Ndërlidhjet

“Palët hezitojnë të bisedojnë”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

EPOKA E RE
Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje, në përvjetorin e dytë të protestës së 10 shkurtit 2007, në të cilën nga policia e UNMIK-ut u vranë Arben Xheladini dhe Mon Balaj, ka thënë se regjimi në fuqi, i cili po vazhdon t’ia mohojë popullit të Kosovës të drejtën për vetëvendosje, nuk është i interesuar të vë drejtësi për vrasjet e 10 shkurtit 2007. Kurti ka thënë se krimi i policëve të UNMIK-ut është i njohur botërisht dhe do duhej të ndiqej nga organet e pushtetit. “Ne nuk i kemi dërguar kërkesë këtij pushteti dhe kësaj qeverie, sepse është një krim i njohur botërisht. Prandaj, ky krim do të duhej të ndiqej nga organet e këtij pushteti. Mospjesëmarrja e Zenun Pajazitit dhe Nekibe Kelmendit në tryezën e organizuar të hënën nga Vetëvendosja, në të cilën i kemi ftuar, dëshmon se as kjo qeveri, jo vetëm që nuk e ka ndërmend të ndërmarrë diçka, por as nuk është distancuar nga 10 shkurti i vitit 2007”, është shprehur Kurti...

INFOPRESS
Kuvendit të Kosovës, deri të hënën e i kanë shkuar 12 propozime për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që të martën (sot) përfundon afati për propozimin e emrave të mundshëm. Burime të besueshme të gazetës brenda këtij procesi kanë bërë të ditur se deri në orën katër të së hënës kanë ardhur kaq propozime, ndërkohë që paralajmërimet janë që numri të shtohet sot, kur edhe përfundon afati. Kjo thirrje është bërë për gjyqtarët vendorë në Gjykatën Kushtetuese, ku katër do të jenë shqiptarë, dy nga pakicat. Zyrtarë të tjerë të afërt me procesin e themelimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërkaq, i kanë thënë gazetës se gjasat janë që Gjykata të mos nisë punën e kompletuar tërësisht deri në prill. Kjo, për shkak se do të duhet kohë derisa të përfundojë konkursi për gjyqtarë ndërkombëtarë dhe derisa të shqyrtohen emrat e të propozuarve për gjyqtarë vendorë...

EXPRESS

Ftesat që ua ka dërguar UNMIK-u autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit për t’u ulur në tryezën e bisedimeve “në nivel teknik” duket se do të mbesin pa përgjigje. Pas një qëndrimi gati dyjavor në New York dhe pastaj konsultimeve me faktorët tjerë ndërkombëtarë në Kosovë si Quint-i dhe përfaqësuesit e BE-së, shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, kishte promovuar javën e kaluar nisjen e një dialogu në nivel teknik mes Prishtinës dhe Beogradit. Sipas fjalëve të diplomatit, këto bisedime do të kishin pasur për qëllim të zbatojnë raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara të datës 24 nëntor 2008. Ky arsyetim i Zannierit i ka dhënë kësaj nisme një frymë shumë të paqartë, për shkak se raporti është tejet i gjerë. Kjo nuk e kishte ndalë italianin, megjithatë, të nisë ftesat për të dyja palët që të takohen qysh këtë javë, për të nisur diskutimet për trashëgiminë ortodokse. Ai ka gjetur hezitimin e dy palëve. Beogradi arsyetohet se kjo çështje është rregulluar me planin gjashtëpikësh të Sekretarit Ban Ki-Moon, që kishte qenë pjesë e raportit të datës 24 nëntor, dhe se, prandaj, ai plan vetëm duhet të zbatohet...

LAJM
Rezoluta për dënimin e krimeve të komunizmit në Kosovë nga regjimi jugosllav dhe më pas ai serb, për një kohë të pacaktuar, nuk do ta shohë dritën miratimit në Kuvendin e republikës së Kosovës. Regjimi që ka bërë krime mbi baza ideologjike dhe etnike ndaj shqiptarëve të Kosovës mbetet pa u dënuar. Sugjerimet e jashtme dhe pazotësia e Parlamentit për ta marrë përsipër miratimin e një akti të tillë të ndjeshëm, kanë bërë që teksti i draftit të kësaj rezolute të endet zyrave të Kuvendit. Nga drafti i shqyrtuar shumë herë, ka hequr dorë edhe Komisioni që e ka hartuar dhe harmonizuar me të gjitha aktet e nevojshme juridike, vendore e ndërkombëtare. Teksti final, i kthyer në rishqyrtim mbi tri herë, gjendet në Kryesi, udhëheqësi i së cilës ka lënë të kuptohet se ai do të mbetet aty për një kohë të gjatë, pa u nxjerrë për shqyrtim para deputetëve. Bahri Hyseni, kryetar i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, tha se ku komision e ka përfunduar punën e vet më tërësi rreth hartimit të draft-rezolutës. Sipas tij, tashmë fati i saj është në duart e Kryesisë së Kuvendit...

BOTA SOT
Komisioni Parlamentar për Legjislacion dhe Gjyqësi shqyrtoi projekt-strategjinë kundër korrupsionit për periudhën 2009-2011, të përgatitur nga Agjencioni Kosovar Kundër Korrupsionit, nga Qeveria dhe mekanizma të tjerë të vendit. Dokumenti i propozuar prej 16 faqesh ka përvijuar angazhimet kryesore për ta luftuar korrupsionin, i cili përkufizohet si “keqpërdorim i pushtetit”, gjegjësisht, “keqpërdorim i përgjegjësive të dhëna në sektorin publik dhe privat për përfitim personal”. Ndër objektivat kryesore të kësaj strategjie përmenden: rritja e integritetit, llogaridhënies dhe transparencës së legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, si dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet këtyre institucioneve, përkatësisht forcimi i kapaciteteve antikorrupsion të institucioneve publike në nivel qendror dhe lokal...

KOHA DITORE
Protesta e ish-pjesëtarëve të Trupave Mbrojtëse që kanë mbetur pa u përfshirë në Forcën e Sigurisë të Kosovës, e paraparë të mbahej për sot (e martë), është shtyrë në afat të pacaktuar. Shtyrja e protestës është konfirmuar të hënën në mbrëmje, nga përfaqësuesi i Këshillit të protestave të ish-pjesëtarëve të TMK-së, Adrian Mehmeti, pas një takimi që kanë zhvilluar me ministrin e Forcës së Sigurisë, Fehmi Mujota, komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimi, dhe me kryetarin e Komisionit Parlamentar për Siguri, Rrustem Mustafa. “Nuk kemi arritur ndonjë marrëveshje sipas kërkesave tona, mirëpo kemi dhënë kohë që të gjejmë një rrugë institucionale, një zgjidhje institucionale. Mendojmë se bisedimet do të çojnë deri te zgjidhja më e mirë e mundshme si për neve, ashtu edhe për Qeverinë”, ka thënë Adrian Mehmeti...

KOSOVA SOT

Në Kuvendin e Kosovës nuk është shënuar asnjë nismë për ndryshimin e Ligjit të prokurimit publik, i cili pothuaj nga të gjitha dikasteret qeveritare konsiderohet më se i nevojshëm. Nevoja e amendamentimit të këtij ligji tash së fundi është potencuar nga Ministria e Jashtme. E cila ka bërë të qartë se është gjetur në një pozicion mjaft të rëndë kur është fjala për furnizimin e rrjetit diplomatik me pajisje të nevojshme, duke filluar nga automjetet, pajisjet teknike, por edhe blerjen e objekteve, për të cilat nuk janë paraprak procedurat me ligjin aktual. Zëdhënësja Albana Beqiri thotë se do të iniciojnë amendamentimin e ligjit që t’i hapin rrugë furnizimit të ambasadave me pajisje teknike... Kreu i Komisionit për Financa dhe Buxhet, Gani Koci, tha se nuk ka pasur ndonjë nismë, ndonëse komisioni gjatë diskutimeve është pajtuar që ka nevojë për amendamentimin e ligjit...
XS
SM
MD
LG