Ndërlidhjet

logo-print

FSK kërkon pjesëmarrjen e serbëve


Pjesëtarë të FSK-së

Pjesëtarë të FSK-së

FSK nuk rrezikon askënd dhe mbetet e hapur për pjesëtarët e pakicës serbe, thonë zyrtarë të Ministrisë së FSK-së. Ndërkaq, përfaqësuesit e serbëve e shohin të nevojshëm një dialog serbo-serb para se të merret vendimi për pjesëmarrje.


Me gjithë kundërshtimet që vijnë nga serbët e veriut të Kosovës dhe Beogradi zyrtar, Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës sërish fton serbët që të përfshihen në FSK.

Zëvendësministri Behxhet Brajshori ka thënë se kjo forcë nuk rrezikon askënd, përkundrazi është në shërbim të të gjitha komuniteteve në vend. Ai ka thënë se ende mbesin të rezervuara vendet e një zëvendësministri dhe zëvendëskomandantit të forcave tokësore për serbët.

Ndërsa, deri tash, 6.5 për qind e të selektuarve janë nga pakicat apo 92 persona, nga të cilët 6 janë serbë.

“Orientimi ynë si FSK, në bashkëpunim me NATO-n, është që kjo përqindje, pas rekrutimit në këtë fazën shtesë, të jetë 10 për qind. Besoj se kjo do arrihet në periudhën e ardhshme. Por, mbetet nevoja e angazhimit të vazhdueshëm dhe angazhimit të të gjithëve për të marrë pjesë në fazën e rekrutimit dhe të fazave tjera, flas për të gjitha komunitetet, pra edhe për atë serb”, u shpreh Brajshori, në debatin mbi FSK-në, të mbajtur në Qendrën Mediale në Çagllavicë, afër Prishtinës.

Ligji për FSK-në parasheh që 10 për qind të pjesëtarëve të saj të jenë nga pakicat.

Bojan Stojanoviq është njëri nga serbët që merr pjesë në institucionet e Kosovës.

Ai është zëvendëskryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri. Megjithatë, ai nuk ka një qëndrim të qartë se çfarë duhet të bëjnë serbët në lidhje me pjesëmarrjen ose jo të tyre në FSK.

Ai thotë se së pari është i nevojshëm një dialog i brendshëm mes vetë serbëve, në mënyrë që të merren vendime të arsyeshme.

“Fakt është se kjo forcë do të jetë e kontrolluar nga NATO dhe në çdo rast ne duhet ta kemi dikë që t’i besojmë, dikë që na ofron mbrojtje. Nuk mund të sillemi çdoherë në mënyrë të papërgjegjshme. Sa i përket këtij formacioni prej 2500 pjesëtarësh, mendoj se është e qartë se nuk paraqet formacion serioz ushtarak”, tha Stojanoviq.

Analisti për çështje të sigurisë, Ramadan Qehaja, tha se bojkotimi i FSK-së, por edhe institucioneve tjera kosovare nga ana e serbëve, rëndon gjendjen edhe ashtu të brishtë të sigurisë në Kosovë. Por, sipas tij, FSK-ja nuk është forcë ofensive dhe nuk paraqet rrezik për askënd, përfshirë Serbinë.

“2500 pjesëtarë të një force mbrojtëse, siç është FSK, nuk paraqesin fuqi që do të rrezikonte dikë, e posaçërisht Serbinë, siç po tentohet të paraqitet në opinion kjo forcë”, tha Qehaja.

Forca e Sigurisë e Kosovës do të ketë 2500 pjesëtarë të armatosur lehtë me 800 rezervistë dhe fillimisht do të jetë përgjegjëse në fusha si reagimi ndaj krizave, mbrojtja civile dhe demontimi i lëndëve shpërthyese.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG