Ndërlidhjet

logo-print

Bllokadë rrugësh në veri


Pika kufitare Jarinë - foto arkiv

Pika kufitare Jarinë - foto arkiv

Serbët e veriut kanë bllokuar sot trafikun rrugor në tri lokalitete në kufirin Kosovë-Serbi, në shenjë proteste ndaj formimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, vendosjes së doganave të EULEX-it në veri dhe aplikimin e ligjeve dhe akteve shtetërore të Kosovës.


Rreth dy mijë serbë kanë bllokuar sot për një orë rrugët në pikat 1 dhe 31 në kufirin Kosovë-Serbi, si dhe rrugën rajonale Prishtinë-Rashkë, në vendin e quajtur Rudarë.

Ky veprim pasoi vendimin e djeshëm të katër komunave veriore serbe, të cilat njëzëri kërkuan shpërbërjen e FSK-së, mosaplikimin e ligjeve të Kosovës në veri, si dhe kundërshtuan, siç e quajtën, veprimin e njëanshëm të EULEX-it në pjesën veriore të Kosovës.

Serbët kritikojnë vendimin e fundit të EULEX-it për t’i regjistruar të gjitha mallrat që hyjnë nga Serbia në Kosovë përmes pikave kufitare 1 dhe 31.

Kreu i Komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq, ka deklaruar se serbët e veriut të Kosovës nuk do të lejojnë vendosjen e doganave mes Kosovës dhe Serbisë.

"Qytetarët e Zveçanit janë mbledhur sot në shenjë proteste ndaj formimit të së ashtuquajturës Forcë e Sigurisë së Kosovës dhe në shenjë kundërshtimi ndaj përpjekjeve të njëanshme të EULEX-it, që pa pajtimin e Beogradit dhe pa pajtimin tonë, të vendosë doganat në Jarinë dhe Bërnjak. Ky është një paralajmërim, që nuk do të lejojmë të ngritet FSK-ja dhe nuk do të lejojmë dogana me shtetin tonë amë", tha Milloviq.

Serbët e grumbulluar kanë mbajtur parullat si: "Jo kufijve me Serbinë" dhe "Stop FSK-së".

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, i tha Radios Evropa e Lirë se protesta ka kaluar pa incidente.

"Marrë parasysh rrjedhën e protestës, rruga për qarkullim rrugor ka qenë e bllokuar nga ora 11 deri në 12 . Protesta është regjistruar të jetë e qetë dhe ka kaluar pa incidente. Në Leposaviq janë tubuar rreth një mijë persona, në magjistralen Leposaviq- Mitrovicë, përkatësisht në Rudarë, janë grumbulluar rreth 600 persona, dhe në Zubin Potok - 250 gjithsejtë të tubuar në këtë protestë, që ka përfunduar e qetë rreth orës 12",
bëri të ditur Hoti.

Ndryshe, serbët kanë paralajmëruar mbajtjen e një proteste tjetër më 10 shkurt. Kreu i të ashtuquajturit qark i Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq, ka thënë protesta do të mbahet nën sloganin "Vetëm bashkimi i shpëton serbët", slogan ky që, sipas serbëve, përdoret si thirrje kundër dominimit të huaj dhe ndarjes kombëtare.

"Unë e shfrytëzoj këtë rast që sërish t'u apeloj forcave ndërkombëtare të sigurisë që të përmbahen nga propagandimi për të ashtuquajturën FSK, por të punojnë në kuadër të mandatit të tyre dhe të ofrojnë siguri për të gjithë qytetarët",
tha Nedelkoviq.

Protesta do të jetë e drejtuar edhe kundër vendimit të misionit evropian për sundimin e ligjit EULEX, që të funksionalizojë pikat doganore në Jarinë dhe Zubin Potok, të cilat qenë djegur nga serbët lokalë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Që nga ajo kohë, doganat nuk kanë funksionuar në veri, duke i shkaktuar Buxhetit të Kosovës humbje prej dhjetëra miliona eurosh.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG