Ndërlidhjet

Në përvjetorin e parë të pavarësisë, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë solemne, përmes së cilës, udhëheqësit më të lartë vendorë u kanë adresuar mesazhe qytetarëve. Qytetarët e Kosovës kanë marrë urime edhe nga përfaqësuesit më të lartë ndërkombëtarë.


Para një viti, Kosova mori vendimin më të rëndësishëm në historinë e saj, tha sot presidenti Fatmir Sejdiu, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, të mbajtur në përvjetorin e parë të pavarësisë së Kosovës.

Ky vendim, tha Sejdiu, u pasua me njohje ndërkombëtare, duke e bërë Kosovën subjekt në mesin e shteteve botërore.

“17 Shkurti mbylli faqen e rëndë dhe të vështirë të historisë sonë, e cila brenda mban shumë dhimbje njerëzore dhe shkatërrime, por edhe akte dhe vepra të mëdha sublime dhe të paharrueshme. Aty gjenden edhe mijëra viktima që nuk janë të gjetura që nga qershori i vitit 1999”, tha presidenti Sejdiu.

“Ne sot jemi krenarë për atë që bënë paraardhësit tanë dhe jemi shumë me fat se na takoi që të jetojmë dhe punojmë në Kosovën shtet të pavarur e sovran. Para një viti u realizua projekti më i madh që kishin synim shumë breza, një projekt që sot simbolizon edhe me emrat e dy heronjve të mëdhenj të Kosovës, dr Ibrahim Rugova, lider shpirtëror dhe politik i pavarësisë, dhe Adem Jasharin, hero i luftës çlirimtare për liri”, tha Sejdiu.

Një vit pas shpalljes së Kosovës së pavarur, vazhdoi presidenti Sejdiu, Kosova bëri hapa të kujdesshëm, miratoi Kushtetutën, simbolet, flamurin e himnin, ndërkohë që janë në formim e sipër Forca e Sigurisë, Agjencia e Inteligjencës dhe Gjykata Kushtetuese.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës, një vit më herët, ishte sublimim i vullnetit të shumicës për pavarësi që daton për një shekull - pavarësi kjo e deklaruar në harmoni me bashkësinë ndërkombëtare.

Data e 17 Shkurtit shënon kurorëzimin e përpjekjeve shekullore për liri të popullit të Kosovës. Sot është dita kur kujtojmë me pietet të gjithë ata burra e gra të Kosovës, që nëpër breza u bënë kurban në themelet e pavarësisë së saj. Ky popull që nuk u përkul asnjëherë gjatë historisë së tij të dhimbshme, përkulet sot para të rënëve të tij”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se në përvjetorin e parë të pavarësisë, mirënjohja e parë u takon dëshmorëve që ranë për liri, popullit të Kosovës dhe miqve ndërkombëtarë që e ndihmuan Kosovën në realizimin e aspiratave shekullore.

Ndërkohë që kryeministri Hashim Thaçi tha se më 17 Shkurt, të gjithë qytetarët e Kosovës e kanë ditëlindjen e tyre, sepse atë ditë lindi shteti që e kanë synuar me shekuj.

“Sot është përvjetori i parë i shtetit tonë krenar, të pavarur, sovran e të lirë. Sot, të gjithë kemi ditëlindjen. Sot, kujtojmë të kaluarën tonë, respektojmë të kaluarën tonë dhe marrim zotime për të ardhmen. Sot shënojmë festën më të madhe dhe më të rëndësishme të popullit të Kosovës”, deklaroi Thaçi.

Ndërsa ka përgëzuar qytetarët e Kosovës për njëvjetorin e pavarësisë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur edhe për sfidat dhe pakënaqësitë që e preokupojnë atë si një nga liderët e opozitës në vitin e parë të shtetit më të ri.

“Nuk mund të jemi ne mirë, nëse shteti i Kosovës është keq. Nuk mund të jemi ne të qetë, nëse shteti i Kosovës nuk e ka të siguruar tërësinë e tij territoriale. Nuk mund të jemi ne rehat, kur jemi dëshmitarë të shndërrimit të shtetit në pronë private të një udhëheqësie, e cila dëshiron t'i monopolizojë të gjitha të mirat që i kemi trashëguar, të gjithë historinë tonë dhe ardhmërinë tonë, dhe e cila e ka transformuar pushtetin në një korrupsion të organizuar”, u shpreh Haradinaj.

Në orët e mëngjesit, presidenti dhe kryeministri i Kosovës kanë pritur pesë ambasadorët e vendeve të Quint-it, të cilët po ashtu i kanë përgëzuar kosovarët në këtë përvjetor të parë të pavarësisë.

Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, ka përgëzuar institucionet dhe popullin e Kosovës për progresin e arritur gjatë këtij viti, sidomos për zbatimin e Planit të Ahtisaarit.

“Dua t’ju përgëzoj për progresin e arritur që prej shpalljes së pavarësisë dhe për përkushtimin në zbatimin në përpikëri të Planit Ahtisaari. Kosova do të jetë vend i lirë dhe demokratik, i të gjitha komuniteteve", tha Pieter Feith.

Ndërsa, në emër të shteteve të Quinit-it, ka folur ambasadorja e SHBA-së në Prishtinë, Tina Kaidanow.

"Dua ta përgëzoj popullin e Kosovës dhe liderët e saj për përvjetorin e pavarësisë së Kosovës. Populli i Kosovës duhet të jetë krenar për punën që është bërë. Ne do të vazhdojmë t'ju mbështesim në rrugën tuaj", ka deklaruar Kaidanow.

Në anën tjetër, liderët kosovarë janë zotuar se Kosova ka perspektivë të qartë euro-atlantike, si një vend demokratik që do të kultivojë të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e saj.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG