Ndërlidhjet

S’ka bisedime për çështje të brendshme


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

“Përpos interesave dhe vlerave euroatlantike, Kosova nuk ka asgjë të përbashkët me Serbinë dhe Beogradi nuk e ka asnjë të drejtë të interesimit për zhvillimet në Kosovë”, tha kryeministri Hashim Thaçi.



Institucionet e Kosovës e kundërshtojnë përfshirjen e Serbisë në bisedime për çështje të brendshme të Kosovës.

Ndërsa administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë është në kërkim të gjetjes së mundësive për një dialog teknik mes Prishtinës e Beogradit, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës e kundërshtuan përzierjen e Serbisë në çështje të brendshme të Kosovës.

Serbia nuk ka të drejtë të interesohet për zhvillimet në Kosovë, tha kryeministri Hashim Thaçi. Ai tha po ashtu se do të ishte në interesin e Beogradit që të mos tentojë ta cenojë sovranitetin e Kosovës.

Kryeministri Hashim Thaçi
“Përpos interesave dhe vlerave euroatlantike, asgjë nuk mund të kemi të përbashkët me Serbinë dhe Serbia nuk e ka asnjë të drejtë të interesimit për zhvillimet në Kosovë. Përkundrazi, është me interes që Beogradi të mos pretendojë ta cenojë sovranitetin e territorit të Republikës së Kosovës”,
tha Hashim Thaçi.


Ndërkohë, edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, e kundërshtoi çdo formë dialogu me Serbinë për çështjet e definuara si teknike, përderisa ky vend nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

“Këto bisedime janë jashtë kohës dhe jashtë hapësirës, janë të pamundshme për t’u zhvilluar, për faktin se Serbia nuk e ka njohur shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Nuk mund të bisedohet me një vend që nuk e ka njohur shtetin e pavarur dhe sovran; të bisedohet për çështje teknike”, deklaroi Krasniqi.

Kryeparlamentari Krasniqi i ka dërguar mesazhe edhe UNMIK-ut. Sipas tij, qëndrimet dhe vendimet politike në dhe për Kosovën i marrin vetëm institucionet vendore.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi
“Të gjitha qëndrimet dhe vendimet politike në Kosovë janë të institucioneve të Kosovës dhe për këtë duhet të binden të gjithë. Kosova është njohur mbi 50 vende dhe në këtë drejtim institucionet e Kosovës do t’i marrin të gjitha përgjegjësitë për të gjitha zhvillimet, qofshin politike apo të natyrave të tjera, me cilindo vend të rajonit apo edhe të botës”,
u shpreh Krasniqi.

Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi tha se roli i UNMIK-ut tashmë është i tejkaluar dhe nuk mund të shihet më si i denjë që të organizojë takime të tilla.

“Çmoj shumë punën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara që ka bërë në Kosovë në këto 9 vjet. Roli i UNMIK-ut sot është i tejkaluar. Kosova ka Kushtetutën dhe institucionet legjitime dhe ne do t’i marrim vendimet tona në përputhshmëri me vullnetin dhe interesat tona nacionale”, deklaroi Thaçi.

Për ditën e sotme, UNMIK-u kishte thirrur një takim, ku Prishtina dhe Beogradi ishte paraparë që të diskutojnë në nivele të ekspertëve për çështje të trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë.

Mirëpo, një takim i tillë nuk është mbajtur. Institucionet e Kosovës thonë se UNMIK-u do ta ketë përgjigjen e njëjtë negative edhe për fushat tjera, për të cilat mëton të organizojë bisedime, siç janë policia, gjykatat, doganat e fusha të tjera, të cilat nga Prishtina zyrtare konsiderohen si çështje të brendshme të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG