Ndërlidhjet

Ekspertë për çështje sigurie konsiderojnë se Agjencia Kosovare për Inteligjencë ka përpara sfida shumë të mëdha, duke filluar nga përballja me sigurinë e brishtë, krimin e organizuar, kontrabandën, e deri te terrorizmi ndërkombëtar.


Agjencia Kosovare për Inteligjencë, drejtori i së cilës u emërua këtë javë, sipas ekspertëve për çështje të sigurisë, ka përballë shumë sfida.

Fillimisht rekomandohet krijimi sa më i shpejtë i strukturës së kësaj agjencie dhe përzgjedhja e njerëzve profesionistë dhe apolitikë.

Eksperti Ramadan Qehaja konsideron se Kosova është vonuar mjaft shumë në krijimin e kësaj agjencie, duke bërë që problemet nga fusha të ndryshme të thellohen.

Ramadan Qehaja
“Jemi në një situatë mjaft të brishtë të sigurisë në disa pjesë të territorit të Kosovës. Edhe gati një vit pas pavarësisë, nuk kemi qenë në gjendje ta rikthejmë kontrollin në pjesën veriore të Kosovës. Mandej, jemi dëshmitarë se një numër mjaft i madh i shërbimeve informative të huaja është prezent këtu në Kosovë, sidomos në kohën e fundit, posaçërisht ai serb, qoftë ushtarak apo civil”,
tha Qehaja.

Këtë javë, presidenti dhe kryeministri i vendit emëruan së bashku Bashkim Smakajn - drejtor të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Smakaj, pas marrjes së detyrës, është zotuar se agjencia do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe do të jetë e hapur për të gjitha komunitetet.

Eksperti për çështje të sigurisë, Naim Maloku, numëron disa nga sfidat më të mëdha që ka përballë agjencia, në krye me zotin Smakaj.

“Në vend të parë kisha vënë luftën kundër krimit të organizuar, kontrabanda, terrorizmi ndërkombëtar - mos të lejohet që Kosova të bëhet një pikë mbështetëse, duhet të punohet vazhdimisht që Kosova të mos bëhet pikë mbështetëse - pastaj, bashkëpunimi me agjencitë dhe shërbimet, qoftë mbështetëse të rajonit ose edhe me shtetet kryesisht të BE-së dhe SHBA-të”, shprehet Maloku.

Situata e rëndë ekonomike dhe sociale, sipas Ramadan Qehajës, paraqet një tjetër problem, që mund të çojë në përshkallëzimin e situatës së sigurisë. Për këtë arsye, sipas Qehajës, Agjencia Kosovare e Inteligjencës duhet të marrë parasysh shumë faktorë, në mënyrë që të mos lejojë prishjen e qetësisë.

“Janë disa elemente shumë sinjikative që mund të ndikojnë në përkeqësimin e situatës së sigurisë. Nëse kësaj ia shtojmë edhe varfërinë, bile edhe të skajshme, e cila është duke u shtuar, pakënaqësitë tek popullata që janë në këtë drejtim dhe ekstremizmet fetare, siç janë sektet e ndryshme që tentojnë të përfitojnë në këtë situatë, atëherë mund të themi se shërbimi sekret i yni, që është në fazën shumë të hershme të formimit të tij, do të ketë punë shumë të mëdha në Kosovë, aq më parë që rrezikshmëritë nga brenda dhe nga jashtë janë shumë të mëdha ndaj shtetit të Kosovës”,
thekson Qehaja.

Qehaja përmend si rrezik potencial ngjyrimin politik të kësaj agjencie. Ai përmend rrezikun e përfshirjes së shërbimeve informative partiake në këtë agjenci.

Në këtë kuadër, edhe Naim Maloku i rekomandon drejtorit Bashkim Smakaj që të mos bie në grackë të grupeve të ndryshme të interesit apo partive politike.

Naim Maloku
“Duhet ta dijë i pari i kësaj agjencie që puna e tij do të jetë me ndikim jashtëzakonisht të madh, kur të vlerësohet se Kosova i ka plotësuar apo jo standardet për t’u integruar në mekanizmat ndërkombëtarë. Unë ia përkujtoj shefit të agjencisë rastin e Kroacisë, se përderisa nuk janë larguar shërbimet sekrete kroate nga ndikimi i vetë politikës në fuqi – një kohë të gjatë shef i shërbimeve ka qenë djali i Tugjmanit për sa ka qenë Tugjmani kryetar – dhe kjo ka qenë pengesa kryesore që Kroacia e ka humbur mundësinë që të jetë në trenin kur është integruar Sllovenia për shembull
”, tha Maloku.

Ekspertët mendojnë se do të shkojë pothuajse një vit, derisa agjencia të përfundojë strukturën dhe organizimin e saj.

Kushtetuta e Kosovës parasheh që Agjencia e Kosovës për Inteligjencë të zbulojë, hetojë dhe mbikëqyrë kërcënimet ndaj sigurisë në Republikën e Kosovës. Agjencia duhet të jetë profesioniste, politikisht e paanshme, shumetnike dhe i nënshtrohet mbikëqyrjes nga Kuvendi në mënyrën e përcaktuar me ligj.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG