Ndërlidhjet

“UNMIK-u synon këtë javë takimin për trashëgiminë”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

ZËRI
UNESCO dhe Këshilli i Evropës kanë kërkuar që UNMIK-u të organizojë gjatë kësaj jave një takim midis Prishtinës dhe Beogradit për çështje të trashëgimisë kulturore, dhe për këtë qëllim, UNMIK-u u ka dërguar edhe ftesa institucioneve të dy vendeve për t’i caktuar ekspertët që do të përfshihen në këto bisedime, ndërkohë që institucionet vendore në Prishtinë bëhen sikur nuk dinë gjë rreth këtyre bisedimeve... Rasëll Giki, zyrtar për informim i UNMIK-ut, duke dashur të mos vendosë ndonjë lidhje midis planit gjashtëpikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, dhe bisedave të paralajmëruara për çështje teknike midis Prishtinës e Beogradit, i tha dje “Zërit” se faza e diskutimeve për gjashtëpikëshin ka përfunduar në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa tani UNMIK-u nuk po flet për rihapjen e ndonjë negociate, por po angazhohet në zgjidhjen e çështjeve të mbetura hapur në fusha të ndryshme...

EPOKA E RE
Priten njohje të reja për shtetin e Kosovës. Kjo është përshtypja e pozitës dhe opozitës disa ditë pas miratimit të Rezolutës për Kosovën nga Parlamenti Evropian. Kryeministri Hashim Thaçi, duke falënderuar Parlamentin Evropian për miratimin e Rezolutës për Kosovën, u ka bërë thirrje vendeve të BE-së, atyre që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një hap të tillë. “Qeveria e Republikës së Kosovës u bën ftesë të gjitha vendeve të BE_së, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta njohin këtë sa më parë”, ka thënë kryeministri Thaçi, i cili është shprehur i bindur se kjo Rezolutë do të ndikojë që Kosova të njihet së shpejti edhe nga disa shtete të tjera. Thaçi ka theksuar se miratimi i Rezolutës nga PE-ja tregon angazhimin dhe mbështetjen e BE-së për të ardhmen e Kosovës dhe të rajonit...

BOTA SOT

Kosova mund ta paramendojë veten anëtare të Bashkimit Evropian. Ky është imazhi që presidenti Fatmir Sejdiu e ka perceptuar gjatë Konferencës së Munihut, të premten dhe të shtunën që shkoi. “Figurativisht mund të themi se jemi anëtarë të BE-së. Për ne është me rëndësi që është përkushtimi i veçantë, që iu bë Kosovës në këtë konferencë, mbështetja që iu dha Kosovës me prezencën time”, tha presidenti i Republikës Sejdiu, në Aeroportin e Prishtinës, pas kthimit nga Munihu, ku ka marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Siguri në mesin e 350 politikanëve , ushtarakëve e ekspertëve nga mbarë bota. Në konferencën ndërkombëtare, vëmendje e veçantë u është kushtuar proceseve të integrimeve evropiane dhe euroatlantike të Ballkanit Perëndimor, zhvillimeve në Kosovë dhe perspektivës evropiane të saj...

KOSOVA SOT
Teksa gjatë këtij muaji shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, pritet ta vizitojë Beogradin, lidershipi kosovar refuzon që të diskutohet plani gjashtëpikësh, ide të cilën Serbia përpiqet ta mbajë gjallë. “Gjatë këtij muaji është paraprak që Zannier ta vizitojë Beogradin”, tha Aleksander Ivanko, nga departamenti për informim. Zyrtarë të Qeverisë serbe thonë se Beogradi do të negociojë vetëm për statusin e Kosovës, pozicion ky i papranueshëm për Prishtinën zyrtare. Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, ka deklaruar se pala serbe do të zhvillojë negociata vetëm për statusin e Kosovës dhe nuk dëshiron të negociojë me përfaqësues institucionesh, të cilët, sipas tij, e kanë shpallur në “mënyrë të njëanshme pavarësinë”... Prishtina zyrtare ka hedhur poshtë mundësinë e hapjes së bisedimeve për statusin. Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë deklaruar se çdo gjë me Serbinë ka përfunduar me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt...

KOHA DITORE
Përfaqësues të Kombeve të Bashkuara në Prishtinë kanë thënë se gjatë kësaj jave shpresojnë të mbajnë takimin e parë në mes Prishtinës, Beogradit dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë për çështjet që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore, por as Prishtina e as Beogradi nuk kanë kthyer përgjigjet e tyre nëse do të marrin pjesë në një takim të tillë. Rolin udhëheqës në këtë forum ose tryezë, siç preferojnë ta quajnë përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë, pritet ta ketë misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK, ndërsa pjesëmarrës, veç ekspertëve të UNESCO-s dhe Këshillit të Evropës, Prishtinës dhe Beogradit, pritet të jenë edhe nga Zyra e Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, EYSR – Pieter Feith. Këtyre tashmë u janë dërguar edhe ftesat zyrtare që takimi i parë të mbahet gjatë kësaj jave, pa specifikuar ditën...

INFOPRESS
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës pritet që ose në fund të kësaj jave ose në javën e ardhshme të hapë konkursin për 22 ambasadorë të Kosovës në botë. Zyrtarë të lartë të kësaj ministrie i kanë thënë gazetës të dielën se janë duke u përgatitur aktet ligjore që i paraprijnë këtij procesi. Konkursi për ambasadorë do të hapet në 12 ambasada të reja të Kosovës, e po ashtu edhe në dhjetë ambasadat e Kosovës tashmë të funksionalizuara, por që tani për tani funksionojnë me të ngarkuar me punë. Zv/ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka thënë gazetës se aktet ligjore që parashihen të nxirren për konkursin, janë në finalizim. “Konkurse do të hapen së shpejti. Jemi në fazën finale të përgatitjeve të rregulloreve dhe akteve nënligjore. Besojmë që kah fundi i kësaj jave gjithçka do të jetë gati”, ka thënë Çitaku...

LAJM

Vendimi jokonsensual i presidentit Fatmir Sejdiu, që zgjedhjet e përgjithshme të mbahen në vitin 2011, nuk e ka mbyllur debatin rreth kohës kur, sipas akteve juridike, duhet të mbahen këto zgjedhje. Ky vendim i presidentit ka ngritur çështje të tjera, duke i shërbyer tensionimit të klimës politike dhe thellimit të hendekut ndërmjet partive oponente. Tashmë kjo çështje do të jetë objekt i debatit në Kuvendin e Kosovës, me kërkesë të deputetëve të AAK-së. Opozita do të kërkojë që Kuvendi ta anulojë vendimin e Sejdiut, që çështja e kohës së mbajtjes së zgjedhjeve të shtrohet për shqyrtim në një tryezë të gjerë të partive politike në pozitë dhe opozitë, që të zbardhet çështja e marrëveshjes së Pokantikos, e cila e ka pasur të përfshirë edhe këtë çështje. Ardian jini, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, tha se nëpërmjet debatit në Kuvend tentohet të binden deputetët e Kuvendit së vendimi i presidentit nuk është i drejtë. Sipas Gjinit, nëpërmjet këtij debati, opozita e ka rastin të dëshmojë se vendimi i Sejdiut është politikisht jokorrekt dhe në kundërshtim me aktet themelore juridike të shtetit...

EXPRESS
Dëshmi për keqpërdorimin e parave të Buxhetit në projektin për dislokimin e banorëve të fshatit Hade, ka pasur që në kohën kur Ardian Gjini ka qenë ministër në Ministrinë e Ambientit dhe të Planifikimit Hapësinor. Por, kushdo që e ka vërejtur se po “avulloheshin” miliona euro në emër të këtij projekti, është larguar nga puna, kurse dëshmitë e tyre janë zhdukur. Një raport i Mifail Azizit, ish-auditor i brendshëm në këtë ministri, i kryer në vitin 2006, për rastin Hade, asnjëherë nuk e ka parë dritën. Qysh para gati trë vjetësh është parë se buxheti i Kosovës është dëmtuar mbi pesë milionë euro nga menaxhimi jo i mirë në rastin e dislokimit të banorëve të këtij fshati. Për fshehtësitë që ka zbuluar Mifaili, e ka humbur punën, ndërsa ish-ministri Ardian Gjini e quan budallallëk raportin e tij. “Ky raport më ka kushtuar me vendin e punës. Rasti im vazhdon në procedurë gjyqësore”, thotë Mifaili...
XS
SM
MD
LG