Ndërlidhjet

Policia e Kosovës njofton se ka bërë përgatitjet e duhura dhe se është e gatshme të përballet me çfarëdolloj skenari në shënimin e njëvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Edhe KFOR-i, edhe misioni i Bashkimit Evropian për polici dhe drejtësi, EULEX, zotohen të jenë të gatshëm që në rast nevoje, t’i marrin masat e duhura për ta mbajtur nën kontroll situatën.


Policia e Kosovës ka përgatitur plane të ndryshme operative për të mbajtur nën kontroll situatën e sigurisë në ditën e shënimit të njëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt.

Këto plane parashohin shtimin e masave të sigurisë në zona të ndryshme në Kosovë, patrullime më të shpeshta, sidomos në zonat e banuara me minoritete, dhe vigjilencë të shtuar të pjesëtarëve të policisë. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, thotë se planet operative të policisë kosovare përfshijnë dhe veriun e Kosovës.

"Planet operative përfshijnë masat shtesë të sigurisë, patrullime shtesë në këmbë, patrullime në zona të ndjeshme, të vlerësuara si të tilla nga ana e Policisë së Kosovës, patrullimet në zonat e banuara me minoritete, si dhe vigjilencë të shtuar nga ana e zyrtarëve policorë", tha Beka.

Serbët e pjesës veriore të Mitrovicës, ndërkohë, kanë paralajmëruar se do të organizojnë një varg aktivitetesh për të shprehur pakënaqësitë e tyre për shënimin e njëvjetorit të, siç e quajnë ata, "shpalljes ilegale të pavarësisë" së Kosovës.

Policia e Kosovës
Zëdhënësi i Policisë, Beka, thekson se policia kosovare do të jetë e gatshme të ballafaqohet me çfarëdolloj situate.

"Mund të ketë protesta edhe në prag të festimit të njëvjetorit të shpalljes së pavarësisë, mirëpo policia është e gatshme të ballafaqohet me tensione të ndryshme që mund të paraqiten dhe me protesta të ndryshme. Por, besojmë se gjithçka do të kalojë qetë", theksoi ai.

Misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit, EULEX, nuk ka dhënë asnjë koment rreth përgatitjeve të këtij mekanizmi për 17 shkurtin.

Zëdhënësja e Policisë së EULEX-it, Karin Limdal, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se për shkaqe sigurie, nuk mund të bëhen publike planet e Policisë së EULEX-it për veprimet në njëvjetorin e pavarësisë së Republikës, por është zotuar se EULEX-i, në bashkëpunim me autoritetet tjera përgjegjëse të sigurisë në Kosovë, do të jetë i gatshëm të menaxhojë situatën e sigurisë.

Pjesëtarë të EULEX-it
"EULEX-i që nga operacionalizimi i tij më 9 dhjetor është shtrirë në tërë Kosovën, duke përfshirë veriun. Ne jemi të gatshëm që në të ardhmen, në bashkëpunim me homologët tanë, si palë që ka përgjegjësinë kryesore për sundimin e ligjit në Kosovë dhe KFOR-in, të përballemi me çfarëdolloj situate. Mirëpo, ne do të preferonim të mos spekulonim për ngjarjet e ardhshme që mund të ndodhin. Për shkaqe sigurie, ne nuk mund të japim informata për planet tona operative",
tha Limdal.

Misioni i NATO-s në Kosovë, si mision i vetëm ushtarak përgjegjës për siguri, mohon të ketë plane të veçanta lidhur me masat e sigurisë përgjatë 17 shkurtit. Zëdhënësi i KFOR-it, Adriano Grazziani, sqaron:

"Nuk kemi paraparë marrjen e masave të veçanta. KFOR-i do të vazhdojë të kryejë misionin e vet, duke zbatuar masat e nevojshme për të mbajtur një ambient të qetë dhe të sigurt",
tha Grazziani.

Mbajtja nën kontroll e situatës së sigurisë në përvjetorin e parë të pavarësisë së Kosovës është vlerësuar si më sfiduese në pjesën veriore të Kosovës, të banuar më shumicë serbe.
XS
SM
MD
LG