Ndërlidhjet

Kosova larg integrimit në BE


Njohja e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të jetë parakusht për nisjen e procedurave konkrete drejt integrimit në Bashkimin Evropian, thonë ekspertë për çështjen e integrimeve evropiane në Kosovë, ndërkaq zyrtarë të Qeverisë janë optimistë që brenda dy vjetëve të ardhshëm, do të shihen të arritura të dukshme në këtë drejtim.

Eksperti për integrime në Bashkimin Evropian, Shenoll Muharremi, thotë se rruga për aderim në BE është shumë e gjatë, por për ta përshpejtuar këtë proces, duhet që Kosova të njihet si shtet nga vendet e BE-së. Megjithatë, zoti Muharremi vlerëson se autoritetet kosovare ende nuk kanë dëshirë të madhe për t’u marrë me këtë proces.

"Duhet ta konstatojmë që është një rrugë e gjatë dhe nuk është diçka që po flitet se Kosova do të mund të aderojë në 2010-2012. Janë fazat, të cilat duhet të kalojnë. Kosova aktualisht është në një fazë shumë të hershme të integrimit të saj në hapësirat evropiane", thotë Muharremi.

Sipas tij, arsyet e tranzicionit që ka ndodhur në Kosovë pas luftës dhe zgjidhja e statusit, kanë penguar Kosovën që të konsolidohet në atë shkallë që të marrë pjesë aktivisht në këto procese.

Përveç krijimit të një strategjie konkrete për integrim, sfidë e madhe për t’i përmbushur kriteret drejt anëtarësimit në BE, sipas zotit Muharremi, është edhe sundimi i ligjit.

Zoti Muharremi shprehet mjaft kritik sa i përket sistemit gjyqësor. Sipas tij, drejtësia në Kosovë është në një situatë të mjerueshme dhe se ende nuk ka indikacione se kush është duke u marrë për reformimin e kësaj fushe.

"Me definimin e statusit, menduam që u zgjodh ai problem dhe që Kosova do të marrë pjesë fuqimisht dhe do të bëhet anëtare e barabartë me të gjitha vendet e rajonit. Kjo nuk ndodhi, pasi që disa nga vendet e BE-së nuk njohën Kosovën. Mosnjohja po i shkakton probleme të mëdha Kosovës në këtë proces", tha zoti Muharremi.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës konsiderojnë se Kosova, sa i përket këtij procesi, është duke shkuar në rrugën e duhur, ndonëse krahasuar me shtetet tjera, mbetet shumë mbrapa.

Kryeshefi i Agjencisë për Koordinim, Zhvillim dhe Integrime Evropiane, Edon Cana, thotë se janë në proces e sipër në revidimin e planit të veprimit të partneritetit evropian, i cili do të bazohet në raportin e progresit të BE-së.

Ai thotë se brenda dy muajsh do të kenë një plan të veprimit të partneritetit evropian, ndërkaq deri në fund të vitit do të bëhet studimi i fizibilitetit, i cili shpresohet të jetë pozitiv.

Zoti Cana vlerëson se nëse do të ekzistojë një vullnet politik, i cili do të materializohet në hapat konkretë, atëherë studimi i fizibilitetit do të jetë pozitiv dhe më pas do të ketë përshpejtim të procesit të integrimeve evropiane.

"Nëse kemi një studim të fizibilitetit pozitiv, ai di të ndikojë në një marrëdhënie shumë pozitive dhe një marrëveshje kontraktuale me BE-në, të cilën Kosova momentalisht nuk e ka. Kosova është i vetmi shtet në Ballkanin perëndimor që nuk ka një marrëveshje të tillë me BE-në", thotë Cana.

Se kur do të mund të shihen ndryshimet sa i përket këtij procesi, zoti Cana thekson se dy vjetët e ardhshëm janë kyçë, ku edhe do të mund të shihen progrese të dukshme.

Levent Kora, analist për programe nacionale në UNDP, thotë se duke pasur parasysh që Kosova është një vend më i vogël, atëherë integrimi në BE është më i lehtë.

"Për këtë arsye, nuk duhet të jemi të frikësuar, duhet të jemi optimistë në këtë drejtim. Kosova është një shtet i vogël, por që ka mjaft përgjegjësi në këtë proces. Duhet të jemi më seriozë në këtë drejtim dhe duhet t'i kryejmë obligimet tona", thotë Kora.

Ndryshe, Komisioni Evropian kishte filluar në vitin 2002 Mekanizmin Përcjellës të Stabilizim Asociimit të Kosovës me BE-në. Ky mekanizëm ishte një improvizim i procesit të Stabilizim Asociimit të Brukselit me vendet kandidate për anëtarësim në BE.
XS
SM
MD
LG