Ndërlidhjet

Biden: "Ton i ri" në marrëdhëniet e jashtme


Zëvendës presidenti amerikan, Joe Biden tha se administrata e re e Shteteve të Bashkuara do të paraqesë "ton të ri" në marrëdhëniet e saj të jashtme, por ka tërhequr vërejtjen se edhe vendet e tjera duhet të veprojnë njëlloj.

"Erdha në Evropë në emër të administratës së re, që është e përkushtuar për të paraqitur ton të ri, jo vetëm në Uashinton, por edhe në raportet e Amerikës në mbarë botën", tha Joe Biden, në Konferencën ndërkombëtare të sigurisë, që po mbahet në Munih të Gjermanisë.

Në këtë aspekt, ai theksoi se "Amerika do të bëjë më tepër, por Amerika do të kërkoj më tepër nga partnerët tanë".

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia duhet ta përfundojnë ndarjen e rrezikshme në marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe NATO-s dhe të gjejnë fusha ku mund të punojnë së bashku.

"Shtetet e Bashkuara e hedhin poshtë qëndrimin se përfitimet e NATO-s janë humbje të Rusisë dhe se forcimi i Rusisë është dobësi e NATO-s", tha Joe Biden.

Mëtutje, zëvendës presidenti Biden, tha se "derisa ne po synojmë kornizë të qëndrueshme për luftën e përbashkët kundër ekstremizmit, ne do të punojmë në bashkëpunim me vendet në mbarë botën dhe ne na duhet ndihma juaj", tha Joe Biden.
XS
SM
MD
LG