Ndërlidhjet

EULEX: Ka përgatitje për bisedime


Përgatitjet për bisedimet teknike mes Prishtinës e Beogradit i konfirmon misioni EULEX, zyrtarë të të cilit thonë se nëse ftohet, misioni i tyre do ketë vetëm rol teknik. Prishtina zyrtare i përjashton ato bisedime, ku nuk trajtohet si shtet i pavarur.


Derisa institucionet e Kosovës këmbëngulin se nuk do të hyjnë në dialog për çështje teknike me Serbinë, para se kjo e fundit ta trajtojë Kosovën si shtet të pavarur, misionet ndërkombëtare në Kosovë konfirmojnë se përgatitjet për këtë dialog janë në proces e sipër.

"Janë duke u zhvilluar bisedime në mes të komponentëve të ndryshëm, se si të aranzhohet ky dialog në të ardhmen",
i tha Radios Evropa e Lirë, Karen Limdal, zëdhënëse e EULEX-it.

UNMIK-u, sipas zëdhënësit Aleksander Ivanko, po pret përgjigjen nga Qeveria e Kosovës për një takim me shefin e UNMIK-ut, Lamberto Zannier, në të cilin ky i fundit do t'i njoftojë kosovarët në lidhje me takimin që ka zhvilluar në Nju Jork me kryediplomatin serb, Vuk Jeremiq. Takimi ka pasur për bazë bisedimet eventuale mes Prishtinës e Beogradit.

"Ne këtë mëngjes kemi kërkuar që të takohemi dhe tash po presim përgjigjen e Qeverisë", tha Aleksander Ivanko.

Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës nuk përjashtojnë mundësinë e takimit me Zannierin, por nuk e cilësojnë atë si takim që në agjendë do ketë dialogun me Beogradin. Zëdhënësi Memli Krasniqi shpjegon:

"Në vazhdën e takimeve të herëpashershme, besojmë se do të ketë takime (me Zannierin) këto ditë", tha Krasniqi.

Në bazë të planit për rikonfigurim të pranisë ndërkombëtare, shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, është ngarkuar që të ndihmojë bisedimet për çështje teknike mes Prishtinës dhe Beogradit.

Ndërkohë, vetë UNMIK-u aktualisht nuk e ka të qartë rolin e tij në këto bisedime, meqë kompetencat për çështjet që parashihen në planin e rikonfigurimit, tashmë ia ka transferuar EULEX-it.

Ndërkaq, misioni evropian për sundimin e ligjit përjashton mundësinë që të ketë rol udhëheqës në këto bisedime.

"Dua të theksoj se nëse na kërkohet që të luajmë ndonjë rol në këtë dialog, ai do të jetë i nivelit të pastër teknik, në mënyrë që të ofrohet ekspertizë në fushën e sundimit të ligjit", tha Karin Limdal.

Qeveria e Kosovës
Ndryshe, Qeveria e Kosovës shprehet se nuk do të pranojë hyrjen në bisedime, po qe se Kosova nuk trajtohet nga Serbia si shtet i pavarur.

Zëdhënësi Memli Krasniqi thotë se çdo përpjekje për të nisur dialog pa pasur për bazë parimin e barabarësisë, do të refuzohet.


"Besoj se Republikës së Kosovës nuk mund askush t'i imponojë asgjë. Kjo është bërë shumë e qartë edhe sa i përket diskutimeve për planin famoz 6-pikësh, i cili pikërisht për shkak të qëndrimit të Qeverisë, nuk është më ekzistent",
tha Krasniqi.

UNMIK-u, ndërkaq, kur flet për bisedimet teknike e merr parasysh planin 6-pikësh, i cili parasheh aranzhime të reja për doganat, policinë, drejtësinë, mbrojtjen e trashëgimisë fetare serbe dhe administrimin e vijës kufitare. Por, i tërë procesi i bisedimeve të mundshme teknike nuk është sqaruar saktë as nga institucionet vendase, e as nga ato ndërkombëtare.

Ibrahim Makolli, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës Kosova e Re, vë në pah atë që ai e quan jotransparencë.

"Sikurse shumë procese që kanë ndodhur në Kosovë, që janë zhvilluar në mënyrë jotransparente, edhe kjo përpjekje po shkon në vija të njëjta; mandej, në shumicën e rasteve edhe qytetarët po vihen para aktit të kryer. Ne si subjekt politik në Kuvendin e Kosovës nuk kemi asnjë njohuri për këto përgatitje a parapërgatitje", pohon Makolli.

Zyrtarisht ende nuk është saktësuar agjenda e bisedimeve, sikur që nuk dihet se kush do t'i organizojë dhe kush do të ndërmjetësojë - OKB si deri më tash, apo misioni i BE-së në Kosovë. Ndërsa, qëndrimi i Prishtinës dhe Beogradit zyrtar për këto bisedime mbetet diametralisht i kundërt.
XS
SM
MD
LG