Ndërlidhjet

logo-print
Institucionet e drejtësisë po ngecin në zbardhjen e rasteve korruptive, thotë drejtori i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni. Ai thotë se megjithëqë institucionet e drejtësisë kanë thënë se do ta luftojnë korrupsionin, nëse për rastet e tilla dëshmojnë qytetarët, kjo nuk po ndodh në praktikë.

"Nuk është punë e lehtë, mirëpo secili nga ne nëpër institucione kemi marr mandatin që të punojmë në këtë drejtim dhe secili nga ne që jemi pjesë e këtyre mekanizmave, nuk ka asnjë arsyetim tjetër që të themi se është vështirë, lehtë ose e pamundur”.

“Ne jemi zotuar që do të punojmë, se arsyetim për mossukses, mospunë, nuk ka. Duhet të punojmë dhe mos të kërkojmë që tani qytetari t'i kryejë hetimet. Hetimet duhet t'i kryejnë prokuroritë dhe institucionet tjera", tha Preteni.

Nga ana tjetër, prokurori Besim Kelmendi thotë se problemi më i madh për intensifikimin e akuzave vazhdon të jetë mosbashkëpunimi i qytetarëve me institucionet e drejtësisë.

“Në luftën kundër korrupsionit ka vështirësi shumë të mëdha në Kosovë, për shkak se mungon bashkëpunimi i qytetarëve dhe i institucioneve për t'i paraqitur rastet korruptive në prokurori dhe polici”.

“Ndër arsyet e para është se qytetarët të cilët japin ryshfet, nuk janë të interesuar të bashkëpunojnë me ne dhe policinë, duke marrë parasysh se ata janë përfitues nga punët që i kryejnë zyrtarët, ndërsa zyrtari është përfitues. Kjo është arsyeja kryesore që ne po kemi problem për të pasur një luftë të suksesshme kundër korrupsionit në Kosovë", thotë Kelmendi.

Ai konsideron se dëshmitë e dhëna nga qytetarët në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, nuk mund të merren si shumë të besueshme pa u verifikuar edhe një herë në prokurori dhe në Policinë e Kosovës.

"Të gjitha informacionet që i marrim prej agjencisë, ne duhet edhe një herë që bashkërisht me policinë t'i verifikojmë dhe pastaj të marrim vendim a të fillojmë procedurën për një rast apo jo, sepse nuk munden të fillojmë proceduarat vetëm në bazë të një informacioni pa u verifikuar edhe një herë nga ana e policisë dhe prokurorisë", theksoi Kelmendi.

Raporti i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2008 pati treguar se kjo agjenci ua kishte përcjellë 68 informata për raste të dyshuara të korrupsionit prokurorive përkatëse, por, sipas zyrtarëve të agjencisë, janë shqyrtuar vetëm 23 raste.

Hasan Preteni, drejtues i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, thotë se prokuroritë e Kosovës duhet të punojnë më shumë në zbardhjen e rasteve të dorëzuara.

"Jam shumë i bindur që po të fillohet që korrupsioni të gjykohet, informatat do të jenë të dhjetëfishuara”.

“Pak qytetarë po e fitojnë kurajën të vijnë të dëshmojnë korrupsionin, sepse po dyshojnë se çka po ndodh në adresën e fundit. Në atë moment që do të ketë diçka konkrete, jam shumë i bindur që informatat do të jenë edhe më të shumta", u shpreh Preteni.

Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit pritet që në fillim të muajit mars të publikojë raportin komplet të vitit 2008. Sipas zyrtarëve të kësaj agjencie, aktualisht raporti është duke kaluar ne disa procedura të nevojshme.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG