Ndërlidhjet

logo-print

PER: Po ngec riatdhesimi i romëve


Familje rome në Kosovë

Familje rome në Kosovë

Projekti për Marrëdhënie Etnike, gjatë një tryeze diskutimi që u mbajt në Prishtinë, vlerësoi se institucionet kosovare kanë hedhur hapa përpara në integrimin e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas në Kosovë, por se kjo çështje kërkon angazhim akoma më të madh.


Mbrojtja e të drejtave të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas, si dhe riatdhesimi i tyre, akoma mbetet sfidë serioze për institucionet e Kosovës, edhe pse janë arritur rezultate në këtë drejtim.

Ky vlerësim doli nga tryeza e organizuar nga Projekti për Marrëdhënie Etnike, ku u diskutua për sfidat dhe perspektivën e integrimit të qëndrueshëm për banorët romë, ashkali dhe egjiptas të Kosovës.

Kryetarja e Projektit për Marrëdhënie Etnike, Livia Plaks, tha se vendet evropiane në përgjithësi nuk kanë treguar interes në përmirësimin e pozitës së romëve në shoqëritë e shteteve përkatëse.

"Nuk janë ndërmarrë hapa themelorë nga qeveritë apo institucionet ndërkombëtare në këtë drejtim. Një numër i madh i komunitetit romë, ashkali dhe egjitas të Kosovës, janë ende refugjatë nëpër shtetet përreth Kosovës, po ashtu edhe në Evropën Perëndimore”.

Livia Plaks
“Edhe pse në Kosovë tanimë konsiderohet që situata të jetë e qetë, ata ende nuk janë të gatshëm që të kthehen dhe nuk shohin të ardhme në mesin e komuniteteve, të cilave u kanë takuar më herët. Në anën tjetër, shtetet perëndimore, të cilat kanë pranuar një numër të madh refugjatësh gjatë luftërave në Jugosllavi, janë të interesuar t'i kthejnë ata nëpër vendet e tyre",
tha Plaks.

Qeveria e Kosovës, ndërkohë, u zotua të ketë siguruar të drejtat e komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë përmes dokumenteve kyçe të shtetit të Kosovës.

Ekzekutivi kosovar, në dhjetorin e vitit të kaluar, kishte miratuar strategjinë dhe planin e veprimit për të drejtat e njeriut në Kosovë për periudhën 2009-2011, dokument ky që, sipas zëvendëskryeministrit Ramë Manaj, përfshin dhe respektimin e të drejtave edhe të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas.

"Plani i veprimit reflekton dhe përcakton qartë masat specifike e konkrete për secilin institucion përgjegjës, duke përcaktuar afate të qarta kohore dhe tregues të qartë të suksesit, për të promovuar politika të trajtimit të barabartë në të gjitha fushat e jetës, si në ekonomi, arsim, shëndetësi, strehim, çështje sociale dhe në shërbime publike", tha numri dy i ekzekutivit kosovar, Manaj.

Sipas zyrtarëve të Projektit për Marrëdhënie Etnike, numri i romëve që jetuan në Kosovë para luftës së 1999-ës sillej diku nga 120 deri në 150 mijë, pjesa më e madhe e të cilëve kishin migruar jashtë Kosovës.

Procesi i riatdhesimit të tyre vlerësohet si prioritet, i cili kërkon bashkëpunimin e të gjitha dikastereve të ekzekutivit kosovar. Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, sqaron:

Qeveria e Kosovës

"Ministria e Punëve të Brendshme është institucioni koordinues i procesit të riatdhesimit, mirëpo një pjesë më e madhe e përgjegjësive ndahen te ministritë tjera, si ajo e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e Pushtetit Lokal, ajo e Arsimit dhe të tjera”.




“Në përputhje me strategjinë e riatdhesimit dhe planin e veprimit, si dokumente që tanimë janë duke u zbatuar në Kosovë, edhe këto institucione të tjera të Kosovës kanë përgjegjësi për procesin e riatdhesimit të shtetasve tanë që aktualisht janë në vende të tjera",
u shpreh ministri Pajaziti.

Njëra nga të drejtat për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptas, e cila bazohet në Kushtetutën e Kosovës, është dhe përfaqësimi i tyre në Kuvendin e Kosovës. Përkrah komuniteteve të tjera që në numër të caktuar kanë të drejtë të jenë pjesë e këtij institucioni, romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit kanë 4 vende të rezervuara në Kuvendin e Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG