Ndërlidhjet

logo-print

Shala: Sejdiu nuk ka të drejtë të bëjë interpretimin e Kushtetutës


Blerim Shala

Blerim Shala

“Interpretimin e Kushtetutës mund ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese. Atë aktualisht nuk e kemi, gjë që është një mangësi tjëtër e shtetit funksional të Kosovës”, thotë nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Shala, çështja më e debatueshme e këtyre ditëve është dialogu teknik mes Prishtinës dhe Beogradit. Si e vlerësoni ju mbajtjen eventuale të këtyre bisedimeve?

BLERIM SHALA
Para së gjithash, ne jemi fare pak të informuar se për çfarë bëhet fjalë. Ne vetëm mund të supozojmë që ky dialog teknik, siç është potencuar nga autoritetet ndërkombëtare, ndërlidhet me raportin e Ban Ki Moonit, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, të 24 nëntorit të vitit të kaluar, i cili realisht flet për zbatimin apo implementimin e gjashtëpikëshit, që përndryshe është kundërshtuar fuqimisht nga lidershpi i Kosovës, si nga autoritetet institucionale, ashtu edhe nga opozita.

Pra, nëse ky dialog teknik ka të bëjë me gjashtëpikëshin e Ban Ki Moonit, mendoj se është i papranueshëm. Nëse dialogu teknik përkon me zbatimin e pakos së Ahtisaarit, sepse e dimë që, sipas propozimit gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari, duhet të ketë një rol Beogradi në zbatimin e tij, atëherë normalisht kemi të bëjmë me një dialog që do të ishte i mirëseardhur, i frytshëm, i dobishëm dhe prej të cilit me siguri do të përfitonin të gjithë qytetarët e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët pakon e Ahtisaarit – ka spekulime se kjo pako mund të hapet. Sa do jetë problematike hapja eventuale e saj?

BLERIM SHALA
Çdo hapje e pakos së Ahtisaarit, çdo prekje, çdo ndryshim i pakos së Ahtisaarit e bën atë në tërësi të pavlefshme. Pakoja e Ahtisaarit, siç kemi potencuar shumë prej nesh, nuk është një tavolinë suedeze, ku mund ta marrësh një pjesë ta zbatosh, pjesën tjetër të mos e zbatosh, një pjesë tash ta rihapesh dhe ta bisedosh me Beogradin, sepse në këtë mënyrë e mëdysh tërësinë.

Pakoja e Ahtisaarit qëndron vetëm si tërësi, sepse aty kemi të bëjmë me një propozim shumë kompleks, ku respektohen parimet kyçe të shtetit të Kosovës, tërësia territoriale, kufijtë, roli ndërkombëtar i shtetit të Kosovës, pranimi në organizmat ndërkombëtarë, por edhe detyrimet që ky shtet i Kosovës i ka ndaj komuniteteve pakicë. Nëse tash bëhen koncesione dhe ndryshime në njërin prej segmenteve të pakos, atëherë mëdyshet pakoja si tërësi.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka tendenca të ndërhyrjeve në pako?

BLERIM SHALA
Mendoj se nëse dikush mendon të rihapë aneksin për trashëgiminë kulturore dhe religjioze, gjithsesi është ndërhyrje e drejtpërdrejtë, sepse aneksi për trashëgiminë kulturo-religjioze tok me atë për decentralizimin përbëjnë dy shtyllat kyçe të ofertës sonë, të koncesioneve tona ndaj komunitetit serb.

RADIO EVROPA E LIRË
Prishtina zyrtare këmbëngul se nuk hyn në bisedime nëse nuk trajtohet si palë e barabartë. A do të mund të ruhet ky qëndrim?

BLERIM SHALA
Mendoj se pala kosovare nuk ka zgjidhje tjetër pos që në këto bisedime të jetë palë e barabartë. Ne, siç e dini edhe ju, gjatë gjithë procesit të Vjenës, edhe në atë shtesë të Treshes së Grupit të Kontaktit, kemi qenë palë e barabartë, jemi trajtuar në atë mënyrë.

Ne kemi biseduar si dy udhëheqësi krejtësisht të barabarta, me përgjegjësi të njëjta. Tash nuk mund të ketë një trajtim tjetër, sepse në atë mënyrë ne do ta dëmtonim thelbësisht shtetin e Kosovës dhe institucionet e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Shala ka mbetur një javë deri në njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Sa janë përmbushur pritjet e kosovarëve për një shtet funksional?

BLERIM SHALA
Pyetja juaj është shumë me vend. Janë përmbushur natyrisht synimet që Kosova të bëhet shtet. Por, më duket që akoma një mori pikëpyetjesh i qepen pyetjeve se çfarë statusi të brendshëm dhe të jashtëm ka shteti i Kosovës.

Statusi i Kosovës është zgjidhur – jemi shtet. Ky është një proces i pakthyeshëm, pa marrë parasysh se çfarë do të ndodhë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, por duhet thënë hapur se ne akoma kemi probleme shumë të mëdha siç e dini në pranimin ndërkombëtar – nuk jemi bërë akoma anëtarë të ndonjë organizate relevante ndërkombëtare.

Ndërsa, sa i përket statusit të brendshëm të shtetit të Kosovës, kemi telashe reale me veriun e Kosovës, nuk i kemi të garantuar kufijtë e Kosovës, tërësinë territoriale, rendi kushtetues dhe pushteti i Kosovës nuk shtrihet në gjithë territorin e Kosovës – këto janë probleme reale, sikurse që duhet konstatuar, nëse i kthehem pyetjes suaj, që shteti i Kosovës akoma nuk është shtet funksional.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët veriun. Institucionet qendrore të Kosovës nuk kanë pushtetin atje, megjithatë EULEX-i ka mundur të shtrihet. Si e shihni rolin e tij dhe sa mund të ndihmojë në integrimin e pjesës veriore?

BLERIM SHALA
Padyshim që EULEX-i ka një rol tepër të rëndësishëm, por vetë misioni i EULEX-it, siç e dimë të gjithë, është pjesë përbërëse e pakos së Ahtisaarit; atëherë është definuar në tjetër mënyrë, por, megjithatë, përkundër modalitetit të shtrirjes së EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës, de fakto EULEX-i mund të bëjë punë shumë të madhe nëse njëmend e përmbush misionin e tij të forcimit të rendit dhe të ligjit.

Në veri të Kosovës nuk ka rend, nuk ka ligj, është anarki, është kaos, është, siç po pajtohet si pushteti, si opozita, oazë e krimit të organizuar.

Nëse EULEX-i fillon së bashku me Policinë e Kosovës ta luftojë krimin e organizuar atje, të vendosë rendin dhe ligjin atje, me siguri se do të krijohen parakushte shumë më të mira për integrimin e veriut të Kosovës në pjesën tjetër të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Një çështje tjetër e debatueshme mbetet ajo e zgjedhjeve parlamentare. Ju si AAK e keni kontestuar vendimin e presidentit Sejdiu në Gjykatën Kushtetuese, e cila në fakt nuk është funksionale ende. Mendoni se do të ndryshohet diçka në këtë drejtim?

BLERIM SHALA
Mendoj se duhet të ndryshohet, për arsye se vërtet kemi të bëjmë me një gabim, i cili ka deficit të madh legal, politik dhe procedural. Në aspektin legal e dimë fare mirë se çfarë shkruan në pakon e Ahtisaarit, në nenin 10.5, i cili thotë që “më së voni nëntë muaj pas hyrjes në fuqi të kësaj pakoje, duhet të mbahen zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme”.

Kushtetua e Kosovës i subordinohet pakos së Ahtisaarit. Kjo është një marrëveshje koncensuale siç e dini në Kosovë, sepse propozimi i Ahtisaarit është një dokument ndërkombëtar dhe kështu ndodh gjithmonë kur faktori ndërkombëtar intervenon për ta zgjidhur një çështje.

Nenet në Kushtetutë, të cilat i referohen pakos së Ahtisaarit, e kemi të bëjmë me nenin 143, kanë supremaci legale ndaj neneve tjera në Kushtetutë. Prandaj, presidenti Sejdiu nuk ka pasur të drejtë ta interpretojë në atë mënyrë pakon e Ahtisaarit dhe Kushtetutën e Kosovës.

Përndryshe, presidenti Sejdiu as që ka të drejtë kushtetuese që ta bëjë interpretimin e Kushtetutës. Interpretimin e Kushtetutës mund ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese. Aktualisht nuk e kemi, gjë që është një tjetër mangësi e temës, të cilën ju e shtruat – të shtetit funksional në Kosovë, sepse Gjykata Kushtetuese ka mundur të krijohet shumë më herët.

Por, mendoj që herët a vonë, legalisht do të konstatohet që ka qenë vendim i gabuar. Politikisht është vendim gjithsesi i gabuar, për arsye se Kosovës i nevojiten zgjedhjet për ta testuar procesin e shtet-ndërtimit, ndërsa në aspektin procedural është presedan në zhvillimet e pas luftës në Kosovë, sepse një vendim aq madhor është marrë pa kurrfarë konsultimi.

Edhe kur çështjet kanë qenë të varura kryekëput nga vullneti politik i PSSP-ve, ndërsa PSSP-të, siç e dini, kanë pasur dhe kanë kompetenca ekzekutive, ata janë munduar që në konsulta me ne të mbërrijnë deri te vendi.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, presidenti Sejdiu thirret në nenin 161 që ua zgjat mandatin institucioneve. A është dashur opozita që edhe atëherë ta ngrejë zërin dhe të mos e miratojë Kushtetutën?

BLERIM SHALA
Keni plotësisht të drejtë, por interpretimi i secilit prej nesh atëbotë ka qenë që neni 161 garanton legjitimitetin e pushtetit ekzistues në momentin kur shpallet pavarësia e Kosovës, pra të mos ketë një vakuum institucional, sepse njëmend bëtë një pyetje kapitale.

Botëkuptimi i gjithë neve në Komisionin Kushtetues, por edhe i lidershipit politik, ka qenë që realisht, në bazë të pakos së Ahtisaarit, duhet të ketë zgjedhje të reja, se neni 161 vetëm e garanton legjitimitetin dhe do të krijohen rrethana që të mbahen zgjedhjet e reja.

Sikur të kishte dallime në perceptimin e proceseve politike midis nesh, normalisht, keni plotësisht të drejtë, opozita nuk do ta votonte Kushtetutën, apo do të kërkonte definim shumë më të qartë të nenit 161.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe për fund zoti Shala, ju e konsideroni si të rremë stabilitetin në Kosovë, ndërsa tërë gjendjen politike dhe të sigurisë si një status-quo. Cila është rrugëdalja nga kjo situatë?

BLERIM SHALA
Unë jam munduar të tregoj që nuk ka stabilitet të Kosovës, nëse status-quon aktuale e perceptojmë si një stabilitet të brishtë. Koncepti bazë, siç e dini, i KFOR-it, në përshkrim të gjendjes në Kosovë, është stabiliteti i brishtë, por realisht nuk ka askund në botë stabilitet të brishtë, sepse stabiliteti i brishtë ka domethënien që herët a vonë mund të ndodhë një përmbysje e madhe.

Stabiliteti nuk duron vendnumërim, nuk duron ngurtësim të gjendjes, stabiliteti gjithmonë kërkon një politikë dinamike, aktive prej udhëheqësisë së Kosovës, prej çdo udhëheqësie në pushtet në fakt.

Kemi problem real veriun dhe nuk mund të themi se gjendja në veri është stabile, kur dihet fare mirë se nuk kemi kurrfarë ingirence në veri. Kemi probleme shumë të mëdha në skenën politike të Kosovës dhe nuk mund të themi se është stabile, sepse kemi raport të forcave çfarë e kemi në Kuvendin e Kosovës.

Për t’i tejkaluar këto sprova reale të stabilitetit dhe të sigurisë, ne duhet të kemi një dialog intensiv midis nesh dhe duhet të kemi një plan konkret për integrimin e veriut të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Dialog intensiv në mes të...?

BLERIM SHALA
Në mes të pushtetit dhe opozitës. Nuk ka çështje madhore apo çështje me rëndësi strategjike që nuk mund, që nuk duhet të debatohet nga përfaqësuesit kyçë të pushtetit dhe të opozitës dhe që nuk duhet të bëhet edhe pjesë përbërëse e debatit parlamentar.
XS
SM
MD
LG