Ndërlidhjet

Kërkohen dorëheqje në FSK


Pjesëtarë të FSK-së
Pjesëtarë të FSK-së
Për të dytën herë me radhë, pjesëtarët e ish-Trupave Mbrojtëse të Kosovës kanë protestuar sot para ish-Shtabit të Përgjithshëm të TMK-së, të zhgënjyer me përgjigjet e marra nga testi provues për kalim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.


Rrjedhimisht, ata kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujotës, të komandantit të po kësaj force, Sylejman Selimit, si dhe të zëvendëskomandantit Rrahman Rama.

Kryetari i Këshillit Organizativ të protestës, Muhamet Gubetini, sqaron kërkesën e protestuesve:

"Jemi tubuar sot, të protestojmë dhe të kërkojmë dorëheqjen morale të atyre personave që kanë qenë pjesë e bordit seleksionues: ministrit të FSK-së, Fehmi Mujota; ish-gjeneralit të TMK-së, komandant i FSK-së, Sylejman Selimi, si dhe zëvendëskomandantit të TMK-së, tani zëvendëskomandant i FSK-së, gjeneral Rrahman Rama. Me keqardhje shumë të madhe; ndihemi shumë të fyer për procesin e përzgjedhjes. Ndërsa, e përgëzojmë shumë dhe jemi për një FSK të shëndoshë", tha Gubetini.

Ish-pjesëtarët e Trupave Mbrojtëse të Kosovës kanë kërkuar edhe një herë që të bëhet rishikimi i procesit të seleksionimit për pranim në FSK.

Zoti Gubetini, ish-pjesëtar i TMK-së dhe kryetar i Këshillit Organizativ të protestës, thotë se të gjithë pjesëtarët e mbetur jashtë këtij procesi, ndjehen të fyer.

Pjesëtarë të ish-TMK-së
"Është e rëndë që jemi në këtë gjendje, të dalim në protesta, se të gjithë jemi ushtarakë dhe është shumë e vështirë të protestojë një ushtarak. Është qëllimi kryesor që ne ta shëndoshim veten, të shëndoshim popullin, se ne jemi të sëmurë apo të çmendur që nuk jemi pranuar",
u shpreh ai.



Nga ana tjetër, Selami Koliqi, një nga organizatorët e protestës, konsideron se gjatë testimit ka pasur manipulime dhe, rrjedhimisht nga kjo, ai shpreh mosbesim në institucionet e Kosovës.

“Kam punuar në Slloveni, e kam lëshuar Slloveninë; kam ardhur në luftë, prej luftës deri tash këtu. Tash më kanë hedhur në rrugë. Çka? Në mëshirën e kujt? Pse ne të kemi mëshirë ndaj tyre, kur këta nuk kanë ndaj nesh?”, thotë Koliqi.

Edhe Pash Krasniqi, ish-pjesëtar TMK-së, thotë se nga situata e krijuar, shumë familje kanë mbetur pa kurrfarë mbështetjeje institucionale.

“Askush nuk merret me 2500 familjet që janë gjuajtur prej dore. Jemi rezervë aktive - ja ku e kam dokumentin. Kemi punuar për një ideal, për një të drejtë, për të mbrojtur vendin tonë. Tash kemi mbetur në rrugë - 2500 anëtarë edhe pjesa rezervë", tha Krasniqi.

Këshilli protestues ka kërkuar nga institucionet vendore që deri të hënën e ardhshme t’i plotësojnë të gjitha kërkesat e parashtruara nga ish-pjesëtarët e TMK-së, që kanë mbetur jashtë procesit për inkuadrim në FSK. Në të kundërtën, sipas tyre, protestat do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave.
XS
SM
MD
LG