Ndërlidhjet

Clinton shpreson për bisedime me Iranin


Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton tha se shpreson që Shtetet e Bashkuara dhe Irani do të kenë rastin për "të punuar mbi mënyrat e bisedimeve", të cilat do të çonin drejt mirëkuptimit ndërmjet dy vendeve mbi një varg çështjesh.

Gjatë një paraqitje me ministrin e Jashtëm të Çekisë, Karel Schwarzenberg, Clinton u pyet për deklaratën e presidentit Mahmud Ahamadinejad, se Irani do t'i mirëpriste bisedimet me Uashingtonin nëse ato do të bazoheshin mbi respektin e ndërsjellë.

"Ne ende këmbëngulim në pikëpamjen se Irani nuk do të duhej të ketë armë bërthamore, dhe do të ishte shumë fatkeqe që t'i sigurojë. Shpresojmë se në të ardhmen do të kemi mundësi për mirëkuptim të ndërsjellë", tha Clinton.

Irani dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë marrëdhënie diplomatike për afro 30 vjet.

Clinton tha se kërcënimet se Irani mund të zhvillojë raketa balistike të afta për të goditur Evropën qendrore dhe perëndimore, ishin forca kryesore që i shtynë përpara përpjekjet amerikane për vendosjen e sistemit mbrojtës antiraketor në Poloni dhe Çeki.

"Nëse do të mund të shohim ndryshime në sjelljen e iranianëve për të siguruar armë bërthamore, atëherë mund të rishqyrtojmë qëndrimin tonë për mburojën antiraketore. Por jemi shumë larg nga provat e tilla", tha Sekretarja e Shtetit.

"Shqetësimet tona rreth mburojës antiraketore janë kryesisht teknike", tha Clinton.
XS
SM
MD
LG