Ndërlidhjet

“A do të hapet Pakoja Ahtisaari?”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EXPRESS
Kemi nevojë të punojmë për të zbatuar Raportin e Sekretarit Ban Ki-Moon. Ai raport përmban planin 6-pikësh, katër pikat e Prishtinës dhe shumë elemente tjera - siç janë personat e pagjetur, kthimi, situata në veri etj. Nuk do të ketë bisedime teknike, por bisedime në nivel teknik. Ato mund të nisin qysh javën e ardhshme me trashëgiminë ortodokse. Nuk ka vetëm një udhëheqës ndërkombëtar të këtij procesi. Bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit, të shumëpërfolura javëve të fundit, nuk janë proces i bisedimeve teknike, por proces i bisedimeve në nivel teknik, ku do të përfshihet jo vetëm UNMIK-u, por shumë lojtarë ndërkombëtarë. Gjatë këtij procesi do të bisedohet për të zbatuar Raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, për Kosovën, që ishte përshëndetur nga Këshilli i Sigurimit në nëntor 2008. Në një intervistë për Express, shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, thotë se nuk ka nevojë për udhëheqës të këtij procesi. “Nuk mendoj se ka nevojë për lider të procesit. Do të ketë njerëz të ndryshëm, që do të bisedojnë me bashkëbisedues të ndryshëm në bazë të mandateve individuale”, ka thënë ai...

ZËRI
Gjasat për rishikim të procesit të seleksionimit për pranim në FSK dhe ndreqje të “gabimeve teknike” janë gati kurrfarë. Premtimeve se do të bëhet një zgjidhje, pjesëtarët e TMK-së nuk u besojnë më. Dhe, prej sot u kthehen protestave. Madje, me kërkesa të radikalizuara. Tani ata nuk mblidhen më në qendër para qeverisë, por para ish-ndërtesës së SHP të TMK-së, ku ëhstë i vendosur Shtabi i Përgjithshëm dhe ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Dhe, kërkesa e vetme e protestave që fillojnë sot dhe paralajmërohet të vazhdojnë ditëve të ardhshme, është dorëheqja e parevokueshme e tre zyrtarëve më të lartë të FSK-së. Ish-oficerët e TMK-së kërkojnë dorëheqjen e ministrit të FSK-së, Fehmi Mujota, komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimit, dhe zëvendëskomandantit gjeneralmajor Rrahman Ramës, të cilët i shohin të implikuar negativisht në bordet selektuese që rezultuan me përzgjedhjet problematike të oficerëve të FSK-së...

INFOPRESS
Parlamenti Evropian ka inkurajuar vendet e BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë këtë. Parlamenti Evropian, me 424 vota për dhe 133 kundër, të enjten ka miratuar një rezolutë për Kosovën, nëpërmjet të cilës ka përshëndetur vendosjen e suksesshme të EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe në veri të Ibrit, duke përsëritur kundërshtimin e mundësisë së copëtimit të Kosovës. Në rezolutë po ashtu theksohet se “marrëveshjet kalimtare midis OKB-së dhe Qeverisë së Serbisë duhet të rishqyrtohen, në dritë të zhvillimeve në terren, kur EULEX t’i arrijë aftësitë e plota operacionale”. Parlamentarët evropianë u shprehen optimistë për përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë dhe ftuan qeverinë të promovojë bashkekzistencën dhe dialogun mes komuniteteve...

KOSOVA SOT
Forcat e opozitës parlamentare kanë mirëpritur emërimin e kreut të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, duke e vlerësuar si një zhbllokim të procesit në fillimin e konsolidimit të këtij mekanizmi mjaft të rëndësishëm. Emërimi në këtë post i Bashkim Smakajt, pjesëtar i Policisë së Kosovës, për forcat opozitare konsiderohet si hap i mirë, duke marrë parasysh kërkesat e vazhdueshme që ky post të jetë apolitik. Por, partitë opozitare njëkohësisht u shprehen të pakënaqura për moskonsultime paraprake rreth emërimit... Nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Makolli, ka përshëndetur vendimin e presidentit dhe kryeministrit, duke rikujtuar qëndrimin e tij të mëhershëm që në krye të kësaj agjencie të vihet ndonjë figurë nga SHP dhe që nuk është militant politik... Ndërkaq, nënkryetarja e LDD-së, Besa Gaxherri, e vlerësoi si një hap shumë të mirë lëvizjen e fundit të presidentit dhe kryeministrit në emërimin e kreut të AKI-së. Ndonëse për Bashkim Smakajn për herë të parë ka dëgjuar mbrëmë në medie, për Gaxherrin nuk është një porosi e mirë, pasi, siç tha, po jepet një imazh se Kosova nuk ka persona të njohur që kanë përvojë në këtë drejtim...

EPOKA E RE
Nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu, në një intervistë për “Epokën e re”, iu ka dërguar selam të gjithë atyre që po i “hanë” fjalët. “Po, natyrisht se ka pasur marrëveshje. Vendimi i zgjedhjeve për mandat katërvjeçar është pjellë e atij konsensusi të plotë të partive politike”, ka thënë Kryeziu. Përndryshe, ai ka theksuar se marrëveshje të shkruar me firma nuk ka pasur, por thjesht ekzistojnë proces-verbalet dhe se askush nuk e ka kontestuar mandatin kushtetues. “Unë, po të isha në pozicionin e tyre, nuk do t’i haja fjalët”, ka thënë Kryeziu, duke shtuar se kërkesa e opozitës për të kërkuar zgjedhje të parakohshme është legale, por se sa do të plotësohet, është çështje tjetër. “Është normale që opozita të kërkojë zgjedhje të parakohshme. Por, mandati është i tillë dhe ditën e mirë”, iu është drejtuar Eqrem Kryeziu atyre që po kërkojnë zgjedhje...

BOTA SOT
Kryeministri Hashim Thaçi ka bërë të qartë edhe një herë se roli i UNMIK-ut është në përfundim e sipër dhe i përket së kaluarës, përderisa theksoi se autoritetet e Kosovës do t’i marrin përgjegjësitë e tyre në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ai i bëri këto komente pas takimit me Komisarin e lartë për pakica kombëtare i OSBE-së, Knut Volejbek. “Roli i UNMIK-ut i takon së kaluarës. Autoriteti dhe përgjegjësitë e Prishtinës janë në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Republikës sonë dhe ne, si autoritetet e Prishtinës, si autoritete shtetërore, do t’i marrim vetëm ato përgjegjësi që dalin nga vullneti i qytetarëve të Kosovës dhe në autoritet e me kompetenca të plota kushtetuese shtetërore”, tha Thaçi. Kreu i ekzekutivit e ka njoftuar ambasadorin Volejbek për zhvillimet e reja në Kosovë...

LAJM
Siç ka ardhur, ashtu edhe është kthyer. Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, nuk ka mundur, madje as që ka insistuar, t’i bindë liderët kosovarë që të hyjnë në një proces të ri bisedimesh me Serbinë, për çështjet që dalin nga plani gjashtëpikësh i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon. Qëndrimi i autoriteteve kosovare ka mbetur i pandryshuar. Ky plan gjashtëpikësh, sipas tyre, është i vdekur. “S’mund të ketë kurrfarë negociatash me Serbinë për çështjen e statusit dhe sovranitetin e vendit. Nuk kemi thënë se jemi kundër dialogut në kuptimin relaksues, por jo për çështje të statusit. Prandaj, nuk di të marrim për bazë askënd që mundohet të ndërmjetësojë çështjen e statusit të Kosovës”, tha presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, pas takimit me shefin e administratës së OKB-së në Kosovë...

KOHA DITORE
Çështja e trashëgimisë kulturore dhe historike pritet të jetë tema e parë që do të diskutohet ndërmjet përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, në kuadër të fillimit të bisedimeve teknike, i cili është planifikuar të ndodhë “këto ditë”, kanë bërë të ditur të enjten burime ndërkombëtare të gazetës. “Ftesat për takim tanimë u janë dërguar palës kosovare, asaj serbe dhe të gjitha palëve ndërkombëtare të përfshira në Kosovë”, ka thënë ky zyrtar, i cili ka preferuar të mbetet anonim. Ai ka bërë të ditur se takimi ëhstë paraparë të mbahet në Prishtinë brenda pak ditësh dhe do të jetë në nivel ekspertësh. Ish-negociatorët kosovarë në bisedimet e Vjenës kanë tërhequr vërejtjen se trashëgimia kulturore dhe historike është adresuar në njërin nga anekset e pakos së Ahtisaarit dhe se intervenimi në të do të nënkuptonte zhbërjen e marrëveshjes. Megjithëkëtë, autoritetet kosovare mbesin këmbëngulëse se pakoja assesi nuk dot hapet...
XS
SM
MD
LG