Ndërlidhjet

logo-print

Kërkohet rritje e TVSH-së nëpër komuna


Drejtuesit e pushtetit lokal në Maqedoni kërkojnë rritjen e tatimit personal dhe tatimit mbi vlerën e shtuar. Sipas tyre, pjesa e TVSH-së prej 3 %, e cila për momentin i takon komunave nga buxheti i shtetit, nuk është e mjaftueshme, dhe për këtë qëllim, ata kërkojnë që këto dy tatime të rriten në 5 apo 10 %.

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, thotë se pushteti lokal duhet të ketë një autonomi më të madhe, e cila do të mundësonte zhvillim dhe funksionim më efikas.

"Në bazë të hulumtimeve që janë bërë nga qytetet e shteteve tjera, qoftë në Ballkan apo më gjerë në Evropë, duhet të rritet tatimi i vlerës së shtuar, pasi kështu ato kanë vepruar. Nëpërmjet TVSH-së rritet buxheti i komunave dhe kjo u mundëson kryetarëve të komunave të investojnë në interes të qytetarëve dhe t’i zgjidhin vështirësitë që i kanë", tha Bejta.

Kryetari i Komunës së Gazi Babës në Shkup, Koce Trajanovski, thotë se çelësi i funksionimit të komunave është ndarja në rajone dhe dhënia e fondeve në bazë të zhvillimit të tyre.

"Ata rajone, të cilat janë më pak të zhvilluara, duhet të marrin edhe më tepër fonde. P.sh. rajoni i Shkupit që është më i zhvilluari, duhet të marrë 6.5 %, ndërsa rajoni i Kumanovës dhe Likovës - 18 %, pasi është më i pazhvilluari", tha Trajanovski.

Edhe kryebashkiaku i Shkupit, Trifun Kostovski, e konsideron të dështuar sistemin fiskal për komunat.

“Nëse unë nga tatimi personal në buxhetin e Shkupit ndaj 0.002 për qind të mjeteve dhe nga tatimi personal 0.003 për qind të mjeteve që mblidhen nga qytetarët e kryeqendrës, përfundimisht mund të konstatoj se komponenta zhvillimore e Shkupit do të jetë e pamundur të realizohet. Pjesa fiskale është më subtile dhe më e rëndësishme, sepse me të me automatizëm barten edhe përgjegjësitë në nivelin lokal. Ne momentalisht varemi nga vullneti i mirë i pushtetit qendror", u shpreh Kostovski.

Ligji për pushtetin lokal parasheh financimin e komunave nga të ardhurat vetanake, nga tatimet lokale siç janë taksat nga pagesat infrastrukturore. Komunat gjithashtu financohen edhe nga donacionet shtetërore, ndërsa pushteti lokal ka të drejtë të marrë kredi nga subjekte vendase apo të huaja.

Por, të gjitha këto burime të financimit për shumë komuna janë treguar të pamjaftueshme, si për shkak të shkallës së ultë tatimore, ashtu edhe për shkak të moszhvillimit të tyre infrastrukturor, e kjo para së gjithash vlen për komunat rurale që edhe janë në numër të madh.
XS
SM
MD
LG