Ndërlidhjet

logo-print

Debat i nxehtë për zgjedhjet


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Shumica e deputetëve në Kuvendin e Kosovës kanë mbështetur vendimin e presidentit Sejdiu që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 2011-ën, përderisa opozita ka kërkuar që vendimi të tërhiqet dhe zgjedhjet të shpallen për fundin e këtij viti.


Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës e kanë kundërshtuar sërish vendimin e presidentit Fatmir Sejdiu, sipas të cilit, nuk do të ketë zgjedhje parlamentare gjatë këtij viti, por në fund të vitit 2011.

Debati për zgjedhjet është iniciuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, vlerësoi se vendimi i presidentit ishte i gabuar, jashtëligjor dhe me pasoja për Kosovën.

Ardian Gjini ka kritikuar presidentin Fatmir Sejdiu për marrjen e vendimit pa konsultim me partitë politike, duke e pasur parasysh rolin e tij unifikues në Kosovë. Deputeti Gjini numëroi disa nga arsyet, pse, sipas AAK-së, duhet të mbahen zgjedhjet gjatë këtij viti.

“Pushteti në Kosovë ka degraduar. Kosova duhet të largohet prej këtij shtegu në të cilin ka hyrë. Kosova është si një anije, e cila është tërhequr prej të tjerëve deri më tash dhe në një moment kur është lëshuar vetëm dhe e ka shpallur pavarësinë, ka devijuar prej kursit. Kemi sistem të paaftë qeverisës, kemi sistem korruptiv qeverisës, kemi sistem që po i shkakton dëm Kosovës dhe vetëm zgjedhjet mund ta nxjerrin Kosovën prej këtij sistemi të gabueshëm”, tha Gjini.

Argumentet e deputetit Ardian Gjini janë kundërshtuar nga partitë në pushtet. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, tha se opozita po thirret shumë në pakon e Ahtisaarit, por rikujtoi se Kosova tash e ka edhe Kushtetutën, e cila, sipas tij, duhet të jetë bazë e çdo vendimi të rëndësishëm në Kosovë.

Krasniqi i sfidoi partitë opozitare se ato nuk mund të vijnë në pushtet me këtë fuqi që kanë.

“Nuk i konvenon Kosovës që në këtë kohë kur ajo duhet të njihet nga vendet tjera, të humbë kohë në zgjedhje të parakohshme, për të cilat nuk ka arsye. Dhe, një porosi për opozitën dhe të gjitha partitë politike - le ta harrojnë partitë politike që të vijnë në qeverisje të vendit me 10, 5 apo 7 për qind. Ai që e fiton votën nga qytetarët e Kosovës, e merr mundësinë. Jemi matur dhe e kemi konfirmuar katër-pesë herë që jemi më të fortë se ju”, deklaroi Krasniqi.

Fjalimit të Krasniqit i është kundërpërgjigjur deputetja e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Besa Gaxherri, e cila tha se kur Kushtetuta dhe Pakoja e Ahtisaarit bien në kundërshtim, vlejnë zgjidhjet e Pakos. Ajo tha se kjo Pako parasheh qartë që zgjedhjet duhet të mbahen nëntë muaj pas shpalljes së pavarësisë.

“Kemi aprovuar një Kushtetutë mbi të cilën është Pakoja e Ahtisaarit dhe ku ka papajtueshmëri, ne duhet të kthehemi tek Pakoja e Ahtisaarit. Kemi obligim që ta instalojmë demokracinë në këtë vend dhe kemi obligim ndaj dokumenteve që i aprovojmë vet”, u shpreh Gaxherri.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, doli në mbrojtje të vendimit të presidentit Sejdiu që zgjedhjet të mbahen në vitin 2011.

“Së paku e kemi një hartë zgjedhore në Kosovë. E dimë që deri më 8 janar të vitit 2012 ekzistojnë institucione legjitime, të cilat duhet të jenë funksionale. Kjo hartë zgjedhore besoj që na ndihmon të gjithë neve në realizimin e objektivave tona dhe detyrat shtetërore, kushtetuese janë në radhë të parë”, tha Haziri.

Ndërkaq, Aleanca Kosova e Re kërkoi miratimin e një deklarate politike, me të cilën Kuvendi do ta ftonte presidentin Sejdiu që t’i hapë konsultimet me partitë politike në lidhje me zgjedhjet. Por, ky propozim nuk është mbështetur nga partitë në pushtet. Kurse, jogatishmëria e pozitës për mbajtjen e zgjedhjeve këtë vit, nga opozita është cilësuar si dëshmi se qeverisja në Kosovë është në krizë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG