Ndërlidhjet

logo-print

Kosova po shënon përvjetorin e parë të pavarësisë së saj, me jo më pak sfida të vjetra që i kishte dhe para një viti. Shteti i ri, i vogël, me ekonomi të dërmuar nga e kaluara, shquhet për shkallë të lartë të papunësisë, rrjedhimisht edhe varfërisë.


Temperatura e ultë që kishte arritur në minus 12 gradë celsius nuk u bënte përshtypje mijëra njerëzve që më 17 shkurt të vitit 2008 kishin mbushur rrugët në të gjitha qytetet e Kosovës, në pritje të çastit kur do të shpallej pavarësia e Kosovës në Parlamentin 120 vendesh të saj.

Pas njohjes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasuan vendet më të fuqishme të Bashkimit Evropian dhe përvjetori i parë e gjeti shtetin më të ri në botë me 54 njohje.

Udhëheqësit e Kosovës thonë se kjo është “njohje cilësore”, por ata e dinë se numrat janë shumë të rëndësishëm për shtetin e ri që synon të bëhet pjesë e mekanizmave të rëndësishëm ndërkombëtarë, veçanërisht atyre financiarë, që do të kishin peshë për rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

Shteti i ri, i vogël, me ekonomi të dërmuar nga e kaluara, shquhet për shkallë të lartë të papunësisë, rrjedhimisht edhe varfërisë. Investimet janë ende të vogla dhe kriza globale financiare nuk jep shumë shpresa për shtimin e investimeve aq të nevojshme për Kosovën.

Krijimi i një mjedisi të sigurt dhe integrimi i pakicave kombëtare, veçanërisht i pakicës serbe, është edhe më tej “thembra e Akilit” e institucioneve pro-perëndimore të Kosovës.

Veriu i vendit i banuar me shumicë serbe vazhdon të jetë një arenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës.

Sidoqoftë, 17 shkurti i këtij viti shënon vitin e parë të jetës së një shteti të ri, pavarësia e të cilit është e pakthyeshme.

Me gjithë problemet, përvjetori i parë dëshmoi se Kosova është rast i veçantë dhe përgënjeshtroi të gjitha parashikimet se shpallja e pavarësisë së saj mund të nxisë valë dhune dhe të destabilizojë rajonin.


  • 16x9 Image

    Arbana Vidishiqi

    Arbana Vidishiqi është Drejtore e Shërbimit për Ballkanin në Radion Evropa e Lirë. Me gazetari merret që prej vitit 1997, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 1999. Është e martuar dhe ka një fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG