Ndërlidhjet

Protestë e serbëve në veri


Mitrovicë - Ura qendrore

Mitrovicë - Ura qendrore

Mijëra serbë, përmes një proteste në Mitrovicë, kanë kërkuar shpërbërjen e FSK-së dhe mosaplikimin e ligjeve të Kosovës në veri. Ata po ashtu kërkuan kthimin e policisë së UNMIK-ut, ndërsa nga KFOR-i dhe EULEX-i kërkuan të jenë neutralë ndaj statusit.


Shpërbërja e FSK-së, mosvendosja e doganave të EULEX-it në veri dhe mosaplikimi i ligjeve dhe akteve shtetërore, kanë qenë kërkesat kryesore të rreth 3 mijë serbëve, të shpalosura në protestën e mbajtur në veri të Mitrovicës.

Duke e cilësuar si formacion anti-serb, ata kanë kërkuar shpërbërjen e FSK-së, ndërsa nga serbët dhe joshqiptarët kërkuan që të mos bëhen pjesë e saj.

Ndërsa, duke vënë në pah ndihmën që KFOR-i ka dhënë në ngritjen e kësaj force, kreu i të ashtuquajturit qark i Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq, ka deklaruar se ata që marrin pjesë në krijimin e FSK-së, tregojnë njëanshmërinë e tyre.

"Kanë treguar se nuk janë neutralë ndaj statusit dhe se po mbajnë anën e shqiptarëve dhe po zbatojnë Planin Ahtisaari, i cili nuk është konfirmuar nga Këshilli i Sigurimit", tha Nedelkoviq, duke kritikuar edhe vendimin e EULEX-it për funksionalizimin e doganave në pikën 1 dhe 31 në kufi me Serbinë.

Nedelkoviq ka kërkuar që njësia speciale e Policisë së Kosovës, e njohur si ROSA, të mos kalojë në pjesën veriore të Mitrovicës, në mënyrë që "të mos provokohen banorët dhe incidentet".

Kreu i Komunës së Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq, ka theksuar se formimi i FSK-së shkel Rezolutën 1244 dhe se qytetarët do ta mbrojnë territorin e vet, nëse tentohet shtrirja e FSK-së në veri.

"Nuk do të lejojmë asnjë veprim të njëanshëm, as të EULEX-it, e as të KFOR-it. I porosisim të rinjtë tanë, serbët tanë, Qeverinë, që të luftojnë për jetën tonë këtu në Kosovë", tha Ristiq, duke kërkuar nga Beogradi qartësi nëse do të ketë ose jo zbatim të gjashtëpikëshit.

Në anën tjetër, kreu i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës, Milan Ivanoviq, ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar rikonfirmimin e Rezolutës 1244, realizimin e planit gjashtëpikësh, rivitalizimin e UNMIK-ut dhe kthimin e policisë së UNMIK-ut.

"Këtu është Serbi, kurrë nuk do të pranojmë as formacion paraushtarak e as formacion terrorist",
tha Ivanoviq.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, njoftoi se protesta ka qenë e qetë dhe ka përfunduar pa incidente.

"Protesta është përcjellë me pjesëmarrje të rreth 3000 protestuesve, të cilët nga vendi i tubimit kanë marshuar drejt rrugës ‘Mbreti Petër’, në drejtim të gjykatave të qarkut dhe asaj komunale në veri të Mitrovicës”.

“Protesta është konsideruar të ketë përfunduar rreth orës 13:00, me shpërndarjen e qetë të protestuesve. Nuk është shënuar për incidente. Pjesëtarë të Policisë së Kosovës të stacionit veri në Mitrovicë kanë siguruar mbarëvajtjen e protestës, ndërsa njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës dhe atyre të EULEX-it kanë qenë në gjendje gatishmërie", tha Hoti.

Më kërkesa të njëjta, serbët kanë bllokuar javën e kaluar rrugët në pikat kufitare në pjesën veriore të vendit.

Ndryshe, që nga shpallja e pavarësisë, vitin e kaluar, serbët kanë mbajtur kohë pas kohe protesta për të kundërshtuar forcimin e shtetit të Kosovës, disa nga të cilat edhe kanë përfunduar me pasoja.

Në mars të 2008-ës, nga trazirat e shkaktuara pas protestave, qe vrarë një polic ukrainas. Ndërsa, në shkurt të po atij viti qenë djegur dy pikat doganore në Jarinë dhe Zubin Potok, të cilat edhe mbeten jashtë funksionit për afër një vit.
XS
SM
MD
LG