Ndërlidhjet

Demaçi: Jetojmë në dy realitete


Adem Demaçi
Adem Demaçi

"Po jetojmë në këtë realitetin objektiv të mosqenies së Serbisë këtu, mospranisë së Serbisë këtu...Dhe, kemi realitetin tjetër juridik, drejtësinë ndërkombëtare, e cila ende po i bën lëshime Serbisë", thotë Adem Demaçi.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Demaçi, si e përjetoni ju njëvjetorin e pavarësisë së Kosovës? Çfarë përshtypjesh keni?

ADEM DEMAÇI
Përvjetori i parë, po mendoj figurativisht - bebja ka filluar të ecë - po mendoj që ka filluar të ecë nga ajo zhargitje që shkonte.

Është mbërrijtur maksimumi i mundshëm në rrethana të pamundshme, sepse Kosova është vend në rrethana të pamundshme, pa ushtri, pa polici, me kontroll mbi vete, me atë Nenin 143 të Kushtetutës që thotë se i dërguari i Kombeve të Bashkuara ose i Evropës ka të drejtë të shpërndajë Parlamentin, të shpërndajë Qeverinë, të shkarkojë kë të dojë etj. Me fjalë tjera, dikush tjetër është ai që e ka fjalën e fundit – nuk e kemi ne.

Ajo pavarësi, të cilën ne e shpallëm, është bukur me pengesa të shumta. Dhe, po them se me ato mundësi që kishim, e kemi mbërrijtur maksimumin. Mirëpo, na kanë mbetur edhe shumë gjëra – na dëshpëron ekonomia, e cila ka mbetur për shumë shkaqe, sepse kemi mbetur të lidhur e të kapur me Serbinë, me telefonata, me shumë lidhje të ndryshme, shumë pengesa; nuk jemi ende anëtarë të këtyre burimeve të mëdha financiare ndërkombëtare, të cilat ndihmojnë në këtë situatë një vend siç është i yni.

Serbia, me shumë shtete që janë të lidhura me Serbinë, Rusinë, Kinën, po hezitojnë që ta pranojnë Kosovën, edhe pse Kosovën e kanë njohur shtetet më kryesore, më të rëndësishme të demokracive perëndimore që i njohim ne dhe që duam të jemi pjesë e tyre. Megjithatë, kjo po na pengon që ne të bëhemi anëtarë të plotfuqishëm të Kombeve të Bashkuara.

Pastaj, kemi probleme të tjera – droga, disa kriminalitete të shumëllojshme, të cilat kanë depërtuar përmes rrugëve të ndryshme, sepse Kosova faktikisht ka mbetur e pambrojtur, ka mbetur një vend ku për shkak të valutës së fortë që e ka – Euros, vjen çdokush dhe sjellë mallra të ndryshme, të pakontrolluara, pa e ditur origjinën.

Shëndetësia ka mbetur shumë keq, arsimi shumë keq, kultura shumë keq; gjyqet i kemi të përziera... Me fjalë të tjera, ka shumë sende që këtë përvjetor të pavarësisë së shpallur pak a shumë na e bëjnë të hidhur dhe nuk na e bëjnë që të na vijë fort ëmbël. Megjithatë, beba ka filluar të ecë dhe ky është një përparim.

Po jetojmë në dy realitete. Po jetojmë në këtë realitetin objektiv të mosqenies së Serbisë këtu, mospranisë së Serbisë këtu; një qeveri e jona, e cila me pengesa të ndryshme, por megjithatë po funkisonon; disa sende janë drejtuar si duhet, disa sende pritet të drejtohen etj.

Dhe, kemi realitetin tjetër juridik – drejtësinë ndërkombëtare, e cila ka mbështetje të madhe, forca të mëdha prapa vetes, të cilat ende po e përkrahin, ende po i bëjnë lëshime Serbisë, ende po mundohen ta tërhqein dhe ta ndajnë Serbinë nga Rusia dhe nga disa ndikime destruktive, po mundohen që ta fusin në NATO dhe në BE, për të mirë edhe të Evropës, edhe të popullit serb, mirëpo me këto lëshime që po i bëhen Serbisë, faktikisht po vonohet dhe po pengohet ajo çka Evropa do.

Me fjalë të tjera, Evropa është duke vazhduar të bëjë gabime sikurse që ka bërë dikur. Detyra jonë është që, duke dashur Evropën, sepse jemi vetë evropianë dhe jemi flijuar për t'u bashkuar me Evropën e Amerikën, t'ia themi edhe vërejtjet tona që kemi, në mënyrë që ata të kuptojnë se nuk po shkon pikërisht ashtu siç po planifikojnë ata, por ka edhe diçka tjetër për ta njohur mirë Serbinë, për të ditur se në Serbi nuk ka ndryshime, ende nuk ka ndryshime esenciale.

Ajo korja përmbi ka mbetur si trashëgimtare e politikës së Millosheviqit dhe këto janë ato pengesat e shumta që edhe neve po na pengojnë, edhe Serbisë po i pengojnë, edhe Evropës, edhe Amerikës, edhe rrjedhës në drejtim të demokracisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur e keni menduar Kosovën si të pavarur – a e keni ëndrruar kështu siç është sot?

ADEM DEMAÇI
Jo. Unë kam ëndrruar që Kosova e pavarur do të ketë mundësi të veprojë lirisht, pa përzierje të askujt. Nëse do që të bashkohet me Shqipërinë – të bashkohet me Shqipërinë. Nëse do që të mbetet e pavarur – të mbetet e pavarur.

Të mos ketë probleme me copëtimin dhe me ndarjen. Të mos jetë viktimë e disa projekteve, të cilat sigurisht zoti Ahtisaari i ka menduar mirë, por që nuk kanë dalë mirë, sepse të krijosh tashti 11 enklava si lloj komunash këtu në Kosovë – komunë me 3 mijë veta, komunë me 5 mijë veta – kjo nuk është askund hiç.

Të bëhen ndarje në vija etnike... Derisa Evropa po i shkatrron kufijtë mes vete, ne po ndahemi në vija etnike, vetëm për t'ia bërë qejfin Serbisë. Domethënë, këto janë të gjitha ato që e prishin imazhin që ne e kemi menduar se si do të duhej të dukej pavarësia e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa është përmbushur vizioni juaj?

ADEM DEMAÇI
Vizioni im nuk është përmbushur si duhet. Vizioni im është përmbushur aq sa mbrapa nuk ka. E di se kemi mbërrijtur atë kulmin e domosdoshëm, të cilin e kemi arritur me sakrifica të mëdha, me gjakderdhje të mëdha, me përpjekje të mëdha dhe tash jemi duke shkuar kah ai rrafshi, kah ajo fusha e lumturisë, të cilën e kemi dëshiruar ne.

Mirëpo, para se të arrijmë në atë fushë, kemi plot përronj, plot prita të ndryshme, plot vështirësi që duhet t'i kalojmë. Dhe, këtë mund ta bëjmë vetëm duke qenë të bashkuar dhe duke kuptuar se interesi kombëtar është mbi interesin e do farë luftrave për pushtet që bëhen, sepse ende nuk e kemi shtetin ashtu si e dëshirojmë ne, të kompletuar dhe të definuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka mendoni se është bërë dhe çka nuk është bërë?

ADEM DEMAÇI
Është bërë diçka që projekti i Rezolutës 1244, meqenëse Këshilli i Sigurimit nuk deshi ta ndërronte, sepse ishte aty vetoja e Rusisë, e cila e mirëpriti këtë mundësi që të pengojë trendin dhe procesin e zgjerimit të demokracisë në Evropë, e zgjerimit të sferës së të drejtave të njeriut dhe humanizmit në Evropë, edhe Rusia e cila këto zgjerime, këto përparime, i përjetonte si njëfarë ngulfatjeje të vetvetes, si njëfarë goditjeje në atë përpjekjen e vet që përsëri t'i kthehet hegjemonizmit ruso-madh.

Domethënë, kjo është ajo çka pengoi të arrihej ajo që të mund të krijohej, edhe kjo pjesë t'i bashkohej pa tronditje, pa gjakderdhje të mëtutjeshme, sepse u bënë gjakderdhje të mëdha që nga lufta e Sllovenisë, Kroacisë, tragjeditë e mëdha të Bosnjë e Herecegovinës, mizoritë e mëdha që u bënë në Kosovë etj.

Me fjalë të tjera, mbeten shumë gjëra të paarritura për fajin e Rusisë dhe meqenëse bashkësia ndërkombëtare ka bërë gabime, por ne nuk mund të presim që fuqitë e mëdha të kërkojnë falje prej nesh – ata e bënë një mënyrë të korrigjimit të qëndrimit të tyre, duke u pajtuar me shpalljen e pavarësisë sonë, duke njohur pavarësinë tonë, e cila ishte dhe është në kundërshtim me ato projektet, me atë Rezolutën 1244, e cila përpiqej për njëfarë lloj autonomie që ta pajtonte Serbinë, të mos e frigonte Rusinë etj.

Pra, kemi bërë një hap vendimtar dhe kjo është ajo që po them – ai realiteti objektiv, i cili duhet të mbrohet dhe duhet të mbushet me verpimet tona, si një popull, si grupacion i madh qytetarësh prej 2 milionë e sa vetash. Kurse, në anën tjetër, janë forca gjithashtu të konsiderueshme që mundohen ta mbajnë të frenuar derisa të mbërrijnë që në Serbi të fitojë vetëdija demokratike.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat mendoni se do të jenë sfidat më të mëdha për Kosovën një vit pas pavarësisë?

ADEM DEMAÇI
Unë mendoj se do të kemi probleme me Serbinë, e cila po e sheh se i është zvogëluar terreni i manovrimit. Dhe, sidomos kjo kriza e madhe globale, e cila ka goditur edhe Serbinë, ka goditur edhe Rusinë, do të bëjë që Serbia – eventualisht nëse nuk tregohet Evropa e vendosur, nëse nuk tregohet Amerika e vendosur, bën vaki të bëjë edhe ndonjëfarë sulmi për ta copëtuar Kosovën, për t'ia hequr një pjesë Kosovës.

Ata kanë ndërmend që ta marrin pjesën veriore të Kosovës dhe kjo do të ishte katastrofa më e madhe, sepse atëherë do të hapej Kutia e Pandorës dhe nuk dimë se çfarë do të bëhej.

Në Kosovë dhe në këto pjesët tjera do të hapej një përpjekje, pra meqë ju na copëtoni neve, atëherë duhet të luftojmë; edhe ne kemi pjesë të ndryshme nën pushtetin e Serbisë – Presheva etj., kështu që do të hyjmë në një rrezik jo të vogël që do të shkaktohej përsëri nga Serbia.

Unë mendoj se këtu Evropa duhet të jetë e vendosur, ta sigurojë kufirin mirë, jo ta konsiderojë edhe më tutje kufirin mes Kosovës e Serbisë si kufi administrativ, por ta konsiderojë si kufi shtetëror, të fortë, të ruajtur mirë, duke forcuar Kosovën në pikëpamje ushtarake.

Me këto mekanizma që krijohen për të fikur zjarre, për të ndihmuar me rastin e tërmeteve (FSK), në këtë mënyrë Serbia nuk do të disiplinohet.

Serbia do ta kuptojë se e ka humbur davanë sa i përket Kosovës në momentin kur bashkësia ndërkombëtare, miqtë tanë do ta kuptojnë se edhe Kosovës, kështu siç është, i duhet një armatë respektabile, e cila do të jetë në gjendje ta ruajë vetveten dhe t'ia bëjë me dije Serbisë se më nuk ka shanse me mjete tjera, me mjete të dhunës, të mundohet që të rikthejë përsëri hegjemonizmin e vet në hapësirat shqiptare.
XS
SM
MD
LG