Ndërlidhjet

Model i ri për decentralizimin e Mitrovicës


Mitrovica

Mitrovica

Përfaqësues të Ministrisë së Pushtetit Lokal pritet të hartojnë një model të ri për decentralizmin e Mitrovicës, por thonë se zbatimi i çfarëdo plani mund të ndodhë vetëm me pjesëmarrjen e serbëve.



Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me Zyrën Civile Ndërkombëtare, është duke formuar ekipet përgatitore që do të merren me dizajnimin e modeleve për decentralizmin e komunave. Këtë e bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë, ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, i cili tha se modeli i decentralizmit të Mitrovicës do të dallojë nga plani që ishte paraparë me pakon e presidentit Ahtisaari.

Ky dokument parashihte që Komuna e Mitrovicës të përbëhej nga dy njësi administrative - ajo e jugut dhe ajo e veriut, e të cilat do të funksiononin nën administrimin e një zyrtari ndërkombëtar për një periudhë 120 ditëshe, por Ferati thekson se ministria që ai udhëheq, brenda dy javësh do të dalë me një model të ri për decentralizimin e Mitrovicës.

Sadri Ferati
"Tani ajo është pjesë e pakos dhe pikërisht tani është prioritet i punëve tona dhe jemi duke diskutuar se si do ta krijojmë modelin tonë rreth Mitrovicës. Unë po shpresoj se brenda dy javëve të ardhshme ne do të dalim në opinion me komplet konceptin tonë se si do të ecet më tutje me Mitrovicën",
tha Ferati.

Një pjesë e madhe e banorëve serbë të veriut të Mitrovicës kishin kundërshtuar procesin e decentralizimit, si dhe procese të tjera ku kërkohej bashkëpunimi me institucionet e shtetit të Kosovës.

Ministri Ferati konsideron se për të implementuar çfarëdolloj plani për decentralizmin e Mitrovicës, do të jetë e nevojshme pjesëmarrja e serbëve kosovarë. Sipas tij, planet për decentralizmin e komunave në Kosovë, përfshirë dhe Mitrovicën, nuk mund të zbatohen para zgjedhjeve të ardhshme lokale, të cilat janë parashikuar të mbahen në vjeshtën e këtij viti.

"Pa një bashkëpunim të qytetarëve dhe liderëve të atij komuniteti, nuk do të jetë e mundshme. Nëse mungon vullneti dhe ata nuk dëshirojnë të dalin në zgjedhje dhe me të formojnë komunën e re - kuptohet se ajo nuk mund të ndodhë. Ne mund të krijojmë struktura të përkohshme, si për shembull një administratë të përkohshme të Mitrovicës, pastaj ekipet përgatitore nëpër komuna të tjera, por struktura e mirëfilltë komunale mund të dalë vetëm në zgjedhjet e lira", u shpreh ministri Ferati.

Ekspertët për decentralizim, ndërkohë, thonë së decentralizmi i Komunës së Mitrovicës është e vetmja mundësi për të shtrirë autoritetin e institucioneve të Kosovës atje.

Eksperti Arben Gashi vlerëson se gjatë decentralizimit të Komunës së Mitrovicës, ekzekutivi kosovar nuk duhet të hyjë në marrëveshje të reja në këtë drejtim.

Arben Gashi
"Nuk duhet të lejohet që të hapet përsëri kutia e Pandorës dhe të dalin probleme, të cilat realisht mund të rrezikonin tërësinë territoriale të Kosovës. Andaj, unë mendoj se procesi i decentralizimit duhet të implementohet siç është dakorduar me bashkësinë ndërkombëtare dhe të mos krijohet më hapësirë për rinegocim apo rihapje të diskutimeve për këtë çështje",
konsideron Gashi.

Procesi i decentralizimit të komunave të Kosovës parasheh reforma në pushtetin lokal, bartje të përgjegjësive nga institucionet qendrore në ato komunale në fushat e administratës, arsimit, shëndetësisë, si dhe krijimin e komunave të reja, kryesisht komuna me shumicë serbe.

Tani për tani, Kosova ka 30 komuna. Me ligjin e ri për kufijtë administrativë parashihet që të ketë 38 komuna. Prej këtyre, do të jenë 10 komuna me shumicë serbe dhe një komunë me shumicë turke.
XS
SM
MD
LG