Ndërlidhjet

Kosova heq dorë nga masa e reciprocitetit


Kosova nuk do ta zbatojë masën e reciprocitetit ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës, thonë zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë. Ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve e konsiderojnë të padrejtë vendimin e tillë.


Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës thonë se nuk do të hyjnë në gara, siç i quajnë ata, të dështuara me Bosnjë e Hercegovinën dhe Serbinë, sa i përket masës së bllokadës për produktet që këto dy vende ua kanë vënë Kosovës që nga 3 dhjetori i viti të kaluar.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, potencon se masa absolute e reciprocitetit është një vendim që Qeveria e Kosovës nuk e konsideron si adekuat, masë kjo e cila nuk do ta zgjidhë ketë problem mes këtyre dy vendeve.

"Sa i përket embargove, janë mënyra të cilat nuk kanë sjellë lumturi te popujt e këtij regjioni, por vetëm ngatërresa. Qeveria e Kosovës ka një filozofi konform sjelljeve të qytetëruara", thotë minstri Shala.

Megjithatë, ai konsideron se qytetarët e Kosovës me sjelljet e tyre dhe në të mirë të vendit të vet, do ta bëjnë përzgjedhjen më të mirë dhe më të përgjegjshme për produktet që ata konsumojnë.

Paralajmërime të bllokimit të mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, zyrtarët e Qeverisë kanë dhënë prej dhjetorit 2008, kur ishte bllokuar nga Serbia dhe Bosnja eksporti i prodhimeve kosovare, por një gjë e tillë deri më tani nuk ka ndodhur.

Ministri Shala konfirmon se në bashkëpunim me mekanizmat ndërkombëtarë, janë në rrugë të duhur për eksportimin e produkteve të Kosovës në këto dy vende.

"Ne do t’i përzgjedhim rrugët e fundit diplomatike, do t'i përzgjedhim të gjitha mënyrat që të mos luajmë me lojëra të vjetra dhe të mos biem në grackat që disa mendje të krisura në Ballkan ende i përdorin. Por, nëse këto mënyra nuk rezultojnë me rezultatet, do të veprojmë si shtet", thotë ministri.

Ndërkohë, ekspertë për çështje ekonomike shtyrjen e këtij vendimi e quajnë humbje të madhe për Kosovën, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe politik. Eksperti për çështje ekonomike, Ibrahim Rexhepi, shpjegon:

"Mosmarrja e këtij vendimi është shumë e padrejtë. Qeveria e Kosovës duhet të identifikohet dhe të marrë forcë që të tregohet si një shtet, i cili kërkon ndikimin dhe hisen e vet në relacionet qoftë ekonomike, apo politike në rajon", tha Rexhepi.

CEFTA, vendet anëtare
Megjithatë, ai thekson se ndoshta embargoja do të ishte një masë radikale, një masë e cila nuk ka dhënë efekte të mëdha kudo qoftë që është aplikuar, mirëpo Kosova duhet të marrë vendim, duke aplikuar masa fiskale apo doganore që t'i kundërpërgjigjet qëndrimit të Bosnjës dhe Serbisë.



Në anën tjetër, Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se mosmarrja e masës së reciprocitet për këto dy vende, të cilat ua kanë vërë embargo produkteve të Kosovës, është marrë nën presionin e faktorit të jashtëm.

"Qeveria e Kosovës, edhe këtë radhë, këtë vendim e ka shtyrë, për shkak të presionit ndërkombëtar që është bërë ndaj institucioneve tona. Por, ky presion nuk është i drejtë, pasi që një presion i tillë do të duhej të bëhet për të dyja palët dhe jo vetëm për kosovarët", thotë Shahini.

Megjithatë, zoti Shahini thotë se institucionet e Kosovës duhet të marrin ndonjë vendim tjetër, duke mos njohur origjinën e produkteve të këtyre dy vendeve, në mënyrë që produktet t'u nënshtrohen proceduarve të doganimit të mallrave.

"Kosova është duke humbur shumë, për shkak të embargos. Bizneset e Kosovës janë të detyruara të bëjnë alternativa të ndryshme për eksportimin e mallrave të tyre dhe që po kushtojnë shumë", tha ai, duke shtuar se institucionet e Kosovës duhet që në të ardhmen me dialog ta zgjidhin ketë problem dhe këto barriera të eliminohen nga këto dy vende fqinje.

Ndryshe, eksporti i Kosovës në Serbi është shumë i ultë, krahas importit. Gjatë vitit 2007, Serbia kishte eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej 220 milionë eurosh, ndërsa kishte importuar vetëm 9.5 milionë euro. Ndërsa, në vitin 2008, eksporti serb në Kosovë ka rënë në 148 milionë euro dhe po ashtu ka shënuar rënie edhe importi, ku deri në muajin nëntor, 2008, ka qenë 7.5 milionë euro.
XS
SM
MD
LG