Ndërlidhjet

Ka apo s'ka votime familjare?


Pamje në Shkup

Pamje në Shkup

Partitë politike shqiptare kanë kundërshtuar pohimet se votimi familjar apo votimi për më shumë veta është dukuri e pranishme vetëm tek shqiptarët. Sipas BDI-së dhe PDSH-së, këto etiketime janë të qëllimshme, pasi Maqedonia, përveç kësaj dukurie të pranishme gjithandej, përballet edhe me shumë probleme tjera, si kërcënime, shantazhe e lloje të tjera te dhunës, të pranishme gjatë votimeve.


Partitë politike më të madha në Maqedoni janë zotuar se do të bëjnë gjithçka të mundur për të parandaluar votimin familjar që ka përcjellë thuajse të gjitha zgjedhjet, qofshin lokale, parlamentare apo presidenciale.
Por, partitë shqiptare si Bashkimi Demokratik për Integrim në pushtet, ashtu edhe Partia Demokratike Shqiptare në opozitë, kanë kundërshtuar ashpër pretendimet se votimi familjar është dukuri e pranishme vetëm në zonat shqiptare.

Kandidati për president shteti i BDI-së, Agron Buxhati, tha se shqiptarët qysh në zgjedhjet e para parlamentare në vitin 1990 kanë dëshmuar se janë për votime të lira dhe demokratike, andaj, sipas tij, nuk është e drejtë të jepen diagnoza të gabuara, por të respektohet ligji, dhe individë të caktuar që bëjnë keqpërdorime të tilla, të nxirren para drejtësisë.

“Nëse identifikohen fajtorët, të çfarëdo partie politike qofshin ato, të çfarëdo tendence qofshin ato, nëse identifikohen dhe vlen sundimi i ligjit, do të pamundësohen edhe këto dukuri. Nëse pretendohet se është tradicionale, pse në Shqipëri dhe Kosovë nuk ka dukuri të tilla? Andaj, etiketime apriori të drejtuara ndaj një komuniteti, duhet të hiqen dhe të diagnostifikohet problemi”,
tha Agron Buxhaku, nga BDI-ja.

Në anën tjetër, nënkryetari i PDSH-së, Mevlan Tahiri, tha se fatkeqësia qëndron në atë se me çdo kusht tentohet që të etiketohet një popull se nuk ka kulturë demokratike apo se nuk di të votojë. Tahiri tha se për këtë që po ndodh në zgjedhje, ka shumë fajtorë e jo faji të kërkohet vetëm te votimi familjar.

“Të gjitha rastet tjera ku kanë qenë evidente manipulimet dhe abuzimet, nuk ka pasur reagime nga institucionet e shtetit, i cili megjithatë ka instrumente për të penguar një gjë të tillë. T’i kushtoni më shumë vëmendje manipulimeve tjera që bëhen, shantazheve, kërcënimeve, blerjes së votuesve, blerjes së anëtareve të këshillave votues, meqenëse shuma marramendëse të mjeteve financiare qarkullojnë në periudhën zgjedhore”, tha nënkryetari i PDSH-së, Mevlan Tahiri.

Partitë politike maqedonase nga ana tjetër mendojnë se faji për praninë e dukurisë që një votues të votojë për më shumë persona, qëndron tek partitë politike, të cilat edhe inkurajojnë ithtarët e tyre ta bëjnë këtë vepër kundërligjore dhe antidemokratike.

“Nga zgjedhjet e fundit parlamentare u dëshmua se në Republikën e Maqedonisë ende ekzistojnë momente që pengojnë organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Çdo qytetar ka të drejtë për të dhënë votën lirshëm dhe pa frikësime, pasi një gjë e tillë pengon Maqedoninë të ecë rrugës së integrimit në strukturat euroatlantike”, tha Oliver Dukovski, nga VMRO-DPMNE.

Edhe Lidhja Social-demokrate kërkon dhënien fund të votimit familjar, ndërsa për të gjitha këto dukuri fajëson edhe institucionet shtetërore, që, sipas LSDM-së, të ndihmuara edhe nga parti të caktuara, lejojnë veprime të tilla kundërligjore.

“Opozita nuk do të ikë nga roli i saj që duhet të ketë, por mendoj se rolin kyç në këtë e ka Qeveria. Nuk duhet harruar se herën e kaluar shkelësit më të mëdhenj të procedurave ishin anëtarët e këshillave zgjedhorë, nëpunësit shtetërorë dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, tha Andrej Petrov, nga Lidhja Social-demokrate.

Debati për këtë çështje ishte organizuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, UNDP, në prag të zgjedhjeve lokale dhe presidenciale që do të mbahen më 22 mars.
XS
SM
MD
LG