Ndërlidhjet

Përkundër reformave të bëra në sistemin e arsimit në Kosovë, cilësia në këtë aspekt, sipas ekspertëve për çështje të arsimit, vlerësohet të jetë nën nivelin e duhur dhe që duhet të merren hapa të shpejtë në përmirësimin e kësaj gjendjeje. Megjithatë, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë thonë të kundërtën.


Reformimi i arsimit që ka për qëllim afirmimin e dijes, me dimensionet e saj specifike intelektuale, kulturore, sociale, shkencore dhe teknologjike, nuk ka shënuar progres të dukshëm në Kosovë.

Përveç tjerash, ekspertë për çështje të arsimit thonë se cilësia e dobët e arsimimit të kosovarëve po paraqet problem edhe në investime të huaja, të cilat do të ishin më se të domosdoshme në Kosovë.

Eksperti për çështje të arsimit, Dukagjin Popovci, thotë se mundësia e vetme është që njerëzit e zhvilluar si duhet, të tërheqin investime, situatë kjo që, sipas tij, aktualisht nuk është në Kosovë. Sipas tij, në Kosovë aktualisht nuk ka njerëz të kualifikuar, të cilët do të mund të kryenin punë, të cilat do t'u përcaktoheshin.

"Ne tashmë në Kosovë kemi një papunësi të madhe. Në anën tjetër, kemi konkurse të shumta që nuk paraqitet askush dhe paraqiten njerëz që nuk kanë kualifikim adekuat", thotë zoti Popovci.

Zoti Popovci thekson se investitorët e huaj më shumë do të investonin në vendet e rajonit, pasi që niveli i arsimit është në nivel shumë më të lartë sesa në Kosovë.

Ndër të tjera, eksperti për çështje të arsimit thekson se edhe përkrah disa të arriturave, reformimi në arsim ka shënuar ngecje. Ai u rekomandon institucioneve të Kosovës që gjatë periudhës së ardhshme të përcjellin progresin e reformave, pasi që kjo është një punë, e cila nuk është duke u bërë.

"Bëhen disa veprime të caktuara, disa ndryshime të caktuara, qoftë të programit të teksteve mësimore, futen mënyra të reja të vlerësimit, mirëpo nuk studiohen sa duhet efektet e tyre", thotë Popovci.

Ministria e Arsimit

Në anën tjetër, zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, dhe Teknologjisë, Agim Hyseni, thotë se janë duke vazhduar me reformimin e të gjitha niveleve arsimore dhe aftësuese, në mënyrë që të ketë një sistem të integruar arsimor, që iu përgjigjet nevojave shoqërore dhe ekonomike të Kosovës.



Zoti Hyseni thotë se gjatë reformave, të cilat aplikohen në vazhdimësi, kanë hasur në vështirësi të mëdha.

"Ndërlidhja e teorisë me praktikën është sfidë e madhe, madje edhe për vendet e zhvilluara, por këtë e bëjmë duke qenë të vetëdijshëm se kemi pasur ngecje në këtë fushë për arsye të njohura", potencon zoti Hyseni.

Ndryshe, një ndër parakushtet për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian është edhe reforma në arsim. Lidhur me këtë, Abdullah Alija, këshilltar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, thotë se në këtë fushë Kosova është shumë afër integrimit në hapësirat evropiane.

"Në fushën e implementimit të reformave që dalin si kërkesë nga procesi i Bolonjës, Kosova qëndron mirë. Jemi në rrugën e duhur dhe shumë afër që të jemi pjesë e BE-së, jo në aspektin gjeografik, por në cilësinë e arsimit", vlerëson Alija.

Megjithatë, sa i përket cilësisë së dobët në arsim, ku ekspertë për çështje të arsimit janë mjaft kritikë, zoti Alija thotë se në bazë të strategjisë për zhvillimin e arsimit 2005- 2015, janë duke zbatuar objektivat strategjikë të këtij dokumenti, i cili do të ndihmojë në ngritjen e cilësisë në arsim.

"Arsimi është një ndër prioritetet e Qeverisë, ndërkaq viti 2009 nga Qeveria e Kosovës është shpallur vit i cilësisë në arsim. Kosova ka parakushte të nevojshme që të bëhemi të krahasueshëm me vendet tjera", tha ai.

Ndryshe, reformimi i sistemit arsimor në Kosovë është në pajtim me procesin e transformimit në arsim, që drejtohet nga Pakti i stabilitetit, respektivisht nga Këshilli i përgjithshëm i bashkëpunimit, me seli në Sarajevë.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG