Ndërlidhjet

Hija e UNMIK-ut në ligjet e Kosovës


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Një sërë ligjesh në Kosovë ende i referohen PSSP-së si autoritet më i lartë në Kosovë, e jo presidentit të vendit, siç parashihet me Kushtetutë. Ekspertët u rekomandojnë ligjvënësve që t’i ndryshojnë ligjet për t’u dhënë rolin e duhur institucioneve të vendit.

Shtatë muaj pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, në Kosovë ende ka ligje që burojnë nga Korniza Kushtetuese dhe të shpallura nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm.

Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi i Kuvendit parasheh që gjatë këtij viti t’i harmonizojë këto ligje me Kushtetutën e Kosovës. Megjithatë, zëvendëskryetari i këtij Komisioni, Adem Salihaj, thotë se e tëra varet nga propozimet që i bëjnë ministritë dhe komisionet parlamentare përkatëse.

"Se sa do të ndryshohet, varet shumë nga ministritë përkatëse, të cilat do të duhej të angazhoheshin për rishqyrtim dhe riplotësim për ligjet që kanë ardhur nga ministritë përkatëse", tha Salihaj.

Neni 145 i Kushtetutës së Kosovës parasheh që legjislacioni i aplikueshëm në ditën e hyrjes në fuqi të Kushtetutës, të zbatohet për aq sa të jetë në pajtueshmëri me Kushtetutën, derisa të mos shfuqizohet, zëvendësohet ose amendamentohet.

Eksperti për çështje juridike, Kujtim Kërveshi, pohon se një sërë ligjesh nuk janë në pajtueshmëri më Kushtetutën dhe si të tilla duhet që menjëherë të ndryshohen.

"Unë pyes përfaqësuesit tanë pse nuk i kanë zëvendësuar këto ligje, nëse thirren se Kushtetuta ka përparësi ndaj çdo akti tjetër të zbatueshëm në Kosovë, pse nuk janë zbatuar, pse p.sh. nuk është ndryshuar Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale që kanë rezervuar deri në një masë autoritetin e PSSP-së në Kosovë?! Gjithashtu pse nuk janë zgjeruar kompetencat e disa institucioneve, p.sh. Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor? Pse ndodh që ende punojmë me të njëjtën infrastrukturë ligjore të vjetruar?",
shprehet Kujtim Kërveshi.

Adem Salihaj pohon se në mbledhjen e sotme të Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi është shqyrtuar ndryshimi i Kodit Penal dhe i Procedurës Penale. Por, miratimi i ndryshimeve eventuale do të marrë kohë.

"Unë mendoj se kjo do të ndodhë diku kah fundi i vitit, sepse është shumë afër koha kur një herë kemi bërë ndryshime dhe përmirësime, dhe kah fundi i vitit do të rishikohen në aspektet që i kërkojnë zhvillimet aktuale në Kosovë", tha Salihaj.

Ndryshe, me infrastrukturën e vjetër ligjore në fuqi, sipas Kujtim Kërveshit, krijohet një konfuzion që i hap rrugë interpretimeve të ndryshme, por edhe kufizimit të rolit të institucioneve.

"Shumica e legjislacionit që është dashur të ndryshojë pas shpalljes së pavarësisë në Kosovë, që do të kufizonte p.sh. rolin e PSSP-së në Kosovë, nuk ka ndodhur. Do të thotë, juridikisht ne kemi disa akte jo shumë të fuqishme që subrimojnë autoritetin e UNMIK-ut në Kosovë, mirëpo një pjesë e legjislacionit ende është në fuqi dhe ende i referohet PSSP-së", thotë Kërveshi.

Sido që te jetë, Kosova, sipas juristëve, vazhdon të ketë probleme me infrastrukturën e saj ligjore. Shumë ligje të dekretuara nuk zbatohen në tërë territorin e Kosovës. Parashihet që EULEX-i, si mision për sundim të ligjit, të ndihmojë në këtë fushë. Por, edhe vetë EULEX-i nuk ka bërë të qartë asnjëherë se cilat ligje janë për të të aplikueshme, meqë misioni është shprehur të jetë neutral karshi statusit dhe se bazë legale ka Rezolutën 1244.
XS
SM
MD
LG