Ndërlidhjet

Mbrojtja raketore: A mund të sjellë rezultate reale?


Medvedev dhe Obama
Medvedev dhe Obama

Një nga çështjet më kundërthënëse gjatë administratës Bush ishte vendosja e një pjese të mbrojtjes raketore amerikane në Poloni dhe Çeki. Presidenti i ri, Obama, është treguar i gatshëm për raporte më të mira me Rusinë, por ende nuk është i qartë qëndrimi i tij rreth planeve të mbrojtjes raketore.


Mbështetësit e nismës për vendosjen e një pjese të mbrojtjes raketore amerikane në Evropë, këmbëngulin se programi do ta bëjë botën një vend më të sigurt.

Por, kritikët thonë se ajo është shembull i arrogancës amerikane dhe rrezikon të destabilizojë barazpeshën strategjike globale.

Polonia dhe Çekia janë dy vendet ku pritet të vendoset një pjesë e mbrojtjes raketore amerikane.

Pavarësisht të gjithave, pak përparim është shënuar që nga pranvera e vitit 2001, kur presidenti i asaj kohe, George Bush, kërkoi një strategji të qartë për përballjen me kërcënimet e shekullit 21. Pjesë e kësaj strategjie ishin dhe planet për mbrojtjen raketore, si masë sigurie për aleatët nga rreziku që paraqesin shtete si Koreja e Veriut apo Irani.

Moska, nga ana tjetër, e ka parë planin që në fillim si të drejtuar kundër Rusisë.

Planet për mbrojtjen raketore kanë qenë një ndër mosmarrëveshjet kryesore në raportet Uashington-Moskë gjatë tetë vjetëve të fundit.

Me ardhjen në Shtëpinë e Bardhë të presidentit Obama, duket se ka pasur një ulje të retorikës së ashpër mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Sipas njohësit të Rusisë, Eduard Lucas, mosmarrëveshjet mbi planet raketore janë më shumë të tepruara nga palët.

"Ajo çfarë është për t'u habitur rreth mbrojtjes raketore, është se asnjë nga palët nuk është aq serioze se ç'pretendon. Për Amerikën, ky është një sistem që ende nuk është funksional ndaj një kërcënimi që ende nuk ekziston. Sa i përket Rusisë, ky plan nuk do të sjellë ndonjë ndryshim strategjik në barazpeshën bërthamore", thotë Lucas, për Radion Evropa e Lirë.

Kundërshtimi i Rusisë më së shumti lidhet me faktin se perandoria sovjetike humbi kontrollin mbi vendet e Lindjes, vetëm që të zëvendësohej nga Shtetet e Bashkuara.

Nga ana tjetër, Uashingtoni është jo pak i frustruar, pasi Moska asnjëherë nuk ka qenë konstruktive në përpjekjet për të bllokuar programet bërthamore të Iranit.

Por, me premtimet e administratës Obama për përmirësim marrëdhëniesh me Rusinë dhe dialog të drejtpëprdrejtë me Iranin, është koha që Moska e Uashingtoni të arrijnë një marrëveshje rreth planeve të mbrojtjes raketore.

"Ka pasur një angazhim ideologjik të administratës Bush lidhur me projektet për mbrojtjen raketore. Nga ana tjetër, Rusia arriti në përfundimin se nuk mund të bënte asgjë për t'i ndryshuar planet e administratës Bush në këtë drejtim. Nuk mendoj se administrata Obama ka një angazhim të ngjashëm si ajo e Bushit. Administrata Obama është e gatshme ta rishohë çështjen", thotë për REL, Steven Pifer, ish-zyrtar në Departamentin e Shtetit.

Shtrohet pyetja - çfarë kursi do të ndjekë administrata Obama dhe a do të jetë e gatshme të bëjë lëshime në shkëmbim të një marrëveshje me Iranin?

Nëse po, sipas saj, cili do të ishte skenari i mundshëm sipas Pifer:

"Nëse SHBA-të do të ofrojnë diçka lidhur me mbrojtjen raketore, kjo do të ketë të bëjë me Iranin. Rusëve do t'u thuhet se do të ngadalësohet apo do vendoset moratoriumi mbi këtë projekt, nëse ndihmojnë në zvogëlimin e kërcënimit bërthamor të Iranit."

Por, ndryshe mendon Nikolas Gvosdev, nga Kolegji i Marinës në Shtetet e Bashkuara.

"Administrata Obama-Biden shihet si e brishtë në qarqet amerikane sa i përket çështjeve të sigurisë kombëtare. Ata nuk dëshirojnë të duken se po i përkulen Rusisë", thotë Gvosdev.
XS
SM
MD
LG