Ndërlidhjet

“Kundërshtimi i kosovarëve nuk zmbraps UNMIK-un”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Deklaratat e liderëve institucionalë të Kosovës, të cilët refuzojnë bisedimet teknike me Beogradin dhe ndërmjetësimin e tyre nga UNMIK-u, nuk do të ndikojnë në ndryshimin e mandatit të misionit të OKB-së, i cili vazhdon t’i marrë direktivat nga Këshilli i Sigurimit, kanë pohuar zyrtarët ndërkombëtarë të pranishëm në Kosovë. Këto kundërshtime nuk do t’i zmbrapsin as përpjekjet e shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zannier, që t’i ulë në tryezë autoritetet e Prishtinës dhe Beogradit, me qëllim të zgjidhjes së çështjeve të hapura që shpeshherë emërtohen si “praktike”. “UNMIK-u do të vazhdojë që të marrë direktiva nga Këshilli i Sigurimit. Në të vërtetë, në periudhën aktuale, direktivat për UNMIK-un rrjedhin nga raporti i sekretari t të përgjithshëm për Kosovën, i miratuar nga Këshilli i Sigurimit në nëntor”, ka bërë të ditur zëdhënësi i misionit të OKB-së, Russell Geekie...

LAJM
Mund të ketë reagime nervoze nga Beogradi, mund të ketë edhe provokime dhe nxitje të akteve të dhunës nga serbë lokalë në njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë, por gjithçka di të jetë OK. Më 17 shkurt do të ketë festim dinjitoz dhe të gjithë ata që pretendojnë për destabilizim, do të zhgënjehen keq, siç janë zhgënjyer edhe një vit më parë. Kështu i është përgjigjur kryeministri Hashim Thaçi ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, i cili një ditë më parë ka paralajmëruar destabilizim të situatës në Kosovë, në ditën kur e kremton përvjetorin e pavarësisë. “Në Kosovë do të ketë vetëm paqe dhe assesi dhunë. Kosova do të kremtojë në kuptim shtetëror dhe gjithëpopullor. Natyrisht, mund të ketë reagime nervoze nga Beogradi, por ne do të veprojmë me qetësinë më të madhe. Ne investojmë në fqinjësi dhe jo në destabilitet, investojmë në zgjedhje paqësore të çdo çështjeje”...

INFOPRESS
Kryeministri Hashim Thaçi e ka marrë si një konfirmim të mbështetjes ndaj Qeverisë së Kosovës fjalimi e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar në Kosovë, Pieter Feith, në Parlamentin Evropian, ku ka thënë se ka ngecje në reforma në shumë sektorë dhe se Parlamenti ka një rol të zbehtë. Kryeministri ka thënë të enjten se Feith ka përmendur problemet, me të cilat po përballet Qeveria e Kosovës, e që, sipas tij, dita-ditës po gjejnë zgjidhje. Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka thënë se Kuvendi punon me një rregullore dhe çdo gjë që ka ardhur si kërkesë bazuar në këtë dokument, është debatuar. Drejtues të partive opozitare, ndërkaq, kanë thënë se Feith ka forcuar kritikat që ata kanë dhënë me herët për Qeverinë. Feith ka deklaruar para dy ditësh në Parlamentin Evropian se ka ngecje në reforma në disa sektorë që kanë të bëjnë me luftën ndaj korrupsionit dhe transparencën institucionale...

BOTA SOT

Zgjedhja e Avokatit të Popullit ka dështuar për të pestën herë, meqë asnjë nga kandidatët e përzgjedhur nuk kanë marrë votat e mjaftueshme për udhëheqës të Institucionit të Ombudspersonit të Kosovës. Asnjëri nga tre kandidatët e përzgjedhur nga Komisioni nuk ka marrë votat e duhura, dhe pas tri rretheve të votimit, Kuvendi i Kosovës vendosi ta përsërisë edhe një herë konkursin për zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Në rrethin e parë numrin më të vogël të votave e mori ushtruesi i deritanishëm i drejtuesit të Ombudspersonit, Hilmi Jashari, vetëm 15 vota, i cili edhe nuk hyri në konkursin për rrethin e dytë, ku vazhduan konkurrencën Veton Vula, i cili mori 40 vota, ndërsa kundër-kandidatja Diana Toska 26. Kushtetuta parasheh zgjedhjen me shumicën e votave, pra më së paku 61, por, sipas drejtuesit të komisionit për votim, Ismet Beqiri, kandidati Vula nuk siguroi numrin e duhur të votave. Kryesisë së Kuvendit i mbetet që të shpallë edhe një herë konkursin për këtë pozitë...

ZËRI
Pesëshja e Quint-it dhe Treshja e BE-së, sipas burimeve diplomatike perëndimore në Prishtinë dhe në Bruksel, janë unike në qëndrimin e tyre që Prishtina dhe Beogradi duhet të zhvillojnë bisedime që dalin nga raporti i Ban Ki Moonit, sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, të 24 nëntorit të vitit të kaluar. Pesë shtetet më të mëdha perëndimore: SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Ialia, si dhe Treshja e BE-së, që përbëhet prej kryesuesit të tashëm të BE-së, Republikës së Çekisë, ish-kryesuesit, Francës, dhe atij që prej 1 korrikut 2009 do ta marrë këtë detyrë, Suedisë, janë dakorduar që temat e ngritura në raportin e fundit për Kosovën të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, duhet të jenë domosdoshmërisht pjesë përbërëse e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, pa marrë parasysh se si do të kualifikohet ai, si “dialog teknik”, apo qyshdoqoftë...

EXPRESS
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) blen energji nga kompani që nuk janë të pajisura me licenca nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, si janë të obliguara. Gazeta “Express” ka mësuar që kjo korporatë në fund të tetorit të vjetëm ka bërë tregti me dy kompani të këtilla. Fjala është për kompaninë serbe EPS dhe sllovenen GEN. Ndërkaq, Ligji për energji i obligon këto kompani se për ta realizuar këtë aktivitet, duhet të kenë licencë. “Eksporti dhe importi i energjisë elektrike bëhet nga ndërmarrjet e energjisë elektrike, të cilat kanë licencë për aktivitete të këtilla”, thuhet në paragrafin 36.1 të Ligjit të energjisë. Nga ana tjetër, zyrtarë nga Korporata e Energjisë thanë se kanë blerë rrymë nga këto dy kompani për shkak të çmimit më të ulët. “KEK është i përkushtuar të blejë energji elektrike me çmime sa më të favorshme. Dhe këto dy kompani kanë ofruar çmime më të ulëta në kohën kur korporata ka blerë energji elektrike nga to”, tha zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala...

EPOKA E RE
Kryetari i Aleancës Kosova e re, Behgjet Pacolli, në një intervistë për “Epokën e re”, ka thënë se nuk e ka ndërmend të rrijë afër askujt që mendon vetëm për dhunë. Ai ka treguar se AKR-ja dhe ia vetë personalisht nga Nexhat Daci e Ramush Haradinaj janë etiketuar e fyer në mënyra të ndryshme, si: “Njeriu i shitur”, “Punon vetëm për Qeverinë Thaçi”. Por, Pacolli është shprehur ndryshe nga ta. “Unë i respektoj Dacin e Haradinajn, nuk kam asgjë kundër tyre, por personalisht unë dhe partia ime (AKR) disa herë jemi atakuar në mënyra të ndryshme nga këta dy. Prandaj, nuk do të kemi kohë të merremi me njerëz që mendojnë në mënyrë destruktive. Po marr vetëm një shembull, askush nuk do të mund të fliste fjalë siç më kanë akuzuar...

KOSOVA SOT
Mjetet e kontribuuesve kosovarë, të cilët në mënyrë obligative i ndajnë kursimet e tyre në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, edhe gjatë 2009-ës janë duke humbur. Sipas raportit për muajin janar, kursimet e kosovarëve kanë humbur vlerën e tyre mbi tetë milionë euro, apo rënia e vlerës totale e këtyre mjeteve ka rënë në mbi 100 milionë euro deri më tani. Sipas zëvendësdrejtorit Vërshim Hatipi, vetëm në tremujorin e fundit, Trusti ka pësuar 41 milionë humbje, kundrejt 18 milionë të hyrave. Qatipi ka shtuar se edhe janari ka qenë një muaj i rëndë në tregun financiar global, që ka rezultuar me rënie të aksioneve në vlerë rreth 8 milionë euro. Sipas tij, nuk pritet ndonjë përmirësim as gjatë muajit shkurt, e ndoshta deri në fillim të vitit 2010...
XS
SM
MD
LG