Ndërlidhjet

Fundi i jetës luksoze?


Presidenti amerikan, Barack Obama, ka paralajmëruar se udhëheqësit e kompanive financiare që kanë përfituar nga fondet e shpëtimit, nuk do të lejohen të fitojnë më shumë se 500 mijë dollarë në vit. Vendimi pason zemërimin e opinionit për udhëheqësit e kompanive që kanë përfituar nga shpërblime të mëdha financiare, përkundër performancave të dobëta në biznes. Rregullat e reja mbase do të nxisin shkurtime të mëdha në paga, por a do të kenë ato ndikim në ekonominë amerikane?


Vendimi i administratës së zotit Obama për të kufizuar të ardhurat e disa udhëheqësve të korporatave, është i paprecedent, por jo edhe i papritur.

Javën që shkoi, Obama etiketoi bankierët në Wall Street si "të turpshëm", se kanë lejuar të shpërblejnë vetveten me rreth 20 miliardë dollarë bonuse gjatë vitit 2008, ndërkohë që ekonomia përballej me dështim dhe qeveria shpenzonte miliarda dollarë të tjerë për të shpëtuar disa nga kompanitë më të mëdha.

Presidenti Obama tha se ata që janë duke luftuar për t’i ruajtur vendet e punës dhe shtëpitë, kanë çdo të drejtë për të qenë të zemëruar.

Presidenti Barack Obama

"Ajo që i zemëron njerëzit, me të drejtë, janë udhëheqësit ekzekutivë që shpërblehen për dështimin e tyre, veçanërisht kur ato shpërblime financohen nga taksapaguesit amerikanë, shumë prej të cilëve po përballen me një kohë të vështirë",
ka thënë zoti Obama.



Një nga firmat financiare, të cilës i është dhënë ndihma prej 25 miliardë dollarësh, Wells Fargo, kishte planifikuar një ditë më parë t'i falënderonte punëtorët kryesorë me një qëndrim luksoz në hotelet e Las Vegasit. Me të dëgjuar lajmin e fundit, plani u anulua.

Paga prej 500 mijë dollarësh në vit është një pjesë e vogël e asaj të cilën menaxherët dhe udhëheqësit e kompanive janë mësuar ta marrin në Shtetet e Bashkuara. Të ardhurat e tyre zakonisht arrijnë deri në disa milionë dollarë, duke përfshirë këtu avionët privatë, makinat luksoze, aksionet dhe bonuset e mëdha të fundvitit.

Udhëheqësi ekzekutiv i kompanisë së makinave Chrysler, Rick Wagoner, është paguar më shumë se 14 milionë dollarë në vitin 2007.

Por, çfarë do të thotë ky hap për ekonominë? Rebecca Blank, një ekonomiste e cila punon në Institutin Brookings në Washington, thotë se vendimi nuk do të ketë shumë ndikim.

Megjithatë, ajo thotë se në këtë klimë ekonomike, kufizimet në paga tek kompanitë që kanë përfituar nga ndërhyrja e administratës, janë të arsyeshme.

"Unë kam një simpati për idenë se nëse këto kompani do të marrin të holla nga buxheti për të mbijetuar, atëherë kërkesa që një udhëheqës ekzekutiv të mos paguhet më shumë se presidenti amerikan, mund ose s'mund të ketë kuptim, por realisht në vete ka një simbolikë që është e rëndësishme për të kuptuar se ç’do të thotë një fond shpëtimi", thotë zonja Blank.

Këtë ndoshta më së shpejti e ka kuptuar Banka Amerikane, udhëheqësi i së cilës më 2007 ka fituar në të ardhura 20 milionë dollarë. Pas lajmit nga Shtëpia e Bardhë, Banka paralajmëroi shitjen e tetë avionëve të saj dhe një apartamenti në New York.
XS
SM
MD
LG