Ndërlidhjet

logo-print

Pjesëtarët e TMK-së mbeten ende kandidatë për FSK


Pjesëtarë të TMK-së

Pjesëtarë të TMK-së

Komanda e KFOR-it në Kosovë ka njoftuar se "të gjithë kandidatët që nuk janë përzgjedhur, e të cilët i plotësojnë standardet minimale që kërkohen, akoma kanë mundësinë e përzgjedhjes për të shërbyer në Forcën e Sigurisë".



Të gjithë pjesëtarët e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, të cilët nuk kanë arritur që të përfshihen në Forcën e Sigurisë, do të kenë edhe një mundësi përzgjedhjeje, ka vendosur Komanda e KFOR-it në Kosovë.

Një qëndrim i tillë i Komandës së KFOR-it, i bërë publik përmes një komunikate me shkrim, ka pasuar fillimisht protestat e ish-pjesëtarëve të TMK-së, e më pas edhe një lloj solidarizimi me ta të institucioneve të Kosovës, të cilat e pranuan se kishin ndodhur edhe disa lëshime teknike në rastet e pranimit të pjesëtarëve të TMK-së në FSK.

Zëdhënësi i Forcës së Sigurisë, Enver Dugolli, tha sot se vendimi i KFOR-it që të jepet edhe një mundësi për pjesëtarët e diskualifikuar të TMK-së, paraqet një lajm të mirë. Kjo mundësi, sipas tij, nënkupton që pjesëtarët e diskualifikuar do të përfshihen në FSK në rastet kur ndonjë prej pjesëtarëve aktualë të kësaj force, do të largohet për arsye të ndryshme dhe nuk do t’i përballojë trajnimet, të cilat kanë filluar nga dita e sotme dhe po zhvillohen nën mbikëqyrjen e NATO-s.

“Do t’u jepet mundësi që në rast se dështon ndokush nga pjesëtarët e FSK-së në këto trajnime bazike ose për shkaqe individuale, ose për shkaqe tjera, që nuk mund t’i përballojë trajnimet, apo nuk dëshiron të vazhdojë tutje në FSK, atëherë në këso raste u jepet mundësia kandidatëve që kanë qenë afër kalimit të testeve, sipas KFOR-it, që ta provojnë veten në trajnimet fillestare, sikurse edhe pjesëtarët që e kanë marrë letrën e konfirmimit”, thotë Dugolli.

Ndërkohë, Adrian Mehmeti, zëdhënës i Këshillit protestues të ish-pjesëtarëve të TMK-së që nuk u pranuan në FSK, thotë se duhet të rishikohen edhe një herë edhe testet pranuese, pasi që parregullsitë, sipas tij, janë evidentuar dhe kjo është pranuar edhe nga vetë udhëheqësit e institucioneve vendore.

“Mendoj se gjatë procesit të vlerësimit ka pasur parregullsi të mëdha. Them se është dëshmuar dhe pranuar edhe nga institucionet tona, filluar nga ministri, kryeministri, kryeparlamentari, e po ashtu edhe nga presidenti i shtetit - është pranuar se ka pasur parregullsi dhe kërkohet rishqyrtimi i këtyre testeve”, thotë Mehmeti.

Ai shprehet i bindur se shumë pjesëtarë të TMK-së kanë treguar aftësi të mjaftueshme që të jenë pjesë e FSK-së, por mospranimi i tyre në FSK kishte ndodhur për shkak të parregullsive.

Kërkesat tona janë që të bëhet një rivlerësim, sepse jemi të vetëdijshëm që i tërë ai numër i TMK-së nuk ka mundësi që të kyçet në FSK, por ajo bërthamë që duhet të jetë, qoftë prej 200, 500 apo 1,000 vetash, të jetë bërthama më e mirë prej pjesëtarëve që kanë shërbyer prej kaq vitesh në TMK”, thekson Mehmeti.

Pjesëtarë të FSK-së
Sipas komunikatës me shkrim nga KFOR-i, “të gjithë kandidatët që nuk janë përzgjedhur, e të cilët i plotësojnë standardet minimale që kërkohen, akoma kanë mundësinë e përzgjedhjes për të shërbyer në FSK”. Sidoqoftë, mbetet të shihet nëse kërkesat e pjesëtarëve të diskualifikuar të TMK-së janë plotësuar në masën e kënaqshme.


Ndryshe, nga 2,800 kandidatët që kanë konkurruar nga radhët e TMK-së, pas seleksionimit, në FSK janë pranuar mbi 1,400 pjesëtarë. Në FSK janë përfshirë edhe 6.5 për qind e pjesëtarëve nga radhët e minoriteteve, si dhe nga aspekti gjinor rreth 3.5 për qind janë femra. Fillimisht kjo forcë do të ketë 2,500 trupa të rregullta dhe 800 rezervë, si dhe do të pajiset me një armatim të lehtë.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG