Ndërlidhjet

Mbështetje për Rezolutën evropiane


Parlamenti Evropian në Strasburg

Parlamenti Evropian në Strasburg

Qeveria e Kosovës ka mirëpritur Rezolutën e Parlamentit Evropian, me të cilën ftohen të gjitha vendet e BE-së që ta njohin Kosovën. Një delegacion i këtij Parlamenti ua ka dorëzuar tekstin e kësaj Rezolute edhe udhëheqësve të Kosovës.



Institucionet e Kosovës e kanë mirëpritur Rezolutën e Parlamentit Evropian në Strasburg, me të cilën ftohen edhe pesë vendet tjera të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë.

Rezoluta e miratuar u është prezantuar sot në Prishtinë edhe udhëheqësve kosovarë nga një delegacion i Parlamentit Evropian, që kryesohej nga Joost Lagendijk.

Zyrtari evropian tha se ishte i kënaqur me mbështetjen e gjerë që ka gjetur rezoluta në Parlamentin Evropian për Republikën e Kosovës. Ai tha se pret që kjo rezolutë të prodhojë efekte tek pesë vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë këtë.

“Shpresoj dhe pres që kjo të jetë një nga presionet që këto qeveri ta njohin Kosovën, por e di po ashtu se këto vende kanë arsye të brendshme politike që ende nuk e kanë njohur Kosovën”, tha Joos Lagendijk.

Rezoluta, nënvizoi Lagendijk, parasheh edhe shumë sfida për institucionet e Kosovës. Në veçanti, ai kërkoi që Qeveria e Kosovës të angazhohet më shumë në luftimin e dukurive negative, siç janë korrupsioni e krimi i organizuar, ndërkohë që ritheksoi mbështetjen që Parlamenti Evropian i ka dhënë misionit të EULEX-it.

Ai tha se Parlamenti Evropian me këtë rezolutë ka dëshmuar se e mbështet edhe tërësinë territoriale të Kosovës, duke e përjashtuar ndarjen si opsion.

“Shumica e anëtarëve të Parlamentit janë shprehur fuqishëm kundër ideve për ndarjen e Kosovës në veri e jug dhe ky pozicionim i Parlamentit Evropian kundër ndarjes është shprehur qartë edhe në rezolutë”, tha Lagendijk.

Qeveria e Kosovës

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se kjo rezolutë dëshmon edhe një herë mbështetjen që e ka Kosova tek numri më i madh i vendeve evropiane. Njëherësh, potencoi Thaçi, edhe ambiciet e Kosovës janë që një ditë të jetë pjesë e kësaj familjeje të integruar evropiane.


“Kjo rezolutë përcakton qartë edhe një herë mbështetjen e fuqishme të Parlamentit Evropian, por edhe zotimet tona se e ardhmja e Kosovës është e sigurt, si një e ardhme evropiane, e zhvillimit ekonomik, e krijimit të vendeve të reja të punës, e mirëqenies sociale dhe e respektimit të të gjitha kritereve demokratike që dalin nga kriteret e Kopenhagës
”, tha Thaçi.

Kryeministri i Kosovës është zotuar para delegacionit të parlamentarëve evropianë se Qeveria dhe ai personalisht do të ketë si prioritet të punës luftimin e dukurive negative, të cilat potencohen edhe në rezolutën e miratuar.

“Të gjitha sfidat që dalin para Qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës dhe para gjithë qytetarëve të Kosovës, janë sfida me të cilat ne ballafaqohemi në tranzicionin tonë demokratik. Por, është me rëndësi që zotimet e Qeverisë së Kosovës janë edhe rekomandimet e Parlamentit Evropian dhe përkushtimi zero tolerancë ndaj fenomeneve negative, në veçanti ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”, theksoi Thaçi.

Rezoluta i është dorëzuar edhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Me anë të kësaj rezolute, Parlamenti Evropian ka ftuar të gjitha vendet e Bashkimit Evropian që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Rezoluta u miratua me shumicë votash.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG