Ndërlidhjet

Kriza globale prek Kosovën


Ekspertë të çështjeve ekonomike thonë se autoritetet kosovare duhet të marrin masa adekuate për kontrollimin e krizës globale ekonomike, e cila ka filluar të ndihet edhe në Kosovë. Sipas tyre, gjendja ekonomike sociale e qytetarëve të Kosovës çdo herë e më shumë po rëndohet nga kriza ekonomike globale.


Qeveria e Kosovës duhet t'i marrë masat e duhura për t’u përballur me krizën ekonomike globale, vlerësojnë ekspertë për çështje ekonomike në Prishtinë. Sipas tyre, tani në Kosovë vetëm janë duke u vërejtur në mënyrë direkte dhe indirekte shenjat e para të kësaj krize.

Flamur Keqa, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se kriza ekonomike globale ende nuk e ka prekur Kosovën në masë të madhe, por që elementet e para tani vetëm janë duke u parë.

"Elementet e para të krizës po shihen si duket në sektorin e eksporteve, ku gjatë muajve të fundit shihen trendet e rënies së eksporteve kosovare kundrejt shteteve në rajon dhe në Evropën perëndimore", thotë Keqa.

Se në çfarë mase do të mund të preket ekonomia kosovare nga kriza globale, ai thotë se kjo do të varet nga trendet që po ndodhin në tregjet botërore. Sipas tij, nëse vendet e industrializuara, të cilat janë të prekura më së shumti nga kriza globale, marrin hapa të duhur dhe adekuatë për të amortizuar këtë krizë në aspektin kohor sa më të shkurtër, atëherë reprekucionet në ekonominë kosovare do të jenë më të ulëta.

"Viti 2009 dhe 2010 do të jenë një sfidë shumë e madhe për vendet e industrializuara, në mënyrë që të përpiqen që ta frenojnë këtë krizë globale. Nëse efektet e ndryshimit të amortizimit nuk vërehen shpejt tek vendet e industrializuara, kriza do ta prekë edhe më shumë Kosovën", tha Keqa.

Zoti Keqa u rekomandon institucionet relevante qeveritare që ta monitorojnë sa më afër gjendjen dhe konform ndryshimeve apo rreziqeve, të cilat mund të kenë implikime në sektorë të caktuar, të ndërmarrin hapa konkretë, në mënyre që të minimizohet kriza ekonomike globale.

Ndërkaq, eksperti për çështje ekonomike, Bedri Selmani, thotë se gjendja ekonomike sociale e qytetarëve të Kosovës çdo herë e më shumë po rëndohet nga kriza ekonomike globale.

"Kriza financiare dhe recesioni i ekonomisë globale tani sigurisht se do të ndikojnë edhe në Kosovë në mënyrë direkte dhe indirekte",
potencon ai.

Sipas profesor Selmanit, në mënyrë direkte ekonomia kosovare do të ndikohet për shkak të mosinvestimeve të huaja, të cilat janë pritur të ndodhin në Kosovë, ndërkaq në mënyrë indirekte Kosova humb shumë, për shkak se, siç thotë ai, të hyrat e mëdha materiale që i vijnë ekonomisë kosovare nga emigracioni, po zvogëlohen.

Zoti Selmani thotë se pa këto të hyra që vijnë nga emigracioni, Kosova nuk mund të qëndrojë si ekonomi.

Si element tjetër që mund të konstatohet se Kosova është prekur nga kjo krizë ekonomike globale, sipas profesor Selmanit, është edhe rënia e fuqisë blerëse në tregun kosovar. Sipas tij, që nga fillimi i këtij viti është parë se ka pasur rënie të fuqisë blerëse në treg nga 30 deri në 40 për qind.

"Është një periudhë kur Kosovës i duhet stabilitet. Duhet të fillohet nga reformat, të cilat do të ndryshojnë dhe do të bëjnë që të fillohet funksionalizmi i institucioneve shtetërore dhe i stabilitetit ekonomik”,
theksoi Selmani.

Ndërkohë, ekspertët për çështje ekonomike i rekomandojnë Qeverisë së Kosovës që të hyjnë në programin e stabilizimit ekonomik, i cili do t'i mundësojë dalje nga kriza ekonomike.
XS
SM
MD
LG