Ndërlidhjet

logo-print

Përgatitjet për zgjedhje


Kuvendi i Maqedonisë

Kuvendi i Maqedonisë

Institucionet në Maqedoni preokupim kryesor kanë mbarëvajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe lokale që do të mbahen më 22 mars. Përkundër zotimeve dhe masave që kanë ndërmarrë për zgjedhje të lira dhe demokratike, ekspertët nuk besojnë se do të arrihet të evitohen parregullsitë e zgjedhjeve të para një viti, në të cilat përveç dhunës dhe falsifikimeve, kishte edhe të vrarë.


Drejtuesit e institucioneve shtetërore, e në veçanti ata të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, thonë se po bëjnë gjithçka për të organizuar një proces zgjedhor sa më demokratik më 22 mars, kur votohet për presidentin e ri të shtetit dhe pushtetin lokal.

“Më 22 mars duhet të zhvillohen zgjedhje të lira dhe demokratike. Këto janë parimet, për realizimin e të cilave të gjithë po angazhohemi. Shumë herë e kemi thënë se këto zgjedhje janë tepër të rëndësishme për Maqedoninë, për integrimin, liberalizimin e regjimit të vizave, për marrjen e datës për bisedime për integrim në Bashkimin Evropian”, tha ministri i Drejtësisë, Mihajllo Manevski.

Por, jo vetëm kaq. Sipas tij, ka edhe diçka tjetër:

“Qytetarët e Maqedonisë duhet të jetojnë në një shtet ku respektohen ligjet. Ata duhet të mbrohen nga dhunuesit, nga ata që duan ta prishin procesin zgjedhor”, tha ministri Mihajllo Manevski.

Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme, kohë më parë, ka paralajmëruar se do të jetë shumë e rreptë ndaj të gjithë atyre që tentojnë ta prishin imazhin e shtetit përmes incidenteve në zgjedhje, por ende e mban në fshehtësi planin operativ që do të zbatohet vetëm gjatë fushatës elektorale dhe në ditën e zgjedhjeve.

Ndërkohë, ekspertët thonë se sikur të merreshin masa edhe në zgjedhjet e fundit, nuk do të vinin situata që tani i gjithë opinioni të ngarkohet me paralajmërime të përditshme se duhet të ketë zgjedhje të lira, se ndryshe do të pësojnë të gjithë.

Osman Kadriu, ekspert për çështje juridike, shprehet pesimist se gjithçka do të kalojë në atmosferë demokratike.

“Ajo çka ndodhi vitin e kaluar, nuk na jep shumë shpresë se në këto zgjedhje do të eliminohen të gjitha ato dukuri që ndodhën atëherë, e të cilat përfunduan me të vrarë dhe çuan edhe në njollosjen e sistemit juridik dhe politik të Maqedonisë, jo vetëm brenda, por edhe jashtë shtetit. Por, dhëntë Zoti që të mos realizohet ajo që them unë”, u shpreh Kadriu, duke thënë se këtë e mbështet edhe në njoftimet e përditshme për punësimet që po bëhen në baza partiake, të cilët në të gjitha ciklet zgjedhore kanë qenë shkelësit më të mëdhenj, pasi vetëm në këtë mënyrë, sipas tij, mendojnë se arsyetojnë vendimin e punës.

Eksperti Kadriu thotë se është vështirë të eliminohen të gjitha mangësitë, por, siç shprehet, do të ishte e mirëseardhur që ato të jenë minimale.

“Sistemi i Maqedonisë ka mjaft mekanizma juridikë, që nëse janë në nivel të detyrës, mund të marrin masa që të mund të eliminohen ose të jenë në nivel tolerues të dukurive negative, se ato si të tilla asnjëherë nuk mund të eliminohen në tërësi, sepse gjëra të tilla do të ketë gjithmonë”, tha Osman Kadriu.
XS
SM
MD
LG