Ndërlidhjet

Prishtina i është përgjigjur negativisht kërkesës së UNMIK-ut për një takim me Beogradin, ku do të diskutohej për çështjet e trashëgimisë kulturore në Kosovë.


Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën e UNMIK-ut për një takim të përbashkët me Beogradin, ku do të diskutohej për çështjet e trashëgimisë kulturore.

UNMIK-u konfirmon se i ka ftuar të dyja qeveritë, atë në Beograd dhe Prishtinë, që nesër të ulen dhe të diskutojnë për çështjet që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore dhe fetare ortodokse serbe në Kosovë.

Por, nga Ministria e Kulturës në Qeverinë e Kosovës konfirmohet se pala kosovare nuk do të marrë pjesë në këtë takim. Këshilltarja për media e ministrit të Kulturës, Arbërore Riza, thotë se Qeveria e Kosovës ka paraparë pikërisht një angazhim të saj në këtë fushë dhe nuk e sheh të arsyeshme që agjenda të dyfishohet, duke e përfshirë aty edhe Beogradin si palë.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk do të marrë pjesë në takimin e nesërm, për faktin se do të ishte dublifikim i takimeve, të cilat ne tashmë i kemi iniciuar. Ne e kemi themeluar forumin për trashëgiminë kulturore, ku diskutohen temat e njëjta“, thotë Arbërore Riza.

Në anën tjetër, zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusell Geekie, thotë se administrata e Kombeve të Bashkuara i ka ftuar të dyja qeveritë në këto bisedime. Por, sipas tij, nga asnjëra palë nuk ka marrë konfirmime.

“Ne nuk kemi pranuar ende ndonjë përgjigje prej palëve ndaj ftesave që i kemi dërguar“, pohoi zëdhënësi Geekie.

Takimi i nesërm ishte ftuar nga UNMIK-u me kërkesë të Programit të Kombeve të Bashkuara për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.

Pamje në Prishtinë

Mirëpo, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës, agjenda e Qeverisë së Kosovës për këtë çështje përfshin po ashtu edhe organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, që merren me Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.



“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka iniciuar formimin për trashëgiminë kulturore, i cili tashmë ka filluar punën dhe aty janë ftuar edhe pjesëmarrës të organizmave të ndryshëm vendorë e ndërkombëtarë, përfshirë këtu edhe UNMIK-un, si përfaqësues të UNESCO-s. Në këtë forum plasohen idetë dhe angazhimet në fushën e trashëgimisë kulturore
”, tha Riza.

Sipas planit 6-pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, Prishtina dhe Beogradi do të përfshiheshin në bisedime për gjashtë fusha, ku bëjnë pjesë policia, gjykatat, doganat, trashëgimia kulturore, transporti e telekomunikacioni, si dhe menaxhimi i vijës kufitare.

Mirëpo, Prishtina e ka hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve me Beogradin për këto fusha, duke propozuar se të dyja shtetet mund të dialogojnë vetëm çështje të interesave të dyanshme dhe atë vetëm si dy shtete dhe palë të barabarta.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG