Ndërlidhjet

logo-print

Ekonomia shqiptare - jo imune ndaj krizës


Ekonomia shqiptare nuk do të jetë imune ndaj krizës që ka përfshirë shumë vende të botës. Por, qeveria dhe opozita ndajnë qëndrime të ndryshme mbi shkallën e përfshirjes së vendit, ndërsa kemi hyrë në muajin e dytë të vitit 2009.

Ish-ministri i Financave në qeverinë socialiste, Arben Malaj, flet për disa efektet e para të krizës - reflektim, sipas tij, i situatës ekonomike të vendeve, me të cilat Shqipëria ka marrëdhënie tregtare.

"Shenjat e para duken në nivelin e dërgesave të emigrantëve. Për fat të keq, partnerët tanë tregtarë mendohen se janë nga të sëmurët kryesorë të Evropës perëndimore. Italia parashikohet të ketë një rritje –2.5 për qind. Ekonomia greke duket se është në një cikël negativ, i cili është në vështirësi. Eksporti shqiptar, i cili kryesisht është në përpunimin e lëndëve të para, duket se do të ndjejë dhe ai rënien e kosumit botëror. Elementi i tretë është investimet e huaja në ekonomi - sa investime të huaja do të kompensojnë rënien e të ardhurave nga eksporti dhe nga emigrantët", thotë Malaj.

Presidenti i Konfindustrias shqiptare, Gjergj Buxhuku, thotë se industria minerare, ajo e ndërtimit, industria agro-ushqimore etj., po ekspozohen dukshëm ndaj krizës. E njohur më së shumti si një krizë e sistemit bankar, pritej që edhe këtu Shqipëria të reflektonte të njëjtin shqetësim. Por, sipas Buxhukut, në këtë pikë, epërsi ka krijuar fakti i të qenit në pozicion periferik në sistemin botëror bankar.

"Ne nuk jemi prekur në industrinë bankare. Sistemi bankar shqiptar është një sistem bankar relativisht i shëndoshë, me likuiditet, por që ka problematikën e vet që nuk lidhet me problematikën e cila është problematikë e importuar ndërkombëtare. Pasojat e krizës, është e padiskutueshme që do të ndjehen në Shqipëri, siç edhe janë ndjerë, sepse do të kuptojmë që në radhë të parë kemi parasysh faktin që remitancat janë ende një burim i rëndësishëm i aktivitetit normal të ekonomisë shqiptare", thotë Buxhuku.

Këshilltari i kryeministrit, Petraq Milo, ofron një optikë që lidhet me përpjekjet qeveritare, për të mënjanuar efektet e krizës në ekonomi.

"Shqipëria, kuptohet mund të jetë një vend i izoluar dhe efektet e kësaj krize në vendet evropiane do të ndikojnë edhe në Shqipëri. Thelbi i problemit është që a po bën Qeveria politika që shkojnë në kundërshtim apo e ushqejnë krizën. Që nga 2005-a, programi i Qeverisë ka qenë një program anti-krizë. Në radhë të parë kishim një ulje të theksuar të barës fiskale. Ia lamë më shumë likuiditetin sektorit privat. Ne këtë e arritëm duke mos synuar të ardhurat e buxhetit të shtetit. Dhe kjo, në krahun tjetër, krijoi atë mundësi që të ulet deficiti buxhetor. Ne u dhamë theks dhe përparësi investimeve publike", tha Milo.

Debat në Shqipëri vijon të prodhojë dhe shifra e rritjes ekonomike përgjatë vitit 2009. Qeveria pretendon se rritja do të jetë dyshifrore deri në 10 për qind, në kundërshtim nga opozita që e sheh këtë si besim të tepruar.

"Qeveria e injoroi në mënyrë absolute faktin që do të kishte krizë. Bile, u fol për rritjen dyshifrore, kur Fondi Monetar Ndërkombëtar, para një jave, deklaroi që edhe rritja 4 për qind ka nevojë të shikohet në zbritje, pra do të jetë më e vogël", tha Malaj.

"Në fund të fundit, parashikimet ekonomike mbështeten në vitin e kaluar dhe zhvillimet që ndodhin në 2009-ën. Janari i 2009-ës u mbyll me një interes shumë të madh për investitorët e huaj. Dhejtor-janar janë nënshkruar kontrata rreth 3 miliardë euro. Pra, nuk ka humbur interesi i investitorëve të huaj për Shqipërinë", u shpreh Milo.

"Kriza nuk është vetëm një fatkeqësi humbjeje, por mund të jetë edhe një shans fitoreje për një sërë vendesh siç jemi ne", tha Buxhuku.

Nëse Shqipëria do të mund t'i shfrytëzojë ato çfarë analistët i shënojnë si epërsi për të përfituar edhe nga kriza, kjo do të duket kur të mbyllen 6 muajt e parë të vitit. Por, sfidat duket të jenë të forta. Si efekt i krizës është parë po aq dhe zhvleftësimi i monedhës shqiptare në raport me euron dhe dollarin, që ekspertët e kanë parë si rrezik për kreditë në valutë.
XS
SM
MD
LG