Ndërlidhjet

Jones: SHBA mbështesin dialogun nëse bien dakord palët


Stuart Jones
Stuart Jones

"SHBA-të kanë vullnetin të ulen në tryezën e bisedimeve mes Kosovës e Serbisë, nëse ftohen, për të ndihmuar ecjen përpara të këtij procesi. Por, që kjo të ndodhë, varet nga palët', thotë Stuart Jones.


Stuart JONES, zëvendës-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit




RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Jones, po mbushet një vit nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Në perspektivën amerikane, si ka ecur shteti i Kosovës?

STUART JONES
Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të urojnë popullin dhe Qeverinë e Kosovës në njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt.

Ka qenë një vit i mbushur me punë të jashtëzakonshme dhe arritje. Populli dhe Qeveria e Kosovës kanë me çfarë të krenohen.

Kemi parë gjatë një viti Kushtetutën e re, dhjetëra ligje të miratuara, kilometra të tëra rrugë të reja dhe dhjetëra shkolla të ndërtuara. Kudo që t'i hedhësh sytë në Prishtinë, dhe unë isha atje vetëm pak javë më parë, sheh shenja përparimi.

Duke folur në emër të Shteteve të Bashkuara, mund të them se jemi shumë krenarë që kemi qenë pjesë e këtij procesi.

RADIO EVROPA E LIRË
Me gjithë përparimin e shënuar, së fundi drejtori i Zbulimit Kombëtar Amerikan, Dennis Blair, përcaktoi Ballkanin, e në veçanti statusin e pazgjidhur të serbëve të Kosovës, si sfidën kryesore për Evropën. Çfarë kuptohet me status të pazgjidhur politik të serbëve të Kosovës? A është kjo shenjë e ndonjë ndryshimi të mundshëm në politikën amerikane ndaj veriut të Kosovës?

STUART JONES
Jo, jo, aspak. Më duhet të flas drejtpërdrejt me zotin Blair, por ajo që ai nënkupton, është fakti se ka ende njerëz në Kosovë që nuk e njohin apo nuk e respektojnë autoritetin e Qeverisë në Prishtinë.

Ky është një problem që duhet të adresohet dhe për këtë arsye misioni i Bashkimit Evropian për rend e ligj është vendosur në gjithë Kosovën. Misioni po përpiqet të njehsojë gjithë strukturat e rendit dhe ligjit nën një administratë të vetme.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, nuk është sekret se veriu i Kosovës paraqet sfidë për autoritetet vendore. Cili është qëndrimi amerikan ndaj zhvillimeve në veri?

STUART JONES
Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara është se respektojmë sovranitetin e Kosovës brenda kufijve të saj.

Ne po punojmë përmes EULEX-it dhe strukturave të tjera ndërkombëtare për të zgjidhur dallimet, në mënyrë që Qeveria në Prishtinë të ushtrojë autoritetin në gjithë territorin e vendit.

RADIO EVROPA E LIRË

A po punoni me Beogradin për çështjen e serbëve të Kosovës dhe cilat janë sinjalet që vijnë nga Serbia?

STUART JONES

Padyshim, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë në kontakt me Qeverinë në Beograd. Ne po punojmë për marrëdhënie konstruktive me Serbinë, ndonëse është e qartë se kemi mosmarrëveshje rreth Kosovës.

Ne do të dëshironim që t'i zgjidhnim këto dallime dhe po punojmë në rrugë pragmatike për t’i adresuar dallimet në qëndrime.

RADIO EVROPA E LIRË
Një nga mënyrat e rekomanduara për zgjidhjen e dallimeve është dhe propozimi i Ban Ki Moonit për bisedime teknike Prishtinë-Beograd. Kosova ka thënë se do të bisedojë me Beogradin vetëm si shtet sovran dhe me ndërmjetësimin e SHBA-ve dhe BE-së. A planifikojnë SHBA-të të përfshihen në një dialog të tillë të mundshëm?

STUART JONES
Shtetet e Bashkuara do të mbështesin çdo lloj dialogu mes Prishtinës e Beogradit, për të cilin bien dakord palët. Ne kemi vullnetin të ulemi në tryezën e bisedimeve, nëse ftohemi, për të ndihmuar ecjen përpara të këtij procesi.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, a do ta shtyni përpara një dialog të tillë?

STUART JONES

Mendoj se ne do të mbështesim çdo lloj dialogu dhe i nxisim të dyja palët që të punojnë drejt këtij qëllimi.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, nuk do të jeni nismëtar i një dialogu të mundshëm, apo jo...?

STUART JONES
Mendoj se iu përgjigja pyetjes suaj. Ne e mbështesim dialogun dhe mendoj se jemi të vullnetshëm të marrim pjesë në të, nëse do të ftohemi. Por, që kjo të ndodhë, varet nga palët.

RADIO EVROPA E LIRË
Tashmë shumëkush është i njohur me krizën globale financiare dhe SHBA-të janë goditur nga kjo krizë. A do të ndikojnë zhvillimet e brendshme ekonomike në përfshirjen amerikane në projektet e zhvillimit në Kosovë dhe në rajon?

STUART JONES

Keni të drejtë - gjithë bota po përpiqet t'i përshtatet kushteve të reja ekonomike. Shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara, në Evropë dhe në Kosovë po vuajnë pasojat e kësaj krize.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë plan për t’u tërhequr nga angazhimet politike apo ekonomike në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Përveç Kosovës, cilat janë shqetësimet e tjera të administratës së re amerikane në Ballkan?

STUART JONES
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbeten shumë të angazhuara në Ballkan. Ne mbështesim zhvillimin dhe qëndrueshmërinë politike në gjithë rajonin. Po punojmë ngushtë në Bosnjë-Hercegovinë dhe po mbështesim proceset në tërësi në rajon.

Mendoj se ka një numër zhvillimesh pozitive, por na duhet të vazhdojmë të punojmë.
XS
SM
MD
LG