Ndërlidhjet

FT: "Kosova në 1-vjetor"


"Financial Times"


Kosova po feston pëvjetorin e parë të pavarësisë, duke e ditur se frikat më të këqija që e shoqëruan shpalljen e shtetit të ri, nuk u realizuan.

Pavarësisht tensioneve që mbajnë të ndarë shqiptarët nga serbët, gjatë vitit të shkuar nuk ka pasur ndonjë shenjë serioze dhune apo valë refugjatësh.

Por, Kosova ende mbetet larg nga krijimi i një të ardhmeje të sigurt.

Në të gjithë botën, Kosovën e kanë njohur 54 shtete, numër ky shumë i vogël krahasuar me numrin e shteteve që nevojiten për të shtyrë përpara kërkesën për një njohje nga Kombet e Bashkuara.

Këshilli i Sigurimit vazhdon të mbetet i ndarë, ku SHBA-të dhe aleatët perëndimorë mbështesin pavarësinë, kurse Rusia mbetet në favor të Serbisë.

Të gjitha këto i lënë autoritetet e Kosovës të përpiqen të merren me sfidat urgjente ekonomike, përfshirë papunësinë e lartë, infrastrukturën e dobët dhe korrupsionin mbytës.

Në teori, përpjekjet e administratës së re amerikane për përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë mund të çojnë në krijimin e një klime më të mirë rreth Kosovës.

Por, duke pasur parasysh se agjendat botërore sundohen nga kriza ekonomike dhe Lindja e Mesme, do të ishte e nxituar të shpresoje për një marrëveshje të shpejtë rreth Kosovës.

BE-ja, nga ana tjetër, duhet të fokusohet në arritjet e vogla, të shkall-shkallshme. Në frontin diplomatik, kjo do të thotë të realizohet anëtarësimi i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Në terren, përparësi duhet të jetë vendosja e autoritetit të misionit evropian dhe zbatimi i projekteve të furnizimit me energji, ujë dhe përmirësimin e rrugëve, çfarë do të çojë në përmirësimin e standardeve të jetesës.

Por, vetëm përparimi ekonomik nuk do të sjellë stabilitet politik në Kosovë. Megjithatë, përparimi ekonomik do të ndihmojë në afrimin e ditës kur do të mund të arrihet stabiliteti politik, ndoshta përmes një ujdie, e cila lejon Kosovën dhe Serbinë të hyjnë në BE.

Brukseli ende duhet të bëjë më shumë për futjen e vendeve të dala nga ish-Jugosllavia në BE.

Përveç Kosovës, Bosnja kërkon vëmendje për shkak të tensioneve ndëretnike. Kroacia ka mosmarrëveshje për kufirin detar me Slloveninë, Maqedonia vazhdon kundërthëniet për emrin me Greqinë, kurse Serbia ka ende betejën për të sjellë para drejtësisë kriminelët e luftës.

Me kaq shumë probleme të tjera në agjendën ndërkombëtare, është tunduese ideja që të harrohet Ballkani Perëndimor. Por, BE-ja nuk duhet ta harrojë, pasi pa stabilitet në këtë rajon, nuk mund të ketë stabilitet të plotë në Evropë.
XS
SM
MD
LG