Ndërlidhjet

logo-print

Serbët paralajmërojnë protestë


Ura qendrore në Mitrovicë

Ura qendrore në Mitrovicë

Përfaqësues të katër komunave serbe në veri të Kosovës kanë paralajmëruar protestë dhe bllokim rrugësh për të kundërshtuar formimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe vendosjen e doganave të misionit të EULEX-it në veri.


Katër komunat serbe në veri të Kosovës kanë kundërshtuar njëzëri formimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, vendosjen e doganave të EULEX-it në veri dhe aplikimin e ligjeve dhe akteve shtetërore të Kosovës në pjesën veriore të Kosovës.

Për t’i arritur këto qëllime, serbët kanë paralajmëruar protestë në Mitrovicë më 10 shkurt, ndërsa nesër nga ora 11 deri në 12 do ta bllokojnë rrugën Prishtinë-Rashkë.

Këto qëndrime, përfaqësuesit serbë i kanë nxjerrë në seancat e jashtëzakonshme të asambleve komunale. Ata kanë vlerësuar se formimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës rrezikon mbetjen e serbëve dhe kthimin e të zhvendosurve të tjerë.

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq, ka njoftuar se këshilltarët e kësaj komune kanë kërkuar shpërbërjen urgjente të FSK-së dhe demilitarizimin e plotë të Kosovës, duke theksuar se me stërvitjen që KFOR-i i ka bërë kësaj force, ka tejkaluar përgjegjësitë e marra më 1999 nga ana e Kombeve të Bashkuara.

"Ajo çka neve na brengos, është se pjesëtarët e KFOR-it dhe të NATO-s po ndihmojnë edhe në formimin, edhe në pajisjen e këtij formacioni. Ajo që më së shumti na brengos dhe nuk mund ta pranojmë, është se KFOR-i direkt është pozicionuar në anën e shqiptarëve”.

“Këto ditë, edhe në komunat tona po mundohet që përmes këtyre fletushkave, t'i bindë përfaqësuesit, pjesëtarët serbë, të rinjtë tanë, që të marrin pjesë në atë që quajnë formacion të sigurisë. Ky formacion paraushtarak për ne është i papranueshëm. Dhe, sipas Rezolutës 1244, këtë pjesëtarët e KFOR-it duhet ta dinë, të gjitha formacionet paraushtarake duhet të çarmatosen", tha Milloviq.

Ndërsa, kreu i Kuvendit komunal serb të Mitrovicës, Miodrag Rakiçeviq, ka deklaruar se kjo komunë kundërshton ashpër vendimin e EULEX-it që të regjistrojë mallin që hyn nga Serbia në Kosovë përmes pikave kufitare në veri.

"Kuvendi komunal i Mitrovicës konsideron se vendosja e doganës në pikat administrative në Jarinë dhe Bërnjak nga ana e EULEX-it, është e papranueshme për serbët, se shkel marrëveshjen 6-pikëshe dhe tregon njëanshmërinë politike të EULEX-it për krijimin e një shteti tjetër në Ballkan",
tha Rakiçeviq.

Pika kufitare në Jarinë

Këshilltarët e Komunës së Zveçanit, ndërkaq, kanë konkluduar se janë plotësisht kundër aplikimit të ligjeve dhe akteve të shtetit të Kosovës në veri, ndërsa nga Ministria serbe për Kosovën kanë kërkuar që të bashkëpunojë më tepër me përfaqësuesit e pushtetit lokal.



"Këto ditë po dëgjojmë se pa kurrfarë paralajmërimi, pa marrëveshje me Beogradin dhe autoritetet lokale, në pikat administrative janë shfaqur doganierët e EULEX-it, të cilët po regjistrojnë mallin që hyn në Kosovë. Por, edhe ky është një nga hapat kah vendosja e doganave, që do të duhej të ishte unik. Ne e kundërshtojmë edhe këtë hap dhe nuk do të lejojmë kurrfarë dogane, nëse nuk ka marrëveshje me UNMIK-un, Beogradin, apo me ne",
tha Milloviq.

Të katër komunat veriore kanë dalë nga zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, të organizuara nga Qeveria e Serbisë në Kosovë, e të cilat nuk njihen si legjitime as nga institucionet vendëse, e as nga ato ndërkombëtare.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG