Ndërlidhjet

logo-print

Obama: Kriza mund të shndërrohet në katastrofë

  • Heather Maher

Presidenti amerikan Barack Obama

Presidenti amerikan Barack Obama

Në konferencën e tij për gazetarë, mbrëmë vonë në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Barack Obama, tërhoqi vërejtjen se nëse Kongresi nuk e miraton menjëherë planin e tij ekonomik, pasojat mund të jenë katastrofale. Lidhur me politikën e jashtme, ai tha se njëri nga qëllimet tij është që Amerika, në marrëveshje me Rusinë, të udhëheqë në drejtim të parandalimit të zgjerimit atomik.


Presidenti amerikan, Barack Obama, me pasion e mbrojti planin e tij ekonomik, sipas të cilit do të stimulohej ekonomia dhe do të krijoheshin afro 4 milionë vende të punës, nëpërmjet uljes së taksave dhe në investime publike, kudo që është e mundshme, prej projekteve të infrastrukturës e deri tek energjia e pastër.

Ai theksoi se plani është mbështetur nga ekonomistët dhe grupe të biznesit dhe përmban shpjegime të paprecedent dhe masa transparente.

Megjithatë, zoti Obama tha se plani "nuk është i përsosur", por, dështimi për ta implementuar, seriozisht do ta përkeqësonte situatën dhe kjo nuk duhet të lejohet.


"Administrata ime e ka trashëguar një deficit prej më tepër se 1000 miliardë dollarësh, por meqë ne trashëguam poashtu emergjencën më të thellë ekonomike prej Depresionit të Madh, duke bërë pak ose asgjë, do të rezultonte me deficit edhe më të madh, me më shumë humbje të vendeve të punës, me më shumë humbje të të ardhurave... Këto janë deficite që krizën mund ta shndërrojnë në katastrofë dhe unë refuzoj të lejoj që kjo të ndodhë. Derisa të jem në këtë zyrë, do të bëjë çdo gjë të mundshme që ekonominë ta kthej në binarë dhe këtë vend ta kthej në punë",
tha Barack Obama.

Pjesa më e madhe e pyetjeve të gazetarëve në këtë konferencë për shtyp, që u mbajt mbrëmë vonë dhe u transmetua nga shumica e kanaleve televizive në Shtetet e Bashkuara, kishin të bënin me ekonomi, por disa u fokusuan edhe në politikën e jashtme.

Duke u shprehur për Rusinë, Barack Obama tha se është koha për Washingtonin dhe Moskën, që të udhëheqin në drejtim të parandalimit të zgjerimit bërthamor, duke rifilluar negociatat për zvogëlimin e arsenaleve të tyre atomike.

Presidenti Obama në takimin me gazetarët në Washington
"Një nga qëllimet e mia është që ta parandaloj zgjerimin atomik në përgjithësi. Mendoj se kjo është e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara, në marrëveshje me Rusinë, që të udhëheq në drejtim të kësaj dhe këtë e kam theksuar në bisedën me presidentin e Rusisë, zotin Medvedev"
, tha Barack Obama.



Pas kësaj, tha presidenti amerikan, mund të kërkohet edhe nga vendet e tjera për t'iu kthyer marrëveshjeve për moszgjerim, që sipas tij, "janë dobësuar gjatë disa viteve të fundit".

Lidhur me strategjinë e angazhimit në Iran, ai theksoi se po rishqyrtohet politika aktuale për këtë çështje.

"Ekipi im për siguri kombëtare aktualisht po e rishqyrton politikën tonë ekzistuese për Iranin, duke shikuar në fushat ku ne mund të kemi dialog konstruktiv, ku ne drejtpërdrejt do të angazhohem me ta. Pres, që në muajt që vijnë të kemi hapje, që mund të krijohen atëherë kur ne të fillojmë të ulemi në tryezë, ballë për ballë, pra hapje diplomatike, që do të mundësoj, që politikën tonë ta lëvizim në drejtim të ri", tha Barack Obama.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG