Ndërlidhjet

logo-print

Ballkani, kërcënimi më i madh për Evropën në 2009

  • RFE /RL

Kongresi amerikan

Kongresi amerikan

Sfidat kryesore për stabilitetin do të vijnë nga statusi i pazgjidhur politik i pakicës serbe në Kosovë, veçanërisht në veri të vendit, si dhe nga raportet jo të lehta në mesin e komuniteteve në Bosnjë-Hercegovinë, thuhet në raportin e Inteligjencës Kombëtare Amerikane, paraqitur para Kongresit.


Drejtori i Inteligjencës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Dennis Blair, ka paraqitur para Kongresit raportin me kërcënimet kryesore të sigurisë në botë. Ballkani gjithashtu ishte pjesë e raportimit.

Ngjarjet në Ballkan sërish paraqesin kërcënimin më të madh për stabilitetin e Evropës gjatë vitit 2009, pavarësisht zhvillimeve pozitive të vitit të fundit, siç ishin shpallja paqësore e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, zgjedhja e udhëheqësve pro BE-së në Beograd dhe marrja e ftesës për anëtarësim në NATO nga Shqipëria dhe Kroacia.

Sfidat kryesore për stabilitetin do të vijnë nga statusi i pazgjidhur politik i pakicës serbe në Kosovë, veçanërisht në veri të vendit, si dhe nga raportet jo të lehta në mesin e komuniteteve në Bosnjë-Hercegovinë.

Më tej, raporti thekson faktin se mbi 50 shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ku përfshihen dhe 22 nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Në vitet që vijnë, Prishtina do të varet nga ndihma e bashkësisë ndërkombëtare për zhvillimin ekonomik, si dhe për sigurimin e integritetit territorial.

Beogradi hapur mbështet institucionet paralele të serbëve të Kosovës. Beogradi ka përdorur mjete politike dhe juridike për të sfiduar dhe zhvleftësuar sovranitetin e Prishtinës dhe për të kufizuar mandatin e EULEX-it, misioni i të cilit synon t’i ndihmojë autoritetet e Kosovës në ngritjen e policisë, drejtësisë dhe doganave shumetnike.

Dennis Blair
Kjo ka forcuar ndarjen de facto të Kosovës në pjesën jugore me shumicë shqiptare dhe në veriun e dominuar nga serbët. Një gjë e tillë ka frustruar ndjeshëm shqiptarët e Kosovës. Megjithatë, prania e KFOR-it do të ndihmojë në pengimin e përhapjes së dhunës në shkallë të gjerë.



Sa i përket Serbisë, raporti i Drejtorit të Inteligjencës Amerikane, Dennis Blair, para Kongresit thekson se me gjithë faktin se udhëheqësit serbë përkrahin një të ardhme evropiane dhe presidenti Tadiq dëshiron përparimin e shpejtë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, sërish Beogradi nuk është i vullnetshëm për të hequr dorë nga synimet ndaj Kosovës.

Beogradi vazhdon të shikojë nga Moska për ndihmë diplomatike lidhur me Kosovën dhe në këtë drejtim ishte dhe marrëveshja e përmbyllur së fundi me Rusinë në sektorin e energjisë.

Një tjetër problem që vjen nga Ballkani për sigurinë evropiane, sipas burimeve amerikane të zbulimit, është dhe Bosnja. E ardhmja e Bosnjës si shtet shumetnik është në pikëpyetje, ndonëse as ndonjë dhunë në shkallë të gjerë, as ndonjë ndarje nuk duken të mundshme në afat të shkurtër.

Agjendat etnike ende mbizotërojnë procesin politik. Mosmarrëveshjet në mesin e tre grupeve kryesore etnike, gjatë 18 muajve të fundit, kanë penguar procesin e ndërtimit të një qeverie qendrore që do ta çonte vendin drejt NATO-s dhe BE-së.

Kërcënimet për shkëputje nga krerët e serbëve të Bosnjës dhe thirrjet për eliminimin e entitetit të serbëve të Bosnjës nga disa udhëheqës boshnjakë, kanë rritur tensionet ndëretnike ndoshta në nivelin më të lartë në vite, përfundon raporti i drejtorit të Inteligjencës Amerikane, Dennis Blair, para Kongresit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG