Ndërlidhjet

Serbët e fshatit Dobratin, në rrethinë të Lipjanit, shprehen pesimistë rreth zhvillimeve që kanë ndodhur në Kosovë përgjatë një viti, prejse u shpall pavarësia e Republikës. Një pjesë e tyre kundërshtojnë të pranojnë Kosovën e pavarur, ndërsa të tjerët shprehen të pakënaqur me angazhimin e institucioneve të Kosovës në përmirësimin e kushteve të jetës së serbëve nëpër Kosovë.


Serbët e Dobratinit, një fshati të banuar me shumicë serbe në rrethinën e Lipjanit, thonë se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit të kaluar, nuk u ka sjellë asgjë serbëve të Kosovës.

Sipas tyre, kushtet për serbët e Kosovës në përgjithësi vetëm sa janë përkeqësuar që nga periudha e pasluftës në Kosovë. Bratisllav Qanoviq, një banor serb i fshatit Dobratin, e quan të pamjaftueshëm angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmirësimin e jetës së serbëve në fshatin ku ai jeton, në një shtëpi të huaj, në pamundësi për t'u kthyer në shtëpinë e vet në Lipjan.

"Në përgjithësi, asgjë nuk ka sjellë pavarësia. Më kanë premtuar se do të më punësojnë mua, gruan, qysh se jemi kthyer, por kot, asgjë. Nuk ka asgjë. Në Lipjan ma kanë djegur shtëpinë, lokalet mi kanë uzurpuar qysh në vitin 1999", thotë Qanoviq, i cili ka kërkesa të qarta drejtuar institucioneve të Republikës së Kosovës.

"Kërkojmë që të përmirësohet gjendja. Nuk ka punësim, nuk ka asgjë. Nuk ka liri të lëvizjes",
thekson Qanoviq.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës, sipas Predrag Mihajlloviq, nuk ka ndikuar aspak në përmirësimin e kushteve të jetesës së serbëve kosovarë. Ai vlerëson se kushtet e dobëta të jetës për serbët që jetojnë në Kosovë, e kanë shtyrë këtë pjesë të popullatës që të izolohet nëpër fshatra, në pamundësi për të jetuar në qendrat ku kanë jetuar më parë, ndërkohë shfaq shpresën se udhëheqësit e Serbisë do të mund të ndryshojnë diçka në këtë drejtim.

"Të gjithë e dimë se Kosova e ka shpallur pavarësinë. Mendoj se Kosova, edhe pas një viti, nuk është e pavarur. Se si do të shkojnë gjërat, nuk e di, por unë e kam dëgjuar presidentin serb Tadiq të thotë se Kosova nuk është ende e pavarur. Ky është edhe mendimi im, tash do të shohim se si do të jetë tutje", thotë Mihajlloviq.

Një pjesë e serbëve të Dobratinit, ndërkohë, vlerësojnë se do të jetë e pashmangshme që të pranohet pavarësia e Kosovës dhe që të jetohet bashkë me shqiptarët e vendit. Dobrivoje Stojanoviq, i cili preferon të distancohet nga thirrjet politike të Beogradit zyrtar, thotë se më e rëndësishmja për të është zhvillimi i një jetë normale.

"Ne serbët, si edhe ju shqiptarët - kurrë nuk mund të jetoni ju pa ne, e as ne pa ju. Por, tash jetojmë në shekullin 21, kurse nuk kemi rrymë edhe nga 5 orë; nuk mund të lahem e pastrohem", thotë Stojanoviq.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, ndërkaq, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e më tutje u kanë bërë thirrje serbëve të Kosovës që të integrohen në shoqërinë kosovare, si dhe në institucionet e shtetit të Kosovës.

Këto thirrje duket se nuk kanë ndikuar te pjesa më e madhe e serbëve kosovarë, sidomos të atyre të pjesës veriore të vendit, të cilët vazhdojnë të kundërshtojnë shtetin e Kosovës, si dhe çfarëdolloj bashkëpunimi me institucionet kosovare.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG