Ndërlidhjet

Ndjenjat e depresionit në Davos


Davos, 28 janar 2009.

Davos, 28 janar 2009.

Gazetari Thomas Crampton i kaloi pesë ditë duke mbuluar Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Crampton i tha Radios Evropa e Lirë se për dallim nga tubimet e mëparshme në Davos, ky i sivjetmi i ka lënë një ndjenjë të "depresionit ekstrem".


Crampton thotë se ndjenja iu paraqit për shkak të shqetësimit të pjesëmarrësve rreth krizës globale financiare dhe dështimit të liderëve politikë për të ecur përpara me ngjarjet, si konflikti në Lindjen e Mesme.

Pesimizëm, frikë, zemërim, jo panik, por kujdes i skajshëm. Këto janë disa nga fjalët, të cilat gazetari Thomas Crampton thotë se do t'i përdorte për t'i përshkruar pesë ditët e Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

Në të kaluarën, Crampton ka raportuar nga Davosi për të përditshmet amerikane "New York Times" dhe "International Herald Tribune".

Por tash, duke punuar si korrespondent i lirë, Crampton thotë se kur mbërriti në Davos, atje gjeti një disponim krejt të ndryshëm.

Recep Tayyip Erdogan braktis debatin
"Kjo është hera e gjashtë që mora pjesë, por është hera e parë që njerëzit ishin aq të gjallëruar, kishte shumë aktivitete. Vladimir Putin e sulmoi gjigantin e kompjuterëve Dell, kur i tha ‘Nuk na duhet ndihma juaj’. Kryeministri i Turqisë Recep Tayyip Erdogan e braktisi debatin, sepse u ndie i privuar nga e drejta për t'iu përgjigjur presidentit izraelit, Shimon Peres. Për dallim nga vitet tjera, diskutimet ishin shumë më të nxehta", thotë Crampton.

Sa i përket ekonomisë globale, ai thotë se delegatët në Davos shprehën shqetësimin e tyre për të ardhmen.

"Në njëfarë mënyre, Davosi i tuboi elitat që e sollën botën në këtë krizë. Është ky ai karvani i liderëve financiarë, të cilët tubohen çdo vit në malet e Zvicrës. Ata folën për shumë shqetësime. A ka dyshime për ardhmërinë e kapitalizmit? Jo, por ka tepër brenga për ndikimet e mëtejme të krizës", thotë ai.

Crampton i tha Radios Evropa e Lirë se në tubimin e Davosit kishte ndjenjën se bota ndodhet në fillim të krizës globale financiare. Ai tha se këtë konkludim e nxori pasi intervistoi miliarderin George Soros.

"Ai kaloi mjaft kohë duke i shpjeguar teoritë e veta për tregjet financiare, që të shtyjnë të besosh se bota po hyn në një zonë të vështirë".



Crampton thotë se intervista e tij me Sorosin ishte vetëm edhe një shembull se sa e vështirë ishte të gjesh optimizëm në mesin e pjesëmarrësve në Davos.

"Ajo që më la shumë përshtypje, ishte pesimizmi i Sorosit për atë se ku jemi dhe si do të shkojmë përpara. Ai tha se nuk mund të përpiqemi të dalim nga kriza financiare duke i mbajtur standardet e njëjta. Perëndimi, tha Soros, duhet t'i konsiderojë masat radikale të sistemit financiar, që zbatohen në Kinë. Ai tha se kjo nuk është kohë normale dhe do të na duhen këto hapa radikalë",
vazhdon Crampton.

Crampton thotë se Forumi i sivjetmë në Davos do të mbahet në mend si ngjarje, në të cilën u fol shumë për problemet ekonomike dhe politike, por zgjidhja e tyre ende është shumë larg.
XS
SM
MD
LG