të misioneve të tjera ndërkombëtare, do të marrin pjesë në dialogun Prishtinë-Beograd për të ashtuquajturat çështje teknike ndërmjet dy vendeve.

Këtë e konfirmon zëdhënësi i administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Alexander Ivanko, i cili thotë se UNMIK-u duhet të qartësojë fillimisht rolin e vet në këtë dialog, marrë parasysh që kompetencat në polici, drejtësi dhe dogana tanimë hyjnë në kuadër të përgjegjësive të misionit të Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit-EULEX.

"Kombet e Bashkuara, përfshirë UNMIK-un, natyrisht se do të kenë një rol në këto diskutime, por cili do të jetë ky rol akoma duhet të definohet sepse kompetencat kryesore për tri çështjet tani i takojnë EULEX-it. Është një çështje e cila ka mbetur për tu shqyrtuar, por sipas të gjitha gjasave do të jenë disa aktorë të ndryshëm ndërkombëtar sepse përgjegjësitë ne çështjet si policia, drejtësia dhe dogana tanimë u janë bartur EULEX-it dhe nuk janë më përgjegjësi e UNMIK-ut", tha Ivanko.

Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, është kthyer të premtën nga New Yorku ku, ndër të tjera, kishte zhvilluar një takim me ministrin e jashtëm serb, Vuk Jeremiq. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Ivanko njofton për agjendën e mëtutjeshme të Zannierit...

"Gjëja e parë që ambasadori Zannier planifikon të bëjë është të njoftojë qeverinë këtu për takimin që ka mbajtur me zotëri Jeremiq. Natyrisht se çdo lloj diskutimesh përfshijnë disa palë dhe jo vetëm një. Pra, do të jenë disa vendimmarrës ndërkombëtar dhe natyrisht se edhe Prishtina edhe Beogradi duhet të pajtohen me çfarëdolloj diskutimesh", tha Ivanko.

Prishtina zyrtare, ndërkohë, vazhdon të refuzojë planin 6 pikësh t OKB-së si dhe bisedimet teknike me shtetin serb duke këmbëngulur në qëndrimin se me Serbinë mund të bisedohet vetëm për çështje që janë në interes të dy shteteve fqinjë. Zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, thotë se plani 6 pikësh nuk mund të vihet në tryezën e bisedimeve me Serbinë.

"Plani 6 pikësh për Prishtinën zyrtare është i vdekur. Ju e dini që ai plan është hedhur poshtë nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe se ne nuk marrim asnjë obligim ndaj tij. Prishtina zyrtare ka paraqitur katër pikat e saja përmes Presidentit Sejdiu dhe kryeministrit Thaçi. Nuk kemi çfarë të bisedojmë për planin 6 pikësh", theksoi Beqiri.

Beqiri hedh poshtë gjithashtu mundësinë e përfshirjes së UNMIK-ut në bisedimet në mes të Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë.

"Për Republikën e Kosovës, përgjegjëse dhe kompetente për të folur janë vetëm institucionet legjitime të saja", konsideroi Beqiri.

Zyrtarë të Qeverisë serbe e cilësojnë si temë të pashmangshme implementimi i planit 6 pikësh në bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Sekretari shtetëror në ministrinë e Serbisë për Kosovën, Oliver Ivanoviq sqaron pikëpamjen e tij për këtë çështje...

"Po, plani 6 pikësh do të jetë tema kryesore për të cilën do të bisedohet, por kryesisht do të bisedohet mënyrat se si mund të zbatohet ky plan. Jam i sigurt se udhëheqësit kosovar nuk mund të refuzojnë diçka që është miratuar në Këshillin e Sigurimit me pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Francës dhe të mos harrojmë Kinën dhe Rusinë. Pra, e tërë bota është pajtuar me këtë dhe Kosova nuk ka llogari të jetë kundër", tha Ivanoviq.



XS
SM
MD
LG