Ndërlidhjet

Nis riemërimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Komisioni i Pavarur Gjyqësor dhe i Prokurorisë ka nisur sot procesin e riemërimit të gjykatësve dhe prokurorëve në Kosovë. Procesi i riemërimit shihet si thelbësor në përmirësimin e sistemit të drejtësisë, ndërkohë që përfaqësues të Komisionit premtojnë se do të rekomandojnë kandidatët meritorë.


Ajo që po kërkohet për një kohë të gjatë në Kosovë - procesi i riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve - ka nisur sot.

Komisioni i Pavarur Gjyqësor dhe i Prokurorisë ka lansuar fazën preliminare, duke ftuar të gjithë të interesuarit që të aplikojnë për pozitat përkatëse.

Kryetari i këtij Komisioni, Timotthy Baland, një gjyqtar i pensionuar amerikan, që punon në Kosovë nga viti 2005, siguron se Komisioni do të bëjë një rishikim gjithëpërfshirës për përshtatshmërinë e të gjithë kandidatëve. Procesi i riemërimit bëhet në katër faza dhe mund të zgjasë nga 18 deri në 24 muaj.

"Komisioni - dëshiroj të theksoj se kandidatët do të vlerësohen dhe rekomandohen për emërime në bazë të meritave, me theks në kualifikimet e tyre profesionale dhe në përvojë, si dhe në integritetin e tyre profesional dhe personal”.

“Suksesi i projektit, i cili ka rëndësi jetike për të gjithë banorët e Kosovës, varet nga cilësia dhe karakteri i kandidatëve", tha në një konferencë për gazetarë, Timothy Baland, për të shtuar se kalibri i kandidatëve do të përcaktojë cilësinë e gjyqësorit dhe të prokurorisë për tërë një brez të popullatës.

Është pikërisht kjo dilema e shumë juristëve të pavarur, të cilët rekomandojnë që përzgjedhja të jetë e kujdesshme, në mënyrë që të shmangen mangësitë aktuale të sistemit kosovar të drejtësisë.

"Siç parashihet në ligjin që ka krijuar Komisionin, do të përdoret kriteri i transparencës dhe detajet në lidhje më këtë kriter do të rishikohen në bazë të urdhëresës administrative, që e ka krijuar këtë komision. Ne jemi të bindur se rekomandimet nga komisioni do të jenë të standardeve më të larta", tha Baland.

Në krijimin dhe funksionimin e Komisionit të Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial, i cili u themelua vitin e kaluar, ka kontribuar Komisioni Evropian me 5 milionë euro dhe Qeveria e SHBA-ve me 1 milion dollarë.

I ngarkuari me punë në Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Kjartan Bjornsson, vlerëson se lansimi i procesit të aplikimit shënon një fillim të ri për sistemin gjyqësor në Kosovë, sepse promovon një sistem gjyqësor të pavarur dhe profesional.

"Është e qartë se puna e KPGJP-së nuk do t’i zgjidhë të gjitha problemet e sistemit të drejtësisë në Kosovë, por paraqet një hap përpara, për të siguruar se kemi një gjyqësor që i përmbush standardet më të larta profesionale. Një gjyqësi e pavarur shërben si një kontrollues i Qeverisë dhe Parlamentit, për të siguruar kështu mbrojtjen e qytetarëve", tha Kjartan Bjornsson.

Ushtruesja e detyrës së zëvendësshefit të Ambasadës Amerikane, Colleen Hyland rekomandon një punë më të shpejtë në rizgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

"Qytetarët e Kosovës duhet të jenë të bindur se gjykatësit dhe prokurorët do të jenë burra dhe gra që kanë integritet dhe aftësi. Puna e KPGJP-së është thelbësore për ta çuar këtë vend përpara. Një thënie amerikane thotë: ‘Vonesa në drejtësi është mohim i drejtësisë’”, tha Colleen Hyland.

Komisioni i Pavarur Gjyqësor dhe i Prokurorisë është trup autonom i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ndërsa mandati i tij është përshkruar në Urdhëresën Administrative të UNMIK-ut 2008/2. Institucionet e Kosovës, edhe në bazë të Kushtetutës, do ta aplikojnë këtë urdhëresë, për shkak se Neni 150 qartëson se procesi i emërimit duhet të kryhet në harmoni me urdhëresën administrative 2008/2.

Ndryshe, emërimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve e bën presidenti i Kosovës, pas propozimeve të Këshillit Gjyqësor apo Prokurorial.
XS
SM
MD
LG