Ndërlidhjet

logo-print

Kritikat e Feithit (s')befasojnë Prishtinën


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës shprehin rezerva lidhur me kritikat e shefit të ICO-së, Pieter Feith, të bëra në adresë të institucioneve të Kosovës për mungesë transparence e llogaridhënieje në shpenzimin e parave publike. Por, opozita i mbështet ato.



Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe ata të opozitës e vlerësojnë në mënyra të ndryshme fjalimin e Përfaqësuesit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith, ku mes tjerash ai kritikon Parlamentin dhe Qeverinë për mungesë transparence e llogaridhënieje në shpenzimin e parave publike, si dhe për formën e vendimmarrjes.

Ndërsa kryetari i Kuvendit dhe kryeministri i Kosovës i marrin me rezerva konstatimet e Pieter Feithit, të bëra para Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, opozita i mbështet vlerësimet e tij.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ndonëse e përshëndet angazhimin e Pieter Feithit, thotë se Qeveria e tij po punon në transparencë të plotë para Kuvendit, duke mos u pajtuar me konstatimin e kundërt të shefit të ICO-së.

“Qeveria e ka agjendën e vet, ndërsa Parlamenti i ka obligimet e veta, gjithashtu kushtetuese, dhe Qeveria jep llogaridhënie në Parlament dhe para gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ne jemi në konsolidim të demokracisë dhe do ta zhvillojmë atë edhe më tutje”, tha Thaçi.

Duke iu përgjigjur shefit të ICO-së, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se Feith është dashur që fillimisht vërejtjet e tij t’ua transmetojë institucioneve të Kosovës, marrë parasysh se ato kanë takime të rregullta me Zyrën Civile Ndërkombëtare.

Sidoqoftë, Krasniqi tha se Qeveria në çdo vend e përcakton në masë të madhe agjendën e punës së Kuvendit, pasi që ligjet dhe nismat e ndryshme i adresohen legjislativit pikërisht përmes Qeverisë.

“Jam i befasuar me këto vërejtje, jo pse janë thënë, por pse nuk janë thënë në takimet që kemi mundur t’i kemi në çdo kohë dhe kurdo që të kishte kërkuar Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar. Kuvendi nuk është ‘hajd park’, këtë duhet ta dinë të gjithë, dhe Kuvendi punon me Kushtetutë, e ka një rregullore të punës dhe kërkon edhe procedura”, deklaroi Krasniqi.

Ndërkohë, opozita thotë se vërejtjet e Pieter Feithit kanë qenë vërejtje të vazhdueshme edhe të opozitës. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, thotë se është mirë që Feith i ka bërë këto vërejtje në një nivel aq të lartë, në mënyrë që të ketë një ndikim pozitiv në evitimin e këtyre lëshimeve në të ardhmen.

“Agjendën e Kuvendit qe një vit nuk e krijon Kuvendi. Unë jam anëtar i Kryesisë; ne formalisht vendosim për një rend dite, e kur vijmë në seancë plenare, ka ndryshim në atë rend dite; një ditë me votim seanca plenare e heq prej rendit të ditës një çështje, kurse vjen kryeministri dhe thotë se duhet të jetë ky ligj përsëri në votim. Prandaj, nuk ka mbikëqyrje parlamentare të asnjë veprimi të qeverisjes”, vlerëson Daci.

Po ashtu, edhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, mbështet vlerësimet e Pieter Feithit, duke thënë se ndante vlerësime të njëjta për punën e Kuvendit dhe të Qeverisë me shefin e ICO-së.

“Zoti Pieter Feith e ka vërtetuar atë që e ka thënë opozita në vazhdimësi, se Parlamenti është i dirigjuar ekskluzivisht nga Qeveria. Ju e dini që shumë seanca, nga të gjitha seancat që janë mbajtur, janë dirigjuar nga orari që e ka përcaktuar Qeveria dhe me ndërhyrje të drejtpërdrejta publike që i ka bërë kryeministri në raste të veçanta”, theksoi Isufi.

Ndryshe, Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith, gjatë fjalimit para Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, mes tjerash, ka kritikuar edhe institucionet e Kosovës për përparim jo të duhur, sidomos në llogaridhënie dhe transparencë në shpenzimin e parave publike dhe ato të donatorëve. Po ashtu ka thënë se Parlamenti i Kosovës nuk është sa duhet i kyçur në vendimmarrje dhe se shumë vendime ende merren vetëm në Qeveri, pa ndonjë përfshirje të rëndësishme të Parlamentit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG