Ndërlidhjet

Ndarja e nxënësve në Strugë rrezikon shumetnicitetin


Turnet etnike në shkollën e mesme të Strugës, si tentim për zgjidhjen e problemeve që paraqiten mes nxënësve shqiptarë dhe maqedonas, kanë shkaktuar reagime tek Sindikata e Arsimit, Kulturës dhe Shkencës dhe tek Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë, të cilat thonë se ky veprim nuk i ndihmon rritjes së tolerancës dhe mirëbesimit ndëretnik.

Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë dënon ndarjet mbi baza etnike që ndodhin në Maqedoni.

“Ne e gjykojmë ashpër ndarjen në Strugë, sepse ajo mund të na çojë në ndarje të tjera më të thella, sepse ne kemi probleme mes nxënësve shqiptarë dhe maqedonas sidomos në Kumanovë, Shkup dhe Strugë dhe në disa shkolla të mesme - kemi nxënës më shumë se 80 % shqiptarë dhe nuk kemi ndarje. Për atë arsye, ne ashpër i gjykojmë këto ndarje dhe patjetër Qeveria të ndërmarrë masa që të mos ketë ndarje në asnjë qytet të vendit”, tha Nuhi Dardhishta, kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë.

Sipas zotit Dardhishta, turnet klasike etnike janë karakteristikë edhe e shkollave të mesme në Kumanovë, ndërsa në Tetovë nxënësit shqiptarë dhe maqedonas mësojnë në objekte të ndara.

Ndërkaq, nxënësit shqiptarë dhe maqedonas të gjimnazeve ‘Zef Lush Marku’ dhe ‘Nikolla Karev’, që janë të vendosura në një objekt, mësojnë në turne të ndara, por, sipas drejtuesve të këtyre shkollave, kjo ndodh për shkak të mungesës së ambienteve, ndërsa të gjitha shkollat tjera janë të përbashkëta.

Sindikata e Pavarur e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës nuk pajtohet me vendimin për ndërrime etnike në shkollën e mesme të Strugës. SPASHK-u tërheq vërejtjen nga rreziqet e mëdha që mund të lindin nga një zgjidhje e këtillë e papranueshme edhe në shkollat tjera me përbërje të përzier etnike.

Kjo zgjidhje, sipas Sindikatës së Arsimit, do të ishte fitore për të gjithë që janë për ndarje në baza etnike në Maqedoni.

Profesori universitar, Zvonimir Jankullovski, thotë se ngjarjet e fundit në Strugë edhe një herë dëshmuan se marrëdhëniet ndëretnike mund të shfrytëzohen për keqpërdorime politike dhe se nxisin frikën nga ndarja etnike e Maqedonisë.

“Nuk do të kisha nënçmuar shkallën e rrezikut që e sjell segregacioni i këtillë etnik në Maqedoni. Ndarjet e fundit në Strugë e rrëzojnë konceptin e jetës shumetnike, tolerancës dhe respektimit të ndërsjellë që ekziston në Maqedoni”, tha Jankullovski.

Sipas tij, tensionet etnike rriten me ndihmën e politikës sidomos në prag të zgjedhjeve lokale dhe presidenciale, që do të mbahen më 22 mars.
XS
SM
MD
LG