Ndërlidhjet

Zëvendësdrejtori i Trustit Pensional të Kosovës, Agron Krasniqi, thotë se vlera e aksioneve të kursimeve të kosovarëve ka rënë për 91 milionë e 250 mijë euro. Ai, rënien e aksioneve nuk e quan humbje.


"Këto humbje nuk janë të realizuara. Këto humbje do të mund të realizoheshin vetëm nëse merret ndonjë vendim për t'i kthyer apo për t'i tërhequr menjëherë investimet që janë bërë në instrumentet e caktuara",
thotë zoti Krasniqi.

Vetëm gjatë muajit tetor të vitit të kaluar, vlera e aksioneve ka rënë për 12.08 për qind, që paraqet gjysmën e nivelit të rënies së vlerës së këtyre aksioneve që nga fundi i 2007-ës.

Sipas zoti Krasniqit, përgjegjësinë për humbjet e këtyre parave nuk mund ta marrë askush. Ai thotë se politikat e investimeve, të cilat i merr Bordi, mbështeten në Ligjin për pensione.

"Nuk ka paragraf apo nen që garanton siguri 100 për qind të këtyre mjeteve, mirëpo ndërmerren të gjitha masat që këto mjete pensionale të shpërndahen në investime të ndryshme, qoftë në aksione, qoftë në depozita bankare", thekson Krasniqi.

Ndërkaq, ekspertë për çështje ekonomike, përgjegjës për humbjen e parave në një formë e quajnë Kuvendin e Kosovës, që ka neglizhuar zgjedhjen e Bordit të Trustit Pensional.

Emrat për Bord të Trustit Pensional të Kosovës i janë dërguar Kuvendit të Kosovës në shtator të vitit të kaluar, ndërkohë përfaqësuesit e Kuvendit deri më tani nuk kanë treguar se nuk i pranojnë emrat e propozuar.

Shpend Ahemti, ekspert për çështje ekonomike, thotë se pa zgjedhjen e Bordit nuk do të mund të ketë ndonjë vendim, i cili do të mund të ndikonte në përmirësimin e kësaj gjendjeje. Zoti Ahmeti konsideron se përgjegjës për humbjet e Trustit është Kuvendi i Kosovës.

"Kuvendi e ka përgjegjësinë fillestare, me të cilën e cakton edhe Bordin, edhe kërkon përgjegjësi nga të tjerët. Ne, si qytetarë të cilët kemi kursyer, momentalisht nuk kemi adresë se ku të ankohemi, përveç Kuvendit", thotë zoti Ahmeti.

Në anën tjetër, Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës ka kërkuar nga Banka Qendrore e Kosovës t'i shkëpusë kontratat e lidhura nga Trusti i Kursimeve Pensionale për investimin e mjeteve, në mënyrë që të ndërpriten humbjet e mëtutjeshme.

Lidhur me këtë çështje, përfaqësuesit e Bankës Qendrore të Kosovës nuk kanë qenë të gatshëm të prononcohen.

Ndryshe, pensionistët e vitit 2008 ishin të parët ata që i hetuan humbjet e vlerës së aksioneve të kursimeve të tyre, të investuara në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës. Mesatarisht 80 euro më pak i ka marrë çdo pensionist, i cili gjatë vitit të kaluar i ka tërhequr mjetet e tij të kursyera në Trust.

Trusti momentalisht ka rreth 267 mijë kontribuues, prej të cilëve rreth 5 mijë janë pensionuar dhe i kanë tërhequr kursimet e tyre me humbjet e regjistruara.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG